“Forcoje.”
Ligji i Përtërirë 1:38
Perëndia i përdor njerëzit e Tij për të inkurajuar njëri-tjetrin. Ai nuk i tha një engjëlli, “Gabriel, shërbëtori Im Jozue po gatitet ta udhëheqë popullin Tim drejt Kanaanit—shko, inkurajoje atë!”. Perëndia asnjëherë nuk bën mrekulli të panevojshme. Ai nuk do ta përdorë mjetin e mrekullisë kur synimet e Tij mund të realizohen përmes mjeteve të zakonshme. Në fakt, Gabrieli nuk do të kishte qenë i përgatitur as sa gjysma e Moisiut për ta kryer detyrën. Ndjeshmëria e një vëllai është më e vyer sesa prestigji i një engjëlli. Engjëlli krahëshpejtë i njihte më mirë kërkesat e të Zot sesa nevojat e njerëzve. Një engjëll nuk e kishte përjetuar kurrë shtegtimin e vështirë, as nuk ishte përballur me gjarpërinj të zjarrtë dhe as nuk kishte udhëhequr një mori njerëzish me qafë të fortë nëpër shkretëtirë, ashtu siç kishte bërë Moisiu. Duhet të jemi të gëzuar që Perëndia zakonisht punon për njeriun me anë të njeriut. Krijohet kështu një lidhje vëllazërore, dhe duke qenë nën varësinë e ndërsjellë të njëri-tjetrit, shkrihemi plotësisht në një familje të vetme.
Vëllezër, konsiderojeni këtë varg si një mesazh nga Perëndia për ju! Bëni çdo përpjekje për t’i ndihmuar të tjerët dhe posaçërisht përpiquni t’i inkurajoni ata! Bashkëbisedoni ngrohtësisht me të riun që ju drejton pyetje me shqetësim; përpiquni me dashuri që t’ia largoni gurët pengues nga rruga! Me të gjetur një shkëndijë hiri në zemër, gjunjëzohuni në lutje dhe fryjini butësisht për ta kthyer në një zjarr! Lëreni besimtarin e ri ta zbulojë vështirësinë e shtegtimit pak nga pak, por tregojini atij edhe për fuqinë që gjendet në Perëndinë, për faktin se sa të sigurta janë premtimet e Tij dhe për dobitë e përbashkësisë me Krishtin!
Synoni të ngushëlloni të pikëlluarin dhe të nxitni të dëshpëruarin! Gjeni fjalët e duhura për të lodhurin dhe inkurajoni frymët e atyre që druhen ta vazhdojnë udhëtimin me gëzim! Perëndia ju inkurajon me premtimet e Tij; Krishti ju nxit duke ju treguar qiellin që ka fituar për ju; Fryma ju jep zemër duke vepruar në ju që të dëshironi dhe të ecni sipas vullnetit dhe pëlqimit të Tij. Bëhuni imitues të urtësisë hyjnore dhe inkurajojini të tjerët sipas Fjalës këtë mbrëmje!
© dritez.al 2024