Ai që thotë se rri në të, duhet të ecë edhe vetë ashtu si ka ecur ai.
1 e Gjonit 2:6
Përse duhet që të krishterët të bëhen imitues të Krishtit? Ata duhet ta bëjnë këtë për hir të vetes së tyre. Nëse duan të jenë të shëndetshëm frymërisht—nëse duan t’i shpëtojnë sëmundjes së mëkatit dhe të shijojnë energjinë e hirit që sjell rritjen, atëherë, Jezusi duhet të jetë modeli i tyre. Për hir të lumturisë së tyre, nëse do të donin të pinin thellësisht prej dashurisë së Tij, nëse do të donin të shijonin një përbashkësi të shenjtë e të lumtur me Jezusin dhe nëse do të donin të ngriheshin mbi shqetësimet dhe hallet e kësaj bote, atëherë, le të ecin edhe vetë sikurse ka ecur Ai. Nuk ka asnjë ndihmë më të mirë në rrugëtimin e shpejtë drejt qiellit, sesa të fshehurit e shëmbëlltyrës së Jezusit brenda zemrës sate, me qëllim që Ai të kontrollojë të gjitha emocionet e saj. Çastet më të lumtura janë pikërisht ato, kur me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë bëheni të aftë të ecni me Jezusin, në vetë gjurmët e Tij, dhe pikërisht atëherë dalloheni më së shumti si bij të Perëndisë. Për Pjetrin, çastet më të vështira dhe më të parehatshme ishin pikërisht ato kur e ndiqte nga larg Zotin Jezus.
Po ashtu, për hir të besimit tuaj, bëni çdo përpjekje që t’i ngjasoni Jezusit! Besim i gjorë, sa keq të kanë sulmuar armiqtë mizorë, por plagët e shkaktuara nga miqtë kanë qenë pafundësisht më të rrezikshme sesa ato të shkaktuara nga armiqtë! Kush i shkaktoi ato plagë në dorën e bukur të perëndishmërisë? Ai që e shpallte veten besimtar, i cili përdorte kamën e hipokrizisë. Njeriu, i cili hyn duke u shtirur brenda tufës, duke mos qenë gjë tjetër veçse një ujk me lëkurë deleje, e shqetëson më shumë tufën sesa luani jashtë vathës. Nuk ekziston asnjë armë më e rrezikshme sesa puthja e Judë Iskariotit. Besimtarët e paqëndrueshëm i shkaktojnë shumë më tepër dëm Ungjillit sesa kritikët tallës apo heretikët.
Mirëpo, bëhuni imitues të Krishtit veçanërisht për hir të Tij! I krishterë, a e do ti vallë Shpëtimtarin tënd? A është emri i Tij i vyer për ty? A është kauza e Tij e shtrenjtë për ty? A do vallë që t’i shohësh mbretëritë e botës të bëhen të Krishtit? A është dëshira jote që Ai të përlëvdohet? A të digjet zemra për shpëtimin e sa më shumë shpirtrave? Nëse është kështu, bëhu imitues i Jezusit; pra, ji “letra [e Krishtit] … e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit” (2 e Korintasve 3:2-3).
© dritez.al 2024