spurgeon dev 17 maj pm
Maj 2023

“Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur.”

Isaia 41:9

Nëse e kemi marrë hirin e Perëndisë në zemrat tona, një nga efektet e tij praktike ka qenë të na kthejë në shërbëtorë të Perëndisë. Mund të jemi shërbëtorë të pabesë, sigurisht që jemi të padobishëm, por megjithatë, bekuar qoftë emri i Tij, ne jemi shërbëtorët e Tij, mbajmë veshur uniformën e Tij, hamë në tryezën e Tij dhe u bindemi urdhrave të Tij. Dikur ishim shërbëtorët e mëkatit, por Ai që na çliroi, tani na ka marrë në familjen e Vet dhe na ka mësuar se si t’i bindemi të Tijit vullnet. Nuk i shërbejmë Zotit tonë përsosurisht, por do ta bënim një gjë të tillë nëse do të mundeshim. Tek dëgjojmë zërin e Perëndisë që na thotë: “Ti je shërbëtori im”, mund t’i përgjigjemi Atij së bashku me Davidin: “Jam shërbëtori yt … ti i këpute lidhjet e mia” (Psalmi 116:16).

Mirëpo, Zoti jo vetëm që na quan shërbëtorët e Tij, por edhe të zgjedhurit e Tij—“të kam zgjedhur”. Nuk e zgjodhëm ne të parët, por na zgjodhi Ai ne. Edhe nëse sot jemi shërbëtorët e Perëndisë, nuk kemi qenë gjithmonë të tillë; por merita për një ndryshim të tillë i takon hirit sovran. Sytë e sovranitetit na ndanë mënjanë dhe zëri i hirit të pandryshueshëm shpalli: “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3). Shumë kohë përpara agimit të kohërave apo krijimit të hapësirës, Perëndia kishte shkruar mbi zemrën e Vet emrat e popullit të Tij të zgjedhur, i kishte paracaktuar që të ishin të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij, dhe i kishte caktuar trashëgimtarë të të gjithë plotësisë së dashurisë, hirit dhe lavdisë së Tij.

Ç’ngushëllim të pashoq mbartin këto fjalë! Nëse Zoti na ka dashur për një kohë kaq të gjatë, a do të na hedhë poshtë vallë? Ai e dinte sesa kryeneçë do të ishim, e kuptoi që zemrat tona ishin të liga, e megjithatë e bëri zgjedhjen. Shpëtimtari ynë nuk është një dashurues me dy mendje. Ai nuk ndihet i magjepsur për njëfarë kohe nga ndonjë shkëlqim bukurie i syve të kishës së Vet, për ta hedhur atë poshtë pas njëfarë kohe, për shkak të pabesisë së saj. Jo, Ai u martua me të përpara fillimit të epokave; dhe Ai e urren divorcin! Zgjedhja e përjetshme është një lidhje që ngrihet mbi mirënjohjen tonë dhe besnikërinë e Tij, lidhje të cilën asnjë nga palët nuk e hedh dot poshtë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>