spurgeon dev 15 pm
October 2023

Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t’i thyesh qafën.

Eksodi 34:20

Çdo krijesë e parëlindur i takon Zotit, por duke qenë se gomari ishte një kafshë e papastër, nuk mund të paraqitej si blatim. Çfarë duhej bërë atëherë? A mos vallë duhej lejuar një shmangie nga ligji i gjithëmbarshëm? Në asnjë mënyrë, sepse Perëndia nuk pranon asnjë përjashtim nga ligji. Gomari i takon Perëndisë, por Ai nuk e pranon një flijim të tillë; mirëpo, Ai nuk do të heqë dorë nga e drejta e Vet, e megjithatë, nuk mund ta pëlqejë nëse i ofrohet si flijim. Atëherë nuk mbetej asnjë rrugëdalje tjetër, veç shpengimit—krijesa duhej shpëtuar, duke e zëvendësuar me një qengj; ose në të kundërt, po qe se nuk shpengohej, duhej të vdiste. 

Shpirti im, pa shih se çfarë mësimi fshihet këtu për ty! Ajo kafshë e papastër të simbolizon ty. Me të drejtë je pronë e Zotit që të bëri dhe të ruan, por je zhytur kaq thellë në mëkat, saqë Perëndia nuk mund dhe nuk do të të pranojë; dhe e vetmja zgjidhje është kjo—Qengji i Perëndisë duhet të zërë vendin tënd, ose përndryshe duhet të vuash vdekjen e përjetshme. Le ta marrë vesh gjithë bota mirënjohjen tënde për atë Qengj të panjollë që ka derdhur gjakun e Tij për ty dhe kështu të ka shpenguar nga mallkimi vdekjeprurës i ligjit. Me siguri do të ketë qëlluar ndonjëherë që mes izraelitëve të ketë lindur mëdyshja se kush duhej të vdiste: gomari apo qengji? Sepse nuk diskutohet që një njeri i urtë do të ndalej për një çast për të bërë një krahasim të vlerës së tyre. 

Natyrisht që nuk mund të krahasohet vlera e shpirtit të njeriut me jetën e Zotit Jezus, por megjithatë, Qengji vdes dhe njeriut “gomar” i falet jeta. Shpirti im, admiroje dashurinë e pakufishme të Perëndisë për ty dhe për të tjerët si ty, që i përkasin racës njerëzore! Krimbat janë blerë me gjakun e Birit të Më të Lartit! Pluhuri dhe hiri janë shpenguar me një çmim më të shtrenjtë sesa ari dhe argjendi! Sa i tmerrshëm do të kishte qenë fundi im në mungesë të atij shpengimi të bollshëm! Thyerja e qafës së gomarit ishte një ndëshkim që ndodhte brenda një çasti të vetëm, por kush mund ta masë zemërimin që po vjen, i cili nuk ka as fillim e as fund? Pafundësisht i shtrenjtë është Qengji i lavdishëm, i cili na ka shpenguar nga një fund kaq i tmerrshëm.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin