spurgeon dev 16 am
Tetor 2023

Jezusi u tha atyre: “Ejani dhe hani mëngjes”.

Gjoni 21:12

Këto fjalë e ftojnë besimtarin në një intimitet të shenjtë me Jezusin. “Ejani dhe hani” nënkupton tryezën e përbashkët, ushqimin e përbashkët, dhe mbase do të thotë që të ulesh krah për krah dhe madje të mbështetësh kokën mbi supin e Shpëtimtarit. Do të thotë të ftohesh në shtëpinë e gostive, mbi të cilën valëvitet bajraku i dashurisë shpenguese në shenjë mirëseardhjeje. 

Kjo ftesë na përcjell vizionin e bashkimit me Jezusin, sepse i vetmi ushqim nga i cili mund të hamë kur jemi në tryezë me Të, është Krishti Vetë. Oh, ç’bashkim i mahnitshëm është ky! Të ushqyerit tonë me Krishtin është një gjë kaq e thellë, saqë arsyeja nuk e ngërthen dot. Mendoji thellë fjalët e Tij: “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të” (Gjoni 6:56). 

Mirëpo, është gjithashtu një ftesë për të shijuar përbashkësinë me shenjtorët. Të krishterët mund të ndryshojnë paksa nga njëri-tjetri në një numër çështjesh, ama të gjithë kanë të njëjtin oreks frymëror; kështu që, edhe pse mund të mos i shohim të gjitha gjërat njëlloj, mund të ushqehemi njëlloj me Bukën e Jetës që ka zbritur nga qielli. Në tryezën e përbashkësisë me Jezusin jemi një bukë e një kupë e vetme. Ndërsa kupa e dashurisë kalon dorë më dorë, ne lidhemi besë a besë me njëri-tjetrin. Afroju Jezusit, dhe do të zbulosh se bëhesh gjithnjë e më i lidhur në frymë me të gjithë ata që janë si ti, të cilët mbahen gjallë nga e njëjta manë qiellore. Nëse do të qëndronim më pranë Jezusit, do të ishim më të afërt edhe me njëri-tjetrin.

Po ashtu, në këto fjalë dallojmë burimin e forcës së çdo të krishteri. Shikimi i ngulur te Jezusi të sjell në jetë; mirëpo, që të kesh fuqi për t’i shërbyer Atij, duhet të hash atë që siguron Ai. Shumë shpesh punojmë duke pasur ndjesi dobësish të panevojshme, për shkak se lëmë pas dore këtë urdhërim të Mësuesit tonë. Asnjë prej nesh nuk duhet të mbajë dietë; përkundrazi, duhet të majmemi me Ungjillin, me qëllim që të grumbullojmë forcën e nevojshme prej tij dhe ta vëmë të gjithë fuqinë tonë në shërbim të Mësuesit. Kështu, pra, nëse dëshironi të përjetoni afërsi me Jezusin, të bashkoheni me Të, ta doni popullin e Tij dhe të merrni fuqi nga Jezusi, “ejani dhe hani mëngjes” me Të përmes besimit.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>