Si filloi të fundoset, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”.
Mateu 14:30
Kohët e vështira janë kohë lutjeje për shërbëtorët e Zotit. Pjetri e shpërfilli lutjen në fillim të udhëtimit të tij të guximshëm, por kur filloi të fundosej, rreziku e ktheu në një lutës, dhe britma e tij, megjithëse me vonesë, nuk ishte edhe aq vonë sa të mos dëgjohej.
Në orën e dhimbjes fizike dhe të ankthit mendor, ne i drejtohemi Zotit në lutje po aq natyrshëm sa anijembyturi shtyhet në breg nga dallgët. Dhelpra rend në strofkën e saj për mbrojtje, zogu fluturon drejt pyllit për të gjetur strehë, dhe aq më tepër besimtari i sprovuar nxiton drejt fronit të hirit për siguri. Limani i madh qiellor i përdëllimit është lutja dhe vetëm lutja. Mijëra anije të goditura nga stuhia kanë gjetur strehë në atë liman, dhe atëherë kur një stuhi ngrihet, bëjmë mirë të lundrojmë sa më shpejt që mundemi drejt tij.
Lutjet e shkurtra janë aq të gjata sa duhet. Përgjërimi që i doli Pjetrit nga shpirti nuk përmbante më shumë se tri fjalë, por ato ishin të mjaftueshme për qëllimin e tij. Nuk kërkohet gjatësi, por fuqi. Ndjenja e nevojës është një mësues i shkëlqyer shkurtësie. Nëse lutjet tona do të kishin më pak pendë bishti krenarie dhe krahë më të gjatë, ato do të ishin më të efektshme. Për lutjen, lumi i fjalëve është ashtu si byku për grurin. Gjërat e çmuara vijnë me pako të vogla, dhe ndodh që pjesa e përgjërimit të vërtetë brenda një lutjeje të stërzgjatur mund të ishte shprehur me një kërkesë po aq të shkurtër sa edhe ajo e Pjetrit.
Momentet tona më të vështira janë mundësi shumë të mira për Zotin. Një ndjesi e mprehtë e rrezikut na shtyn që të lëshojmë një britmë përgjëruese, e cila mbërrin në veshin e Jezusit. Veshi dhe zemra e Tij shkojnë krah për krah, dhe dora e Tij nuk vonon që të shtrihet drejt nesh. Atëherë kur gjërat s’mbajnë më, i drejtohemi Mjeshtrit tonë, por Ai me të shpejtë i mbulon vonesat tona me veprime të shpejta dhe të efektshme. A mos jemi vallë gati duke u mbytur në ujërat e egërsuar të vuajtjes? Atëherë, le t’i ngremë shpirtrat drejt Shpëtimtarit tonë, duke qenë të sigurt se nuk do të na lërë të humbasim! Kur ne nuk mund të bëjmë dot asgjë, Jezusi mund të bëjë gjithçka. Le ta kërkojmë ndihmën e Tij të fuqishme dhe çdo gjë do të shkojë mirë!
© dritez.al 2024