...dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.
Zanafilla 8:9
I lodhur nga endjet e veta, pëllumbi u kthye më në fund tek arka, e cila ishte i vetmi vend ku ai mund të pushonte. Sa të rëndë që i ka krahët në fluturim—për pak sa nuk bie—duket se nuk do ta arrijë kurrë arkën! Mirëpo, ai nuk ndalet dhe çan përpara.
Noeu i ka mbajtur sytë të ngulur drejt qiellit gjithë ditën, duke e pritur pëllumbin e tij, dhe është gati ta kapë atë sapo të vijë. Pëllumbit i ka mbetur vetëm aq fuqi sa për të arritur skajin e arkës; nuk ka më forca as për të zbritur në të, dhe është gati për të rënë nga çasti në çast, por Noeu e shtrin dorën dhe e tërheq drejt vetes.
Lexoje mirë këtë: “e tërhoqi brenda arkës”. Pëllumbi nuk fluturoi dot deri te Noeu, sepse mbase ishte shumë i frikësuar apo shumë i lodhur. Fluturoi deri aty ku mundi dhe pastaj, Noeu e zgjati dorën dhe e tërhoqi brenda në arkë.
Pëllumbit endacak iu tregua kjo vepër mëshire dhe ai nuk u qortua për endjet e tij të gjata. Në atë gjendje që ishte, pëllumbi u tërhoq brenda arkës.
Kështu do të pritesh edhe ti, mëkatar endacak, ti me gjithë mëkatin tënd. “Vetëm kthehu”, këto janë dy fjalët plot hir të Perëndisë, “vetëm kthehu”.
Çfarë?! Nuk duhet asgjë tjetër?! Jo; “vetëm kthehu”! Këtë herë, pëllumbi nuk kishte një degë ulliri në sqepin e vet, nuk kishte asgjë tjetër veç vetes dhe endjeve të tij; por atij i kërkohet që “vetëm të kthehet” dhe ai kthehet, dhe Noeu e tërheq në arkë.
Fluturo, o endacak, o pëllumb i lodhur; fluturo, pëllumb, ashtu siç je! Megjithëse të duket vetja i zi si korbi nga zgjyra e mëkatit, kthehu te Shpëtimtari! Çdo çast që vonohesh, nuk bën gjë tjetër veçse e shton mjerimin tënd; përpjekjet e tua për t’u pastruar dhe për t’u bërë i denjë për Jezusin janë kotësi e kotësive. Eja tek Ai ashtu siç je! Nëse je duke vrapuar dhe je duke iu fshehur Perëndisë, atëherë kthehu si një zemërpërdalë me të gjitha zemërpërdaljet e e tua!
Kthehu, kthehu, kthehu! Jezusi po të pret! Ai do ta shtrijë dorën dhe do të tërheqë brenda—brenda Tij, në shtëpinë e vërtetë të zemrës sate.
© dritez.al 2024