dhjetor 11

Dhjetor 2022


Mendoj se Hebrenjve 2:14-15 është teksti im i parapëlqyer për Adventin, sepse nuk njoh asnjë tekst tjetër që e shpreh kaq qartë lidhjen mes fillimit dhe fundit të jetës tokësore të Jezusit–mes mishërimit dhe kryqëzimit. Këto dy vargje e bëjnë të qartë arsyen pse Jezusi erdhi për të vdekur këtu në tokë. Ato mund të përdoren shumë mirë me një mik apo familjar që nuk beson, për t’i udhëhequr hap pas hapi në pikëpamjen tënde të krishterë për Krishtlindjen. Biseda mund të bëhet frazë pas fraze:

“Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku…”

Termi “bijtë” vjen nga vargu pararendës (Hebrenjve 2:13) dhe i referohet pasardhësve frymërorë të Krishtit, Mesias (shih Isaia 8:18; 53:10). Këta janë gjithashtu “bijtë e Perëndisë” (Gjoni 1:12). Me fjalë të tjera, me dërgimin e Krishtit, Perëndia ka për qëllim veçanërisht shpëtimin e “bijve” të Tij.

Është e vërtetë që “Perëndia e deshi aq botën sa dha [Jezusin]” (Gjoni 3:16), por është gjithashtu e vërtetë që Perëndia po mblidhte veçanërisht “bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë” (Gjoni 11:52). Plani i Perëndisë ishte t’i ofronte botës Krishtin dhe të shkaktonte shpëtimin e bijve të Tij (shih 1 e Timoteut 4:10). Duke pranuar Krishtin, mund të përjetosh birësimin nga Perëndia (Gjoni 1:12):

“...po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra [mish dhe gjak]...”

Kjo do të thotë se Krishti ekzistonte para mishërimit. Ai ishte frymë, Ai ishte Fjala e përjetshme, Ai ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi (Gjoni 1:1; Kolosianëve 2:9). Prapëseprapë, Ai mori mish dhe gjak, dhe kështu e veshi hyjninë e Tij me natyrë njerëzore. Ai u bë plotësisht njeri dhe mbeti plotësisht Perëndi. Ky është një mister i madh në shumë mënyra, por kjo e vërtetë qëndron në zemër të besimit tonë dhe Bibla këtë na mëson.

“...që...me anë të vdekjes…”

Arsyeja pse Krishti u bë njeri, ishte që të vdiste. Si Perëndi, thjesht dhe qartë, Ai nuk mund të vdiste dot për mëkatarët, por si njeri mund ta bënte. Synimi i Tij ishte të vdiste, prandaj duhej të lindte si njeri. Ai lindi për të vdekur. E premtja e mirë është arsyeja e Krishtlindjes. Ja çfarë kanë nevojë të dëgjojnë shumica e njerëzve sot për kuptimin e Krishtlindjes.

“...që të shkatërronte... atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin…”

Duke vdekur, Krishti e çarmatosi djallin. Si e bëri Ai këtë? Duke i mbuluar të gjitha mëkatet tona. Kjo do të thotë se Satani nuk ka asnjë bazë ligjore për të na akuzuar para Perëndisë. “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është Ai që i drejtëson.” (Romakëve 8:33)–mbi çfarë baze i drejtëson? Përmes gjakut të Jezusit (Romakëve 5:9).

Arma përfundimtare e Satanit kundër nesh është vetë mëkati ynë. Nëse vdekja e Krishtit e heq mëkatin, djallit i hiqet nga duart arma e tij kryesore–e vetmja armë vdekjeprurëse që ai ka. Ai nuk mund të na akuzojë për të na dënuar me vdekje, për shkak se Gjykatësi na ka shfajësuar përmes vdekjes së Birit të Tij!

“...edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.”

Ne, pra, jemi të lirë nga frika e vdekjes. Perëndia na ka drejtësuar. Satani nuk mund ta shfuqizojë dot atë dekret. Perëndia ka për qëllim që siguria jonë përfundimtare të ketë një efekt të menjëhershëm në jetën tonë. Ai ka për qëllim që fundi i lumtur të heqë qafe skllavërinë dhe frikën tonë të tanishme.

Nëse nuk kemi pse të kemi frikë nga vdekja, armiku ynë i fundit dhe më i madh, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga asnjë gjë. Ne mund të jemi të lirë, të lirë për t’u gëzuar, të lirë për të tjerët.

Çfarë dhurate të madhe Krishtlindjeje na ka dhënë Perëndia! Çfarë dhurate të madhe që ne mund t’i japim botës!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia