dhjetor 10

Dhjetor 2022


Perëndia nuk shërbehet prej duarve të njerëzve sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë (Veprat 17:25). Dhuratat e dijetarëve nuk iu dhanë Jezusit për ta ndihmuar apo për t’ia plotësuar nevojat. Ishte çnderuese për një monark që vizitorë të huaj t’i sillnin pako me dhurata mbretërore.

Këto dhurata nuk ishin as formë ryshfeti. Ligji i Përtërirë 10:17 thotë se Perëndia nuk merr ryshfete. Epo, çfarë kuptimi kanë ato vallë? Si na qenkan adhurim?

Dhuratat që u jepen njerëzve të pasur dhe që kanë mjaftueshëm, tregojnë një jehonë dhe intensifikim të dëshirës së dhuruesit për të treguar sa i mrekullueshëm është personi, të cilit po i dhurohen këto dhurata. Në njëfarë kuptimi, t’i japësh dhurata Krishtit është si agjërimi–të privosh veten nga diçka për të treguar se Krishti është më i vlefshëm nga ajo që po e privon veten.

Kur i jep një dhuratë Krishtit, është si t’i thuash: “Gëzimi që po kërkoj (Mateu 2:10 thotë: ‘Por, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh’), nuk është shpresa që të bëhem i pasur duke shkëmbyer dhurata me Ty apo duke biseduar për ndonjë pagesë. Nuk kam ardhur tek Ti për gjërat e Tua, por për Ty. Këtë dëshirë po e intensifikoj dhe po e demonstroj duke dorëzuar gjëra, me shpresën që do të kënaqem më tepër me Ty. Duke të dhënë Ty atë për të cilën nuk ke nevojë, por me të cilën mund të kënaqem, po them me më tepër vërtetësi dhe dëshirë: ‘Ti je thesari im dhe jo këto gjëra.’”

Mendoj se kjo është ajo çfarë do të thotë ta adhurosh Perëndinë me dhurata ari, livande dhe mirre. Apo me çfarëdolloj gjëje tjetër që mund të mendojmë t’i japim Perëndisë.

Perëndia zgjoftë brenda nesh një dëshirë për vetë Krishtin dhe thënçim edhe ne nga zemra: “Zot Jezus, Ti je Mesia, Mbreti i Izraelit. Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të përulen para Teje. Perëndia vë në lëvizje gjithë botën, për t’u siguruar që të adhurohesh. Prandaj çfarëdolloj kundërshtimi që mund të has, me gëzim të jap autoritetin dhe dinjitetin Ty, dhe të sjell dhuratat e mia për të thënë se vetëm Ti mund ta kënaqësh zemrën time.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>