Nëntor 2020 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Jo më skllevër
Ne nuk jemi më nën ligjin e Dhiatës së Vjetër; por si besimtarë, ne karakterizohemi nga bindja ndaj Krishtit. Ne nuk jemi më të skllavëruar nën ligj, por jemi të çliruar për të nderuar Perëndinë me jetën tonë. Inkurajohu duke lexuar Shkrimet e mëposhtme me koment nga Bibla e Studimit ESV.
Ligji i Përtërirë 6:4-9
Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.
“Dëgjo, Izrael”; Ligji i Përtërirë 6:4 quhet ‘Shema’ nga fjala në hebraisht që do të thotë “Dëgjo”. “Zoti, Perëndia ynë, është Zoti i vetëm.” Vetëm Zoti është Perëndia i Izraelit, “i vetmi”. Është një deklaratë për ekskluzivitetin dhe jo për unitetin e brendshëm të Perëndisë. Kjo çështje ngrihet pas argumentit të kapitullit 4 dhe urdhërimit të parë. Ndërkohë që Ligji i Përtërirë nuk debaton teorikisht për monoteizmin, ai i kërkon Izraelit të shqyrtojë një monoteizëm praktik (Ligji i Përtërirë 4:35). Kjo qëndron në kontrast të theksuar me kanaaneasit politeistë.
“Gjithë.” Fakti që vetëm Zoti është Perëndi i Izraelit çon në kërkesën e një përkushtimi të plotë dhe ekskluziv të Izraelit ndaj Tij. “Zemër...shpirt...forcën.” Të gjithë izraelitët, me gjithë qenien e tyre, duhet ta duan Zotin; “ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27, Jezusi përfshin gjithashtu edhe “mendjen”. Në hebraishten e vjetër, “zemra” përfshinte atë që ne e quajmë “mendje”. “Forca” nënkupton energji dhe aftësi.
“Në zemrën tënde.” Kërkesa është për një zemër që e do plotësisht Zotin. Ligji i Përtërirë paraprin besëlidhjen e re, kur fjalët e Perëndisë do të shkruhen vërtet dhe efektivisht në zemër (Jeremia 31:31-34; gjithashtu Ligji i Përtërirë 5:6-8). Dy çiftet antonimike (“rri ulur/ecën, ke rënë në shtrat/çohesh”) japin idenë e çdo kohe, vendi dhe veprimtarie. “Do t’i lidhësh...do t’i shkruash”. Shumë judenj i kanë përmbushur këto urdhërime në kuptimin e parë, duke vendosur filaktere* (Ligji i Përtërirë 6:8), dhe mezuza* (Ligji i Përtërirë 6:9), d.m.th., kuti që lidhen në krahë ose mbi ballë, ose të vendosura në shtalkat e dyerve, të cilat përmbajnë Ligjin e Përtërirë 6:4-5 dhe vargje të tjera nga Shkrimet.
*filakter (anglisht “phylactery”) është një kuti e vogël prej lëkure me tekste hebraisht, që mbahet e lidhur në kokë nga burrat izraelitë gjatë lutjes së mëngjesit, si kujtesë e ligjit. (shën. i redaktorit)
*mezuza-t janë pergamena ose stoli me vargje biblike, që ngjiten në dyert izraelite. (shën. i redaktorit)
Psalmi 1:1-2
Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve,
që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve
dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
por gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit
dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
“Lum.” Njeriu vërtet i lumtur është i lumtur, sepse Perëndia e ka mbushur me hirin e Tij. Jezusi përdor fjalën e barasvlershme greke te Mateu 5:3-11; krahaso gjithashtu te Jakobi 1:12. Përkthimi latin, ‘beatus’, është fjala rrënjë për lumturitë. “Njeriu”, do të thotë një individ specifik i perëndishëm (hebraisht ‘ha’ish’, ‘njeriu’), i cili mbahet si një shembull që të tjerët duhet ta imitojnë. Mësimi përmes një shembulli konkret është shumë i zakonshëm në letërsinë e mençur të Dhiatës së Vjetër. “Të pabesëve...mëkatarëve...tallësit”, janë njerëz, edhe brenda Izraelit, që nuk pranojnë të jetojnë sipas besëlidhjes; njeriu i perëndishëm nuk pranon të ndjekë orientimin moral të stilit të jetesës së këtyre njerëzve. Disa kanë parë një rritje të nivelit të mëkateve në lidhje me “të pabesët-mëkatarët-tallësit”, së bashku me një besnikëri të shtuar në metaforat “ecën-ndalet-ulet”. Megjithatë, me shumë mundësi, termat “i pabesë” dhe “mëkatar” janë ekuivalente të njëra-tjetrës, ndërsa një “tallës” është me shumë mundësi më i përkushtuar ndaj së keqes.
“Ligjin e Zotit”, mund të merret si udhëzimi i Perëndisë (hebraisht ‘Torah’, që shpesh përfaqëson Ligjin e Moisiut), veçanërisht teksa Ai flet në besëlidhjen e Tij. Për këtë arsye, askush nuk duhet të mendojë se ky njeri e merr bekimin, sepse e meriton, duke qenë se besëlidhja bazohet në hirin e Perëndisë. “Mendon” përshkruan një meditim aktiv, ndoshta edhe duke i pëshpëritur vetes, me qëllim depërtimin e brendshëm. Disa mendojnë se fjalët “ditë e natë” nënkuptojnë punën e studiuesve profesionalë, që kalojnë gjithë kohën e tyre duke medituar rreth fjalëve të ligjit. Mirëpo, bazuar në udhëzimin e ngjashëm te Jozueu 1:8, lexuesit duhet ta shohin këtë si vendosja e një ideali për t’u përballur me çdo situatë, që të bëhet pjesë e jona, me qëllim për të kënaqur Zotin duke njohur dhe ndjekur fjalën e Tij.
Jakobi 1:22-25
Por bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse, nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e vështron fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e vështron veten dhe ikën dhe menjëherë harron si qe. Ndërsa ai që do të përkulet për të parë në ligjin e përsosur të lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lum në veprimtarinë e vet.
Dëgjimi i fjalës, pa qenë bërës është vetëmashtrim, ndërsa dëgjimi që çon në veprim është bekim. Të qenët “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” është e vetmja përgjigje e duhur ndaj fjalës së Perëndisë (jo vetëm ndaj ungjillit, por ndaj tërësisë së Shkrimit), duke e lejuar kështu që të zërë rrënjë në jetën tonë (Jakobi 1:21).
“Njeriu që e vështron fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë” dhe pastaj e harron se si ishte, nënkupton marrëzinë e të shqyrtuarit të vetes në “pasqyrën” e Perëndisë të “fjalës së mbjellë” (Jakobi 1:21) dhe të mos bërit asgjë për atë që ka parë (Jakobi 1:22). Kur dikush sheh papërsosuri (siç ndodh kur shihemi në pasqyrë), është e logjikshme të bëjë diçka për atë që ka parë.
Mateu 7:24-27
“Kushdo, pra, që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i bën, do ta krahasoj me një njeri të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë e vet mbi shkëmb. Dhe ra shiu, dhe erdhën lumenjtë, e frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; dhe nuk ra, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Dhe kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe nuk i bën, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e vet mbi rërë. Dhe ra shiu, dhe erdhën lumenjtë, e frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo ra, dhe rënia e saj qe e madhe.”
“I dëgjon këto fjalë të mia dhe i bën.” Predikimi në Mal mbyllet me një shëmbëlltyrë, me të cilën Jezusi u bën thirrje dëgjuesve të zgjedhin midis Tij dhe institucionit fetar, duke vendosur kështu një vijë ndarëse midis Vetë Jezusit dhe çdo themeli tjetër për jetën. Nëse dikush është vërtet një besimtar, prova për këtë është nëse ai i “bën” fjalët e Jezusit (shih Jakobi 1:22-23 dhe 2:20-22). “Njeri të mençur.” Dishepujt që e ndërtojnë jetën e tyre në shkëmbin, që është Jezusi, dhe në mesazhin e Tij për mbretërinë e qiellit janë vërtet të mençur, pavarësisht ndryshimit të zakoneve kulturore apo fetare.
Efesianëve 6:1
Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.
“Fëmijë.” Një marrëdhënie familjare që ilustron nënshtrimin ndaj autoritetit (Efesianëve 6:21) është ajo midis fëmijëve dhe prindërve. Ligji i Moisiut paraqet vdekje për fëmijën që vret apo mallkon prindin (Eksodi 21:15,17; Levitiku 20:9), dhe Pali e liston një mosbindje të tillë si një prej mëkateve të rënda (Romakëve 1:30; 2 e Timoteut 3:2). Megjithatë, Pali thekson tek Efesianëve 6:1-3 detyrën pozitive të fëmijëve për t’iu bindur “prindërve” të tyre. Duhet t’u bindesh të dy prindërve; nënshtrimi i nënës ndaj babait nuk ia heq dinjitetin e saj prindëror, në fakt e rrit atë. “Në Zotin” plotëson foljen “bindjuni”. “E drejtë”, ajo që e bën të “drejtë” këtë bindje është se përmbush urdhërimin e shenjtë të Perëndisë, që citohet tek Efesianëve 6:2-3.
“Ndero.” Bindja e fëmijëve ndaj prindërve (Efesianëve 6:1) është pjesërisht mënyra si ata i nderojnë prindërit; shih gjithashtu Fjalët e Urta 31:28, që përshkruan fëmijët, të cilët ngrihen për të bekuar një nënë të mençur dhe të perëndishme. “Premtim.” Ka pasur urdhërime të mëparshme të Perëndisë që kanë qenë të shoqëruara me premtime (p.sh., Zanafilla 17:1-2), por ky është i pari dhe i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet që përmban një premtim (shih gjithashtu Eksodi 20:12). Në besëlidhjen e re, premtimi i “dheut” nuk është një tokë fizike, por jetë e përjetshme, e cila nis kur ripërtërihemi këtu dhe përmbushet plotësisht në kohën që presim të vijë. Pali nuk po mëson shpëtimin sipas veprave. Bindja e fëmijëve është prova që ata e njohin Perëndinë dhe rezultati i saj është marrja e bekimit nga Perëndia.
Gjoni 15:10-14
Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhërimi im: që ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. Askush s’ka dashuri më të madhe se kjo, që të japë dikush jetën e vet për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni çfarëdo që unë ju urdhëroj.
Bindja nuk duhet barazuar me veprimet e bëra me angari; bindja ka të bëjë me gëzimin. Profetët e Dhiatës së Vjetër parashikuan një periudhë të gëzimit të kohëve të fundit (p.sh., Isaia 25:9; Isaia 35:10; Isaia 51:3; Isaia 61:10; Isaia 66:10; Sofonia 3:14-17; Zakaria 9:9). Perëndia paralajmëroi gjykim, nëse populli i Tij nuk do t’i shërbente me “gëzim dhe hare në zemër” (Ligji i Përtërirë 28:47-48). “Që gëzimi im të qëndrojë në ju.” Ashtu si Jezusi kishte gëzim të madh kur i bindej Atit edhe midis kundërshtimeve, po kështu edhe të krishterët do të gjejnë gëzim në bindje.
“Ju jeni miqtë e mi” nënkupton një nivel shumë të lartë ndërveprimi personal me Atë që është gjithashtu Krijuesi i përjetshëm e i plotfuqishëm i universit (shih Gjoni 1:1-3, 10). Në Dhiatën e Vjetër, vetëm Abrahami (2 e Kronikave 20:7; Isaia 41:8) dhe, me nënkuptim, e Moisiu (Eksodi 33:11) janë quajtur “miq të Perëndisë”. Këtu, Jezusi e shtrin këtë privilegj për të gjithë besimtarët e bindur.
Romakëve 2:6-11
Që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: atyre që kërkojnë me durim në vepra të mira lavdi, nder e pavdekësi, do t’u japë jetë të përjetshme, por atyre, që grinden e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që vepron të ligën, judeut më parë e pastaj grekut; por lavdi, nder e paqe cilitdo që vepron të mirën, judeut më parë e pastaj grekut. Sepse te Perëndia nuk ka anësi.
Pali parashtron parimin se gjykimi është “sipas veprave”. Struktura e këtij pasazhi është e qartë. Romakëve 2:6 shpall parimin. Romakëve 2:7-10 e shpjegon në mënyrë më specifike përmes një strukture ABBA (një kiazëm*). Romakëve 2:11 shpjegon përse Perëndia gjykon sipas veprave (sepse Ai është i paanshëm). Kur Pali flet për ata që do të shpërblehen, sepse kanë bërë vepra të mira (Romakëve 2:7, 10), a po flet ai në mënyrë hipotetike, apo po flet për bindje të vërtetë? Pikëpamja hipotetike përshtatet me temën e pjesës në tërësi (Romakëve 1:18-3:20), ku të gjithë dënohen për mëkatin dhe drejtësia nuk vjen prej veprave të ligjit. Megjithatë, me shumë mundësi, Pali këtu po flet për një bindje të vërtetë që do të shpërblehet në ditën e fundit. Një bindje e tillë është rezultati i punës së Frymës së Shenjtë, siç edhe Pali e shpjegon në përmbyllje të këtij kapitulli (Romakëve 2:26-29). Paanshmëria në gjykim (Romakëve 2:11), është një kërkesë e përhershme në Dhiatën e Vjetër (shih Ligji i Përtërirë 1:17;16:18-20), ku reflektohet drejtësia e gjykimit të Perëndisë (Ligji i Përtërirë 10:17).
*kiazëm: një radhë elementesh të një fjalie, vargu, paragrafi apo libri, të cilat përsëriten dhe zhvillohen, por në rendin e kundërt. P.sh., Jezusi tha: “E shtuna është bërë për njeriun, dhe jo njeriu për të shtunën.” (Shën. i redaktorit)
Zanafilla 22:17-18
“Unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhjen tënde si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe pasardhja jote do të zotërojë portat e armiqve të vet. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhja jote, sepse ti iu binde zërit tim.”
Betimi hyjnor në këto vargje nuk duhet anashkaluar, sepse është pika kulmore e procesit që nisi me premtimin e kushtëzuar që Perëndia i bëri Abrahamit te Zanafilla 12:1-3. “Unë betohem për veten time.” Fakti që Perëndia betohet për veten e Vet, bën që këto fjalë të kenë një autoritet të veçantë, duke e siguruar Abrahamin se vërtet do të përmbushen (shih Hebrenjve 6:13-18). Betimi ndahet në dy pjesë: ku gjysma e parë përqendrohet në pasardhjen e shumtë të Abrahamit dhe pjesa e dytë përqendrohet në një pasardhës të vetëm që do të mposhtë “portat e armiqve të vet” (Zanafilla 22:17) dhe do të ndërmjetësojë bekime për “tërë kombet” (Zanafilla 22:18). Edhe pse gjysma e dytë e betimit mendohet se i referohet shpesh të gjithë pasardhësve të Abrahamit, Zanafilla kërkon në tërësi të shënojë një vijë të vetme unike të pasardhjes që do të sjellë më pas një Mbret të veçantë, i cili do të sundojë mbi johebrenjtë, dhe referenca e “armiqve të vet” çon në këtë drejtim. Për këtë arsye, Pali (Galatasve 3:16) thekson pasardhësin, që është “Krishti” (p.sh., Mesia; Zanafilla 3:15; 24:60, për “pasardhjen” si një pasardhës i vetëm). Kjo gjithashtu shpjegon përse Isaku ndahet veçmas Ismaelit si trashëgimtar i tij. Marrë nga perspektiva e gjithë Biblës, ky betim i bërë Abrahamit përmbushet në Jezu Krishtin (Veprat 3:25-26; Galatasve 3:16).
Fokusi kryesor i fjalëve të Perëndisë ndaj Abrahamit është në mënyrën si veprimet e Abrahamit janë shpërblim i besimit të tij (shih Romakëve 4:3, 22-23; Galatasve 3:6; Jakobi 2:23). Shumë shohin madje edhe një lidhje të Romakëve 8:32 me këtë varg.
Jozueu 1:7-8
Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.
Tri herë, Zoti i kërkon Jozueut të tregohet “i fortë dhe shumë trim”, fjalë që na kujtojnë delegimin e mëparshëm të Jozueut nga Moisiu (shih Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueut do t’i duhet forcë dhe kurajë për të marrë detyrën e tij (“ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin”; Jozueu 1:6); për t’iu bindur Torahut (“Libër i ligjit” [Jozueu 1:8]; me shumë mundësi, kjo do të përfshinte të paktën librin e Ligjit të Përtërirë ose pjesë të tij [shih Ligji i Përtërirë 31:26, “ky ligj”]); dhe ai nuk duhej të ‘tmerrohej’ (“mos ki frikë dhe mos u thyej”; Jozueu 1:9). Më e vështira nga të gjitha do të jetë detyra e dytë, pra, t’i bënte udhëzimet e Zotit (hebraisht, ‘Torah’) pjesë thelbësore të asaj që ai është dhe asaj që ai bën (Jozueu 1:8a), të meditonte vazhdimisht rreth tyre dhe t’i vinte ato në praktikë (Jozueu 1:8b). Megjithatë, thirrja e dytë theksohet përmes dy fjalëve të shkurtra: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim”. Duke marrë parasysh përgjegjësitë drejtuese të Jozueut, kjo kërkesë për të qenë i fortë dhe trim do të ishte dekurajuese po të mos shoqërohej me premtimet: “Do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5); dhe “ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9). Forcuar nga kjo siguri e prezencës shoqëruese të Perëndisë, Jozueu fuqizohet për të marrë mandatin e tij me guxim. Terminologjia hebraike e përdorur në këto fjali siguruese, nuk ka të bëjë me pasurinë apo suksesin njerëzor, por ka të bëjë vetëm me përmbushjen e një misioni dhe të vepruarit me mençuri në çdo rrethanë që paraqitet. Vetëm qëndron “pa u këshilluar me ZOTIN”, (Jozueu 9:14) i mungon kjo mençuri.
Romakëve 5:18-19
Sikundër, pra, me anë të shkeljes së njërit erdhi mbi gjithë njerëzit dënimi, ashtu edhe me anë të drejtësisë së njërit erdhi mbi gjithë njerëzit drejtësimi i jetës. Sepse, ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi, të shumtët do të bëhen të drejtë.
Pali krahason pasojat e veprës së Adamit dhe të Krishtit, duke shfaqur rolet e tyre vendimtare si kokat e besëlidhjes së njerëzve që përfaqësojnë. Pali mëson qartësisht “mëkatin fillestar”, faktin që të gjithë njerëzit kanë trashëguar natyrën mëkatare, për shkak të mëkatit të Adamit. Me shumë mundësi, Pali po mëson gjithashtu se të gjithë njerëzit janë në fakt mëkatarë para Perëndisë, për shkak të mëkatit të Adamit. “Të shumtët” (të gjithë njerëzit, përveç Krishtit) “vdiqën” përmes mëkatit të Adamit. Vdekja fillon me ndarje frymërore nga Perëndia dhe kulmon në vdekje fizike. Për ta krahasuar, Pali thekson bujarinë e hirit të Krishtit që i është dhuruar atyre që i përkasin Atij.
Përmes “shkeljes” së Adamit, si koka e besëlidhjes së njerëzimit, solli dënim dhe faj për të gjithë njerëzit. Në mënyrë të ngjashme, “me anë të drejtësisë së njërit” [Krishtit], (qoftë vdekja e Tij, apo jeta e Tij në bindje të plotë, përfshirë vdekjen) u jep drejtësi dhe jetë të gjithë atyre që u përkasin. “Mbi gjithë njerëzit.” Disa interpretues kanë shpallur universalizmin (idenë se të gjithë do të shpëtohen) bazuar në këto vargje. Mirëpo, Pali e qartëson në këtë kontekst, se vetëm ata që e “marrin” (Romakëve 5:17) dhuratën e Perëndisë i përkasin Krishtit (shih gjithashtu Romakëve 1:16-5:11, që tregon se vetëm ata që kanë besim, drejtësohen). Lidhëzat “ashtu si...ashtu edhe” tregojnë se fokusi i Palit nuk është te numri i njerëzve në secilin grup, por te metoda se si mëkati ose drejtësia tejçohet përmes përfaqësuesve.
Herën e parë “gjithë njerëzit” i referohet të gjithë atyre që janë në Adamin (çdo qenie njerëzore), ndërsa “gjithë njerëzit” herën e dytë i referohet të gjithë besimtarëve, të gjithë atyre që janë “në Krishtin”.
Për shkak të mosbindjes së Adamit, të gjithë njerëzit “u bënë” (greqisht kathistemi, “bëhet shkas për të qenë”) “mëkatarë”. Megjithatë, kur Adami, si përfaqësues i njerëzimit, mëkatoi, Perëndia e konsideroi mëkatare të gjithë racën njerëzore, si fajtore për mëkat, duke ia vënë kështu gjithkujt fajin e Adamit. Me pak fjalë, Perëndia konsideroi se faji i Adamit i përkiste gjithë njerëzimit, duke deklaruar se faji i Adamit i përket në fakt të gjithëve. Prandaj, të gjithë janë mëkatarë dhe kanë lindur me një natyrë mëkatare që bazohet në shkeljen e Adamit.
Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-obedience/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024