Vargje kyce biblike per bindjen (bindja)

Nëntor 2020                                        Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jo më skllevër

Ne nuk jemi më nën ligjin e Dhiatës së Vjetër; por si besimtarë ne karakterizohemi nga bindja ndaj Krishtit. Ne nuk jemi më të skllavëruar nën ligj, por jemi çliruar për të nderuar Perëndinë me jetën tonë. Inkurajohu duke lexuar Shkrimet e mëposhtme me koment nga Bibla e Studimit ESV.

Ligji i Përtërirë 6:4-9

Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t'i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t'i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.

Ligji i Përtërirë 6:4 quhet Shema nga fjala në hebraisht që do të thotë “Dëgjo”. Vetëm Zoti është Perëndi i Izraelit, “i vetmi.” Është një deklaratë për ekskluzivitetin dhe jo për unitetin e brendshëm të Perëndisë. Kjo çështje ngrihet pas argumentit të kapitullit 4 dhe urdhërimit të parë. Ndërkohë që Ligji i Përtërirë nuk debaton teorikisht për monoteizmin, ai i kërkon Izraelit të shqyrtojë një monoteizëm praktik (Ligji i Përtërirë 4:35). Kjo qëndron në kontrast të theksuar me kananeasit politeistë.

Fakti që vetëm Zoti është Perëndi i Izraelit çon në kërkesën e një përkushtimi të plotë dhe ekskluziv të Izraelit ndaj Tij. “Zemër…shpirt…forcë.” Të gjithë Izraelitët, me gjithë qenien e tyre, duhet ta duan Zotin; “ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27 Jezusi përfshin gjithashtu edhe “mendjen”. Në hebraishten e vjetër, “zemra” përfshinte atë që ne e quajmë “mendje”. “Forca” nënkupton energji dhe aftësi.
“Në zemrën tënde.” Kërkesa është për një zemër që e do plotësisht Zotin.

Ligji i Përtërirë paraprin besëlidhjen e re, kur fjalët e Perëndisë do të shkruhen vërtetë dhe efektivisht në zemër (Jeremia 31:31-34; gjithashtu Ligji i Përtërirë 5:6-8). Dy çiftet antonimike (ulesh/ngrihesh, bie në shtrat/çohesh) japin idenë e çdo kohe, vendi dhe veprimtarie. Do t’i lidhësh…do t’i shkruash. Shumë judenj i kanë përmbushur këto urdhërime në kuptimin e parë, duke vendosur filaktere* (Ligji i Përtërirë 6:8) dhe mezuza* (Ligji i Përtërirë 6:9), dmth., kuti që lidhen në krahë ose mbi ballë ose të vendosura në shtalkat e dyerve, të cilat përmbajnë Ligjin e Përtërirë 6:4-5 dhe vargje të tjera nga Shkrimet.

*filakter (anglisht “phylactery”) është një kuti e vogël prej lëkure me tekste hebraisht që mbahet e lidhur në kokë nga burrat izraelitë gjatë lutjes së mëngjesit, si kujtesë e ligjit. (shën. i redaktorit)

*mezuza janë pergamena ose stoli me vargjet biblike, që ngjiten në dyert izraelite. (shën. i redaktorit)

Psalmi 1:1-2

Lum njeriu
që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve,
që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve
dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit,
dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Njeriu vërtetë i lumtur është i lumtur, sepse Perëndia e ka mbushur me hirin e Tij. Jezusi përdor fjalën e barasvlershme greke te Mateu 5:3-11; gjithashtu te Jakobi 1:12. Përkthimi latin, beatus, është fjala rrënjë për lumturitë. “njeriu” do të thotë një individ specifik i perëndishëm (hebraisht ha’ish “njeriu”), që mbahet si një shembull që të tjerët duhet të imitojnë.

Mësimi përmes një shembulli konkret është shumë i zakonshëm në letërsinë e mençur të Dhiatës së Vjetër. “të pabesëve…mëkatarëve… tallësit” janë njerëz, edhe brenda Izraelit, që nuk pranojnë të jetojnë sipas besëlidhjes; njeriu i perëndishëm nuk pranon të ndjekë orientimin moral të stilit të jetesës të këtyre njerëzve. Disa kanë parë një rritje të nivelit të mëkateve në lidhje me “të pabesët - mëkatarët - tallësit,” së bashku me besnikëri të shtuar në metaforat “ecën - ndalet - ulet”; megjithatë, me shumë mundësi termat “i pabesë” dhe “mëkatar” janë ekuivalente të njëra-tjetrës, ndërsa një “tallës” është me shumë mundësi më i përkushtuar ndaj të keqes (shih shënimin për Fjalët e Urta 19:25-20:1).

“Ligji i Zotit” mund të merret si udhëzimi i Perëndisë (hebraisht Torah, që shpesh përfaqëson Ligjin e Moisiut), veçanërisht ndërsa Ai flet në besëlidhjen e Tij. Për këtë arsye askush nuk duhet të mendojë se ky njeri e merr bekimin, sepse e meriton, duke qenë se besëlidhja bazohet në hirin e Perëndisë.

“Mendon” përshkruan një meditim aktiv, ndoshta edhe duke i përshpëritur vetes me qëllim depërtimin e brendshëm. Disa mendojnë se fjalët ditë e natë nënkuptojnë punën e studiuesve profesional, që kalojnë gjithë kohën e tyre duke medituar rreth fjalëve të ligjit, por bazuar në udhëzimin e ngjashëm te Jozueu 1:8, lexuesit duhet ta shohin këtë si vendosja e një ideali për t’u përballur me çdo situatë, që të bëhet pjesë e jona, me qëllim për të kënaqur Zotin duke njohur dhe ndjekur fjalën e Tij.

Jakobi 1:22-25

Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte. Ndërsa ai që do të shikojë me vëmendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.

Dëgjimi i fjalës pa qenë bërës është vetëmashtrim, ndërsa dëgjimi që çon në veprim është bekim. Të qenët bërës të fjalës dhe jo thjesht dëgjues është e vetmja përgjigje e duhur ndaj fjalës së Perëndisë (jo vetëm ndaj ungjillit por ndaj tërësisë së Shkrimit), duke e lejuar kështu që të zërë rrënjë në jetën tonë.

Njeriu shikon fytyrën e tij natyrale në pasqyrë dhe pastaj harron si ishte, nënkupton marrëzinë e të shqyrtuarit të vetes në “pasqyrën” e “fjalës së mbjellë” (Jakobi 1:21) dhe të mos bërit asgjë për atë që ke parë (Jakobi 1:22).  Kur dikush sheh papërsosmëri (siç ndodh kur shihemi në pasqyrë), është e logjikshme të bëjë diçka për atë që ka parë.

Mateu 7:24-27

Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.''

Predikimi në mal mbyllet me një shëmbëlltyrë, me të cilën Jezusi u bën thirrje dëgjuesve të Tij të zgjedhin midis Jezusit dhe institucionit fetar, duke vendosur kështu një vijë ndarëse midis Vetë Jezusit dhe çdo themeli tjetër për jetën. Nëse dikush është vërtetë një besimtar, prova për këtë është nëse ai zbaton fjalët e Jezusit (shih Jakobi 1:22-23 dhe 2:20-22 dhe shënimet për këto vargje). Dishepujt që e ndërtojnë jetën e tyre në shkëmbin, që është Jezusi, dhe në mesazhin e Tij për mbretërinë e qiellit janë vërtetë të mençur, pavarësisht ndryshimit të zakoneve kulturore apo fetare.

Efesianëve 6:1

Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

Një marrëdhënie familjare që ilustron nënshtrimin ndaj autoritetit (Efesianëve 6:21) është ajo midis fëmijëve dhe prindërve. Ligji i Moisiut paraqet vdekje për fëmijën që vret apo mallkon prindin (Eksodi 21:15,17; Levitiku 20:9), dhe Pali e liston një mosbindje të tillë si një prej mëkateve të rënda (Romakëve 1:30; 2 e Timoteut 3:2).

Megjithatë, Pali thekson tek Efesianëve 6:1-3 detyrën pozitive të fëmijëve për t’iu bindur prindërve të tyre. Duhet t`u bindesh të dy prindërve; nënshtrimi i nënës ndaj babait nuk ia heq dinjitetin e saj prindëror, në fakt e rrit atë. “Në Zotin” plotëson foljen “binduni.” “E drejtë”, ajo që e bën të “drejtë” këtë bindje është se përmbush urdhërimin e shenjtë të Perëndisë, që citohet tek Efesianëve 6:2-3.

Bindja e fëmijëve ndaj prindërve (Efesianëve 6:1) është pjesërisht mënyra si ata i nderojnë prindërit; shih gjithashtu Fjalët e Urta 31:28, që përshkruan fëmijët që ngrihen për të bekuar një nënë të mençur dhe të perëndishme. Premtim. Ka pasur urdhërime të mëparshme të Perëndisë që kanë qenë të shoqëruara me premtime (p.sh., Zanafilla 17:1-2), por ky është i pari dhe i vetmi nga Dhjetë Urdhërimet që përmban një premtim (shih gjithashtu Eksodi 20:12).

Në besëlidhjen e re premtimi i tokës nuk është një tokë fizike por jetë e përjetshme, e cila nis kur ripërtërihemi këtu dhe përmbushet plotësisht në kohën që presim të vijë. Pali nuk po mëson shpëtimin sipas veprave. Bindja e fëmijëve është prova që ata e njohin Perëndinë dhe rezultati i saj është marrja e bekimit nga Perëndia.

Gjoni 15:10-14

Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve. Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

Bindja nuk duhet barazuar me veprimet e bëra me angari; bindja ka të bëjë me gëzimin. Profetët e Dhiatës së Vjetër parapanë një periudhë të gëzimit të kohëve të fundit (p.sh., Isaia 25:9; Isaia 35:10; Isaia 51:3; Isaia 61:10; Isaia 66:10; Sofonia 3:14-17; Zakaria 9:9). Perëndia paralajmëroi gjykim, nëse populli i Tij nuk do t’i shërbente me “gëzim dhe hare në zemër” (Ligji i Përtërirë 28:47-48). “Që gëzimi im të qëndrojë në ju.” Ashtu si Jezusi kishte gëzim të madh kur i bindej Atit edhe midis kundërshtimeve, po kështu edhe të krishterët do të gjejnë gëzim në bindje.

“Ju jeni miqtë e mi” nënkupton një nivel shumë të lartë të një ndërveprimi personal me Atë që është gjithashtu Krijuesi i përjetshëm e i plotfuqishëm i universit (shih Gjoni 1:1-3, 10). Në Dhiatën e Vjetër vetëm Abrahami (2 e Kronikave 20:7; Isaia 41:8) dhe, me nënkuptim, Moisiu (Eksodi 33:11) janë quajtur “miq të Perëndisë”. Këtu Jezusi e zgjeron këtë privilegj për të gjithë besimtarët e bindur.

Romakëve 2:6-11

Që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut; por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut. Sepse te Perëndia nuk ka anësi.

Pali parashtron parimin se gjykimi është në bazë të… veprave. Struktura e këtij pasazhi është e qartë. Romakëve 2:6 shpall parimin. Romakëve 2:7-10 e shpjegon më specifikisht përmes një strukture ABBA (një kiazëm*). Romakëve 2:11 shpjegon përse Perëndia gjykon sipas veprave (sepse Ai është i paanshëm). Kur Pali flet për ata që do të shpërblehen, sepse kanë bërë vepra të mira (Romakëve 2:7, 10), a po flet ai në mënyrë hipotetike apo po flet për bindje të vërtetë?

Pikëpamja hipotetike përshtatet me temën e pjesës në tërësi (Romakëve 1:18-3:20), ku të gjithë dënohen për mëkatin dhe drejtësia nuk vjen prej veprave të ligjit. Megjithatë me shumë mundësi Pali këtu po flet për një bindje të vërtetë që do të shpërblehet në ditën e fundit, një bindje e tillë është rezultati i punës së Frymës së Shenjtë, siç edhe Pali e shpjegon në përmbyllje të këtij kapitulli (Romakëve 2:26-29).

Paanshmëria në gjykim (Romakëve 2:11) është një kërkesë e përhershme në Dhiatën e Vjetër (shih Ligji i Përtërirë 1:17; 16:18-20), ku reflektohet drejtësia e Perëndisë në gjykim (Ligji i Përtërirë 10:17).

*kiazëm: një radhë elementesh të një fjalie, vargu, paragrafi apo libri, të cilat përsëriten dhe zhvillohen, por në rendin e kundërt. P.sh., Jezusi tha: “E shtuna është bërë për njeriun, dhe jo njeriu për të shtunën.” 

Zanafilla 22:17-18

Unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.
Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim.

Betimi hyjnor në këto vargje nuk duhet anashkaluar, sepse është pika kulmore e procesit që nisi me premtimin e kushtëzuar që Perëndia i bëri Abrahamit tek Zanafilla 12:1-3. Unë betohem për veten time. Fakti që Perëndia betohet për veten e Tij bën që këto fjalë të kenë një autoritet të veçantë, duke e siguruar Abrahamin se vërtetë do të përmbushen (shih Hebrenjve 6:13-18).

Betimi ndahet në dy pjesë: ku gjysma e parë përqendrohet në pasardhjen e shumtë të Abrahamit dhe pjesa e dytë përqendrohet në një pasardhës të vetëm që do të mposhtë armiqtë e Tij (Zanafilla 22:17) dhe do të ndërmjetësojë për bekime për të gjitha kombet (Zanafilla 22:18). Edhe pse gjysma e dytë e betimit mendohet shpesh se i referohet të gjithë pasardhësve të Abrahamit, Zanafilla në tërësi kërkon të shënojë një vijë të vetme unike të pasardhjes që do të sjellë më pas një Mbret të veçantë që do të sundojë mbi johebrenjtë, dhe referenca e “armiqve të tij” çon në këtë drejtim.

Për këtë arsye Pali (Galatasve 3:16) thekson pasardhësin, që është “Krishti” (p.sh., Mesia; Zanafilla 3:15; 24:60) për “pasardhjen” si një pasardhës i vetëm). Kjo gjithashtu shpjegon përse Isaku ndahet veçmas Ismaelit si trashëgimtar i tij. Marrë nga perspektiva e gjithë Biblës, ky betim i bërë Abrahamit përmbushet në Jezus Krishtin (Veprat 3:25-26; Galatasve 3:16).

Fokusi kryesor i fjalëve të Perëndisë ndaj Abrahamit është në mënyrën si veprimet e Abrahamit janë shpërblim i besimit të tij (shih Romakëv 4:3, 22-23; Galatasve 3:6; Jakobi 2:23). Shumë madje shohin edhe një lidhje të Romakëve 8:32 me këtë varg.

Jozueu 1:7-8

Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

Tri herë Zoti i kërkon Jozueut të jetë i fortë dhe trim, fjalë që na kujtojnë delegimin e mëparshëm të Jozueut nga Moisiu (shih Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueut do t’i duhet forcë dhe kurajo për të marrë detyrën e tij (ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin; Jozueu 1:6); për t’iu bindur Torah (Libri i Ligjit [Jozueu 1:8]; me shumë mundësi kjo do të përfshinte të paktën librin e Ligjit të Përtërirë ose pjesë të tij [shih Ligji i Përtërirë 31:26, “ky ligj”]); dhe ai nuk duhej të tmerrohej (mos ki frikë dhe mos u thyej; Jozueu 1:9). Më e vështira nga të gjitha do të jetë detyra e dytë, pra, t’i bënte udhëzimet e Zotit (hebraisht Torah) pjesë thelbësore të asaj që ai është dhe asaj që ai bën (Jozueu 1:8a), të meditonte vazhdimisht rreth tyre dhe t’i vinte në praktikë (Jozueu 1:8b).

Megjithatë thirrja e dytë theksohet përmes dy fjalëve të shkurtra: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim.” Duke marrë parasysh përgjegjësitë drejtuese të Jozueut, kjo kërkesë për të qenë i fortë dhe trim do të ishte dekurajuse, po të mos shoqërohej me premtime: Unë do të jem me ty. Nuk do të të lë dhe nuk do të të braktis (Jozueu 1:5); dhe Zoti Perëndia yt do të jetë me ty kudo që të shkosh (Jozueu 1:9).

Forcuar nga kjo siguri e prezencës shoqëruese të Perëndisë, Jozueu fuqizohet për të marrë mandatin e tij me guxim. Terminologjia hebraike e përdorur në këto fjali siguruese nuk ka të bëjë me pasurinë apo suksesin njerëzor, por ka të bëjë vetëm me përmbushjen e një misioni dhe të vepruarit me mençuri në çdo rrethanë që paraqitet. Vetëm atij që nuk “konsultohet me Zotin” (Jozueu 9:14) i mungon kjo mençuri.

Romakëve 5:18-19

Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.

Pali krahason pasojat e veprës së Adamit dhe të Krishtit, duke shfaqur rolet e tyre vendimtare si kokat e besëlidhjes së njerëzve që përfaqësojnë. Pali mëson qartësisht “mëkatin fillestar,” faktin që të gjithë njerëzit kanë trashëguar natyrën mëkatare për shkak të mëkatit të Adamit. Me shumë mundësi Pali po mëson gjithashtu se të gjithë njerëzit janë në fakt mëkatarë para Perëndisë për shkak të mëkatit të Adamit. Shumë (të gjithë njerëzit përveç Krishtit) vdiqën përmes mëkatit të Adamit. Vdekja fillon me ndarje shpirtërore nga Perëndia dhe kulmon në vdekje fizike. Për ta krahasuar Pali thekson bujarinë e hirit të Krishtit që i është dhuruar atyre që i përkasin Atij.

Ajo shkelje e Adamit, si koka e besëlidhjes së njerëzimit, solli dënim dhe faj për të gjithë njerëzit. Në mënyrë të ngjashme, vepra e drejtësisë së Krishtit (ose vdekja e Tij ose jeta e Tij në bindje të plotë, përfshirë vdekjen) u jep drejtësi dhe jetë të gjithë atyre që u përkasin. Mbi të gjithë njerëzit. Disa interpretues kanë shpallur universalizmin (idenë se të gjithë do të shpëtohen) bazuar në këto vargje.

Por Pali e qartëson në këtë kontekst se vetëm ata që e “marrin” (Romakëve 5:17) dhuratën e Perëndisë i përkasin Krishtit (shih gjithashtu Romakëve 1:16-5:11, që tregon se vetëm ata që kanë besim drejtësohen). Fjalët “ashtu si… ashtu edhe” tregojnë se fokusi i Palit nuk është në numrat e njerëzve në secilin grup por në metodën si mëkati ose drejtësia tejçohet përmes përfaqësuesve.

Drejtues për të gjithë grupin: herën e parë “të gjithë njerëzit” i referohet të gjithë atyre që janë në Adamin (çdo qenie njerëzore), ndërsa “të gjithë njerëzit” në herën e dytë i referohet të gjithë besimtarëve, të gjithë atyre që janë “në Krishtin”.

Për shkak të mosbindjes së Adamit, të gjithë njerëzit u bënë (greqisht kathistemi, “bëhet shkas për të qenë”) mëkatarë. Megjithatë, kur Adami, si përfaqësues i njerëzimit, mëkatoi, Perëndia e konsideroi mëkatare të gjithë racën njerëzore, si fajtore për mëkat, duke ia vënë kështu fajin e Adamit gjithkujt. Me pak fjalë, Perëndia konsideroi se faji i Adamit i përkiste gjithë njerëzimit, duke deklaruar se faji i Adamit i përket në fakt të gjithëve. Prandaj të gjithë janë mëkatarë dhe kanë lindur me një natyrë mëkatare që bazohet në shkeljen e Adamit.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-obedience/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaBindja, Crossway

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>