Vargje kyce biblike per vdekjen dhe ringjalljen (vdekja & ringjallja)

Nëntor 2020                                          Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Gjoni 11:25-26

Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe në vdektë, do të jetojë. Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë aspak përjetë. A e beson këtë?”.

Jezusi nuk thotë thjesht se do të sjellë ringjalljen apo se Ai do të jetë shkaku i ringjalljes (edhe pse të dyja këto janë të vërteta), por Ai thotë diçka shumë më të fortë: Unë jam ringjallja dhe jeta. Ringjallja prej së vdekurish dhe jeta e përjetshme në bashkësi me Perëndinë janë të lidhura kaq ngushtë me Jezusin, saqë janë mishëruar në Të dhe mund të gjenden vetëm tek Ai. Prandaj togfjalëshi “ai që beson në mua”, nënkupton besimin personal në Krishtin. Parafjala “në” (greqisht ‘eis’) është e mrekullueshme, sepse ‘eis’ zakonisht do të thotë “brenda”, duke nënkuptuar se besimi i vërtetë në Krishtin në njëfarë mënyre i sjell njerëzit “brenda” Tij, që të jetojnë e të bëhen një me Të. (E njëjta frazë gjendet te Gjoni 3:16, 18, 36; Gjoni 6:35; Gjoni 7:38; Gjoni 12:44, 46; Gjoni 14:12; 1 e Gjonit 5:10.) Deklarata “Unë jam” përfaqëson një pohim të hyjnisë.

“Jeton” i referohet të gjithë atyre që tashmë kanë një jetë frymërore (Gjoni 3:36). Ata që besojnë nuk do të vdesin kurrë, sepse në fund do të triumfojnë mbi vdekjen.

Gjoni 14:1-3

“Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndinë dhe besoni në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thosha: Po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.”

Fraza “besoni në Perëndinë” është përkthyer në mënyrën urdhërore (ose si urdhërim), por në greqisht mund të merret dhe si deklaratë “Ti beson në Perëndinë”. Mënyra urdhërore ndoshta shihet më mirë nën dritën e fjalisë së mësipërme. Ajo që trondit zemrat e dishepujve është largimi i afërt i Jezusit (shiko Gjoni 13:36). Duke u mbështetur në përdorimin e saj në Dhiatën e Vjetër (p.sh. Isaia 28:16), “besoni” nënkupton besim personal në një marrëdhënie.

Bazuar në këtë kontekst (Jezusi që po shkon tek Ati; Gjoni 13:1, 3; Gjoni 14:28), fraza “në shtëpinë e Atit tim” i referohet qiellit. Mbështetur te ky imazh, banesat e shumta (ose “vendet e pushimit”, greqisht ‘mone’) janë vendet e banimit brenda asaj shtëpie të madhe. Fjala e zgjedhur “banesa”, nuk nënkupton hapësirën e tyre të vogël, por thjesht i përmbahet metaforës së qiellit si “shtëpia” e Perëndisë. Në një pasazh të ngjashëm, Jezusi thotë se ndjekësit e Tij do të merren në “banesat e përjetshme” (Luka 16:9; 1 e Korintasve 2:9).

1 e Korintasve 15:26-27, 54-57

Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja. Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se gjithçka i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar gjithçka.

Edhe prishja, kur të veshë mosprishjen, edhe kjo e vdekshmja kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar:

“Vdekja u përpi nga fitorja”.
O vdekje, ku është gjëmba jote? 
O ferr, ku është fitorja jote? 

Por gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.

Kur më në fund besimtarët të ringjallen prej së vdekurish, do të përfundojë plotësisht shkatërrimi i vdekjes.

1 e Korintasve 15:49-52

Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. Edhe këtë po them, o vëllezër, se mish dhe gjak nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen. Ja, po ju them një mister: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e borisë së fundit; sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi.

Krahasimi që bën Pali midis të “natyrshmes” dhe “frymërores” është kontrasti midis asaj që është përkohësisht në jetë dhe asaj që ka ekzistencë të përjetshme me Perëndinë (1 e Korintasve 2:14-3:3). Duke filluar me Zanafillën 2:7, Pali shpjegon se Perëndia e krijoi Adamin nga pluhuri i tokës dhe i dha frymë jete. Megjithatë, Krishti është Adami i fundit, dhe ringjallja e Tij i dha një trup frymëror dhe si rrjedhojë të paprishshëm (Filipianëve 3:21). Me “trup frymëror”, Pali nuk nënkupton një trup pa materie, por një trup që merr jetë dhe fuqizohet prej Frymës së Shenjtë.

Trupat e korruptueshëm (prej mishi dhe gjaku) nuk mund të trashëgojnë mbretërinë. Për këtë arsye nevojitet ringjallja. Të krishterët që do të jenë gjallë në kohën e ringjalljes do të shndërrohen, në mënyrë që trupat e tyre të bëhen frymërorë dhe të pavdekshëm, njësoj si trupat e atyre që janë ringjallur prej së vdekurish. (Shiko 1 e Thesalonikasve 4:13-18).

Filipianëve 1:20-21

Sipas të priturit tim me ngulm dhe shpresë, se nuk do të turpërohem në asgjë, por me çdo guxim, si gjithmonë edhe tani, Krishti do të madhërohet në trupin tim, qoftë me anë të jetës qoftë me anë të vdekjes. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.

Gjëja më e rëndësishme për Palin nuk është jeta apo vdekja, por të ruajë dëshminë e tij besnike për Krishtin. Deklarata “qoftë me anë të vdekjes” nënkupton se Pali shpreson të nderojë Krishtin edhe me mënyrën se si do të vdesë. Pali nuk kërkon që në jetën e tij të gjejë rehatinë apo përparimin e vet. Ai kërkon vetëm përparimin e mbretërisë së Perëndisë: të jetuarit është t’i shërbesh Krishtit. Në fakt, vdekjen duhet ta shohim si fitim, sepse do të thotë që Pali do të çlirohej nga jeta tokësore e mbushur me mundime, për t`u gëzuar përjetësisht në praninë e Krishtit.

Filipianëve 3:20-21

Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë, sipas veprueshmërisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.

Fraza “do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë” thekson Filipianëve 2:5-11. Ata që ndjekin shembullin e Krishtit në shërbesë do të marrin edhe shfajësim, edhe lëvdim në Të. Përsosmëria do të vijë vetëm me ringjalljen (Filipianëve 3:11-12; 1 e Korintasve 15:12-28). “Që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” është një mesazh mesianik i marrë nga Dhiata e Vjetër (p.sh., Psalmi 8:6; Psalmi 110:1).

2 e Timoteut 1:8-10

Mos ki turp, pra, për dëshminë e Zotit tonë, as për mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë, që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara kohërave të përjetshme dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.

Këto vargje përmbledhin ungjillin për të cilin vuajnë shërbëtorët e Perëndisë. Ato na kujtojnë fuqinë e Perëndisë mbi të cilën mbështeten të krishterët. Fjalët që Pali përdor, tregojnë gjithashtu se ai po deklaron se për një mesazh të tillë të lavdishëm ia vlejnë të gjitha vuajtjet. Pali krahason veprat që nuk shpëtojnë, me qëllimin dhe hirin e Perëndisë, i cili sjell jetë. “Perëndisë, që na shpëtoi… Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.” Në Letrat Pastorale, Pali shpesh përshkruan edhe Perëndinë Atë, edhe Perëndinë Bir si Shpëtimtarët e popullit të tyre (1 e Timoteut 1:1; 2:3; 4:10; Titit 1:3-4; 2:10; 2:13; 3:4, 6).

Hebrenjve 2:14-15

Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

Duhej një Shpëtimtar mes njerëzve, sepse qeniet njerëzore (bijtë) kanë nevojë për një sakrificë shlyese dhe për një kryeprift të dhembshur (Hebrenjve 2:17-18). “Kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku”; Jezusi ishte plotësisht njeri, ashtu siç janë “bijtë” dhe siç duhej të ishte edhe kryeprifti (shiko Hebrenjve 5:1-2). Me pastrimin e ndjekësve të Tij nga mëkati, vdekja e Jezusit shkatërron veprën e djallit (1 e Gjonit 3:8) dhe u jep shpresë e çlirim atyre që ishin nën skllavërinë e frikës së vdekjes.

Fuqia e satanit nuk është absolute, por është nën kontrollin e Perëndisë, i Cili sundon plotësisht mbi jetën dhe vdekjen (Ligji i Përtërirë 32:39; Jobi 2:6; Psalmi 90:3; 139:16; Zbulesa 1:18). Megjithatë, Satani “ishte vrasës që nga fillimi” (Gjoni 8:44), dhe deri në njëfarë pike ka fuqinë t’i dëmtojë njerëzit (Marku 5:2-5; Luka 13:16). Më e pakta është që vargu nënkupton se satani ka fuqinë për të vepruar në vendin e vdekjes, dhe për t’i tunduar njerëzit në mëkat, që çon në vdekje (Romakëve 6:16, 23). Sidoqoftë, theksi i këtij vargu nuk është fuqia e Satanit, por triumfi i Krishtit mbi Satanin dhe vdekjen.

Isaia 25:8

Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen;
ZOTI, ZOTI do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, 
do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, 
sepse ZOTI ka folur.

Ai do ta shkatërrojë përgjithnjë vdekjen, duke mposhtur fuqinë shkatërruese të saj (Isaia 5:14; 1 e Korintasve 15:54; Zbulesa 21:4). Ky është një premtim që tregon se në të ardhmen, populli i Perëndisë nuk do t’i nënshtrohet më vdekjes, por do të jetojë përgjithmonë. “Turpin e popullit të tij” jep pamjen e një populli të braktisur nga Perëndia (Ligji i Përtërirë 28:37; Psalmi 44:13-16; 69:9-12; 74:9-11, 22-23; 79:1-5; Isaia 43:28; Psalmi 51:7; Jeremia 15:15; Ezekieli 5:14-17; Ezekieli 36:6-7).

Isaia 65:20

Nuk do të ketë më në të
asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë, 
as plak që nuk plotëson ditët e tij; 
sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç 
dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët do të quhet i mallkuar.

Isaia përdor imazhe nga koha e tij për të pikturuar një pamje poetike si përshkrim të gëzimeve të botës që po vjen. Të krishterët kanë mendime të ndryshme nëse duhet ta lexojnë këtë: (1) si një përshkrim ideal të Jerusalemit të restauruar (që çon në gëzime të përjetshme), (2) si një gjendje “mijëvjeçare” e ndërmjetme, ose (3) si vetë gjendja e përjetshme. Me siguri fraza “qiel të rinj dhe një tokë të re” nënkupton gjendjen e përjetshme (bazuar te Zbulesa 21:1). Nga ana tjetër, meqenëse përmenden njerëzit që vdesin, madje edhe në moshë të thyer, si edhe prania e mëkatarit (Isaia 65:20), duket se kjo nuk është gjendja përfundimtare. Për të argumentuar se është një gjendje mijëvjeçari (që nuk është e qartë këtu), duhet të kuptojmë se gjendja e mijëvjeçarit përfshin si vdekjen, ashtu dhe mosbesimin midis jobesimtarëve gjatë periudhës së mijëvjeçarit. Sidoqoftë, përmendja e kafshëve (Isaia 65:25) rikujton Isaian 11:6-9, që është pjesë e një orakulli e cila përshkruan epokën mesianike (Isaia 11:10). Prandaj (dhe duke marrë parasysh kontekstin e gjerë tek Isaia 40-66), disa interpretues i lexojnë këto vargje si përshkrimin e një të ardhmeje ideale për Jerusalemin – jo thjesht si një qytet i restauruar, por si qendra e botës, në të cilën të gjithë njerëzit njohin Perëndinë dhe gjejnë kënaqësi në Të dhe jetojnë gjithashtu në paqe me njëri-tjetrin (si Isaia 2:2-4; Isaia 9:6-7; Isaia 11:1-10). Në rrethana të tilla përparon bashkësia me njerëzit dhe përkushtimi. Në të njëjtën kohë, përshkrimi shkon përtej çdo gjëje që bota ka parë ndonjëherë, duke e ftuar lexuesin besimtar të kërkojë më shumë dhe të luajë rolin e tij ose të saj, teksa historia shpaloset drejt fundit të saj të lavdishëm (Isaia 2:5).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bibles-verses-on-death-and-resurrection/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>