key-verses-anger

Shtator 2022                                        Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

A barazohet zemërimi me mëkatin?

Çfarë është zemërimi i drejtë kundrejt atij të padrejtë? Si duket zemërimi i Perëndisë? Fito ide për kohën dhe zbatimin e duhur të zemërimit duke lexuar këto vargje dhe komentarin e përshtatur nga Bibla e Studimit ESV.

Efesianëve 4:25-27

Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili të flasë të vërtetën me të afërmin e tij, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi zemërimin tuaj; dhe mos i jepni vend djallit.

Pali jep shembuj praktikë se si anëtarët e kishës ndërtojnë trupin e Krishtit (krah. me Efesianëve 4:13-16), bazuar në atë që është e vërtetë për ta si të krishterë. Pali do të tregojë si të krishterët duhet të vendosin në praktikë të vërtetat e shqyrtuara tek Efesianëve 4:17-24. Jo çdo zemërim është mëkat, por besimtari nuk duhet të konsumohet nga zemërimi dhe nuk duhet ta mbartë zemërimin me vete për ditën tjetër, sepse kjo i jep vetëm më shumë hapësirë djallit.

Mateu 5:22-24

Por unë po ju them: “Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të vet, do të jetë fajtor për në gjyq; dhe kush i thotë vëllait të vet: “Rraka”, do të jetë fajtor për në sinedër; dhe kush do t’i thotë “Budalla”, do të jetë fajtor për në zjarrin e ferrit. Nëse, pra, e paraqet dhuratën tënde tek altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; dhe atëherë eja dhe paraqite dhuratën tënde.

Efekti i rrezikshëm dhe shkatërrues i zemërimit njerëzor është i theksuar përgjatë Shkrimit (për shembull., Fjalët e Urta 20:2; 22:3; 29:22; 2 e Korintasve 12:20; Galatasve 5:20; Efesianëve 4:31; Kolosianëve 3:8; Jakobi 1:20). Zemërimi përfshin zakonisht një dëshirë për të dëmtuar dhe për të shkatërruar personin tjetër, qoftë në mënyrë personale apo fjalë për fjalë, në formën e vrasjes (krahaso me Mateun 5:21 dhe Jakobi 4:1-2). Ta quash dikë budalla është e lidhur ngushtë me zemërimin, sepse përfaqëson një sulm shkatërrues ndaj karakterit dhe identitetit të dikujt. Prandaj Jezusi paralajmëron se personi që dhunon një person tjetër në këtë mënyrë të hidhur është e ngjashme me ferrin e zjarrtë.

Pajtimi me personin që ka diçka kundër teje duhet të ndodhë edhe para ofrimit të adhurimit. Personi që nis pajtimin këtu është ai që i ka bërë të keqen tjetrit.

Galatasve 5:19-24

Por veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe të tjera të ngjashme me to, për të cilat po ju paralajmëroj, sikurse ju thashë edhe më parë, sa ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Por Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet.

“Veprat e mishit” nënkupton veprime që rrjedhin nga natyra e rënë njerëzore dhe nga dëshirat e saj. Përveç veprës transformuese të Frymës së Shenjtë, këto janë veprat drejt të cilave njerëzit mëkatarë tërhiqen instinktivisht. Kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, ata kthehen nga vetja, kështu shkatërrohen marrëdhëniet midis qenieve njerëzore.

Koha e tashme (greqisht “prassontes”, përkthyer këtu “bëjnë”) i referohet atyre që “i bëjnë praktikë” veprimet e tilla, si model jetese. Sjellja e tyre e jashtme tregon për statusin e tyre të brendshëm shpirtëror: se nuk kanë lindur nga Perëndia, nuk kanë Frymën e Shenjtë brenda dhe nuk janë vërtet bij të Perëndisë. Fryma lufton kundër mëkatit jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm, duke prodhuar te të krishterët atributet pozitive të karakterit të perëndishëm, dhe të gjitha këto janë të dukshme në Jezusin tek Ungjijtë.

Krishti dhe Fryma (Galatasve 5:25) bashkohen si burimi i jetës së besimtarit. Të krishterët e kanë kryqëzuar mishin, ose kanë vdekur me Krishtin ndaj mëkatit (shih Galatasve 6:14; Romakëve 6:4-6). Tani që rendi i vjetër i gjërave është hequr nga besimtarët, qenia e tyre mëkatare, që i përkiste atij rendi, është shkatërruar gjithashtu–prandaj nuk duhet t’u kushtojnë rëndësi atyre. “Mishi” këtu nuk duhet kuptuar si trupa fizikë, por si natyra e rënë mëkatare e njeriut bashkë me dëshirat e tij.

Kolosianëve 3:5-8

Vrisni, pra, gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, papastërtinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për shkak të këtyre zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërimin, inatin, mbrapshtinë, sharjen, të folurit e pandershëm prej gojës suaj.

Bazuar në vdekjen dhe ringjalljen e tyre në Krishtin, dhe në shpresën e një jete të ardhme me të, Pali inkurajon kolosianët të vazhdojnë me eliminimin e sjelljeve mëkatare nga jeta e tyre dhe kultivimin e virtyteve të krishtera. Pali i thërret kolosianët të bëjnë një thyerje vendimtare me tendencat mëkatare që kanë marrë me vete në jetën e krishterë. Për shkak se besimtarët kanë vdekur me Krishtin (2:20; 3:3), ata mund t’i heqin qafe praktikat mëkatare (Romakëve 6:11; 8:13). Gjuha e përdorur, “vrisni”, tregon se të krishterët duhet të ndërmarrin masa të rrepta për të mposhtur mëkatin. Kujdesi dhe lutja kundër tyre do të jenë hapat e para (shih Mateu 26:41) dhe ndiqen nga vetëdisiplinimi (Mateu 5:29-30).

Në linjë me profetët e Dhiatës së Vjetër, të cilët flisnin për ditën e Zotit si një kohë e zemërimit që do të vijë (p.sh., Sofonia 1:14-15), Pali u kujton kolosianëve se Perëndia do të ndërhyjë papritur në historinë njerëzore dhe do të kërkojë llogari nga të gjithë. Ata që jetojnë jetë të mbrapshta do të përballen me gjykimin final. Pali liston edhe pesë vese të tjera (krahaso me Kolosianëve 3:5) që të krishterët kanë nevojë të largojnë nga vetja. Këto të pesta kanë të gjitha ndikim mbi marrëdhëniet sociale midis besimtarëve.

Jakobi 1:19-20

Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim, sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

Tema qendrore e këtij seksioni është krishterimi praktik, dhënë nga “fjala e së vërtetës”, që është ungjilli (Jakobi 1:18), dhe karakterizohet edhe nga “të dëgjuarit” e vërtetë edhe nga “bërja” me vendosmëri e së vërtetës. Bindja është shenja dalluese e bijve të vërtetë të Perëndisë. Jakobi inkurajon kishën të këmbëngulë në dëgjimin e fjalës dhe të shmangë të folurit e nxituar, dhe zemërimin e padrejtë.

Jakobi thekson traditën e Urtësisë Judease në keqpërdorimin e gjuhës dhe zemërimit që vjen si rezultat i saj (krahaso me Fjalët e Urta 10:19; 11:12; 15:1; 17:28). Mungesa e të dëgjuarit, bashkë me mungesën e kontrollit të gjuhës, çon në veprime të nxitura nga zemërimi. I ngadalshëm në zemërim nuk do të thotë se i gjithë zemërimi njerëzor është mëkatar (krahaso Efesianëve 4:26), por zemërimi i nxituar dhe egoist i botës (“zemërimi i njeriut”, Jakobi 1:20) tregon mungesë besimi në Perëndinë dhe mungesë dashurie për të tjerët.

Zemërimi i vetëmbështetur i njeriut, edhe kur zgjohet kundër padrejtësive, nuk arrin të kuptojë se thjesht qortimi njerëzor nuk mund të ndryshojë zemrën e dikujt, dhe nuk prodhon drejtësinë e Perëndisë; dhe as nuk është plotësisht i drejtë vetë. Perëndia është i shenjtë dhe i drejtë, dhe kërkon që populli i tij të reflektojë karakterin e tij të drejtë (psh., Levetiku 19:2; Mateu 5:48; 1 e Pjetrit 1:16). “Drejtësia” këtu nuk është drejtësia ligjore apo mjeko-ligjore e Palit, e shpallur në gjykatën e ligjit të Perëndisë, por është më afër përdorimit të Dhiatës së Vjetër (Isaia 61:3) dhe Jezusit (Mateu 3:15; 5:6; 10, 20; 6:1; 33; 21:32), duke i orientuar sjelljet e njeriut sipas vullnetit të Perëndisë, sipas standardeve të tij.

Fjalët e Urta 29:11

Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e përmban dhe e fashit.

Fjalët e Urta 29:8-11 përshkruajnë tërbimin, fashitjen dhe dhunën që shoqërojnë ligësinë dhe marrëzinë. Njerëz të tillë u vënë flakën qytetit (Fjalët e Urta 29:8), janë abuzivë dhe të pasjellshëm deri në konflikt (Fjalët e Urta 29:9), urrejnë njerëzit me integritet (Fjalët e Urta 29:10), dhe u japin vend çdo pasioni që ndiejnë (Fjalët e Urta 29:11). Shënimi te ESV për Fjalët Urta 29:10b, “por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij”, do të thotë që të drejtët janë të interesuar të shfajësojnë njeriun e urryer të pafajshëm.

Efesianëve 6:4

Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijët tuaj, por i rrisni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

Pali nis këshillën e tij me një veprim negativ, i cili duhet shmangur, dhe që ndiqej më pas nga një veprim pozitiv, i cili duhet zhvilluar. Pali adreson përgjegjësitë e etërve në veçanti, edhe pse kjo nuk zvogëlon kontributin e nënave në këto fusha (shih Fjalët e Urta 31). Fëmijët e bindur janë veçanërisht të cënueshëm, prandaj veprimet e një babai dominues dhe të pakujdesshëm do të ishin dekurajuese për ta (Kolosianëve 3:21). Prindërit luajnë një rol vendimtar, të dhënë nga Perëndia në dishepullimin e fëmijëve të tyre “në Zotin” (Efesianëve 6:1); shih Ligjin e Përtërirë 6:1-9. Dishepullimi prindëror në disiplinën dhe këshillën e Zotit duhet të jenë qendra e këtyre praktikave tashmë të shënuara tek Efesianëvew 4-5.

Romakëve 12:19-21

Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë do të shpaguaj, thotë Zoti”. “Nëse armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde te keqen me të mirën.

Një tjetër aluzion për mësimet e Jezusit (Mateu 5:39). Ndjenjat e hakmarrjes mund të përmbysen duke kuptuar se Perëndia do të drejtësojë çdo gjë dhe se ai do ta derdhë zemërimin e tij mbi ata që e meritojnë. “Thëngjij të ndezur” është citim nga Fjalët e Urta 25:21-22. Shumica e interpretuesve mendojnë se Pali po mëson që i krishteri duhet t’u bëjë të mirën njerëzve, në mënyrë që ata të ndihen të turpëruar dhe të pendohen, dhe në këtë kuptim, kjo është e mundur. Por në Dhiatën e Vjetër, “thëngjilli i ndezur” përfaqëson gjithmonë ndëshkimin (2 e Samuelit 22:13; Psalmi 11:6; 18:8, 12-13; 140:10), prandaj një tjetër interpretim thotë se Pali po përsërit mendimin e Romakëve 12:19: Të krishterët duhet t’u bëjnë të mira atyre që bëjnë të keqen, duke pranuar se Perëndia do t’i ndëshkojë në ditën e fundit, nëse nuk pranojnë të pendohen. Mposhtja e së keqes me të mirën përfshin vepra mirësie drejt të ligjve, por ndonjëherë mund të përfshijë “të mirën” (13:4) e qeverisjes civile për të ndalur të keqen përmes përdorimit të forcës së lartë (ushtria ose policia), siç e shpjegon Pali te Romakëve 13:3-4.

Psalmi 7:11

Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

Këngëtarët e këtij psalmi e shohin kërkesën e tyre si pjesë të figurës së plotë: Perëndia është një gjykatës i drejtë (Psalmi 7:11), përballë të cilit të gjithë njerëzit, jo vetëm Izraeli, duhet t’i japin llogari (Psalmi 7:7, 8); prandaj zemërimi i tij (Psalmi 7:6) dhe indinjimi i tij (Psalmi 7:11) drejtohen kundër atyre që kërcënojnë besnikët e tij (i drejti, Psalmi 7:9; dhe të drejtët nga zemra, Psalmi 7:10). Te Psalmet, gjykimi është shpesh një vepër shpëtuese, Perëndia ndërhyn për të padrejtët dhe për të shtypurit. (Në anglisht, fjala “gjykoj” lidhet më shumë me dënimin se me shpëtimin.) Prandaj, ky çlirim i veçantë është pjesë e planit të gjerë të Perëndisë për ta rikthyer botën në rendin e drejtë (Psalmi 7:9).

Eksodi 34:6-7

Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: “Zoti, Zoti Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal paudhësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin dhe që viziton paudhësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.

Shpallja që Zoti i bën emrit të tij dhe deklarimi i karakterit të tij, bëhen një pasazh qendror rrëfyes për Dhiatën e Vjetër (p.sh., shih Nehemia 9:17, 31; Psalmi 86:16; 103:8; Jona 4:2; Joeli 2:13). Ky rrëfim përshkruan karakterin e hirshëm të Zotit në ruajtjen e Izraelit si i tërë për hir të qëllimit të përgjithshëm të Perëndisë dhe për kursimin e atyre individëve që shohin drejt tij në besim të vërtetë. Moisiu do t’i thoshte këto fjalë Zotit kur ndërhyri për popullin pas rebelimit të tyre, pas raportimit të spiunëve në Kanaan (shih Numrat 14:18-19). Përshkrimi thekson karakterin e mëshirshëm dhe të hirshëm të Zotit (shih Eksodi 33:19), dashuria dhe falja e madhe e të cilit zgjat me mijëra (mundësisht breza, krahaso me Ligji i Përtërirë 7:9) në kontrast me ato pak breza mbi të cilët ai godet paudhësitë. Moisiu apelon për nevojën që Izraeli ka për praninë e hirshme dhe të mëshirshme të Zotit që të mund t’i falë dhe t’i pranojë si trashëgimi të tillë (Eksodi 34:9).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-anger/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Zemërimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>