Prill 2021 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Do të keni mundime
Është e sigurt që do të kemi telashe në këtë botë, ashtu siç edhe vetë Jezusi pati. Mirëpo me fuqinë dhe praninë e Tij në jetën tonë, jemi thirrur të durojmë duke shndritur dritën e Krishtit në një botë të errët. Inkurajohu nga këto pasazhe dhe komente nga Bibla e Studimit ESV.
Romakëve 8:35–39
Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar:
“Për shkakun tënd po vritemi gjithë ditën; u llogaritëm si dele për therje”.
Por në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqitë dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Citimi nga Psalmi 44:22 tregon se vështirësitë e listuara te Romakëve 8:35 i prekin të krishterët. Ata nuk përjashtohen nga vuajtjet, madje as nga vdekja (“po vritemi”).
Të krishterët janë “më shumë se fitimtarë”, sepse Perëndia e kthen gjithçka — edhe vuajtjen dhe vdekjen — për të mirë. “Sepse jam i bindur”, Pali këtu i përgjigjet pyetjes që ai vetë ngre te Romakëve 8:35, me siguri absolute, se asgjë nuk mund ta ndajë Perëndinë nga “dashuria” për njerëzit e Tij… “në Krishtin”. “Pushtetet” dhe “fuqia” me shumë mundësi këtu i referohen autoriteteve demoniake.
Gjoni 16:33
“Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni shtrëngim, por merrni zemër, unë e kam mundur botën!”.
Në mes të vuajtjeve dhe mundimeve që do të vinin, dishepujt e Jezusit, dhe të gjithë ata pas tyre, mund të kenë këtë “paqe” në bashkësinë me Krishtin. Në përputhje me këtë, fjalimi i lamtumirës së Jezusit (Gjoni 13:31–16:33) përfundon me një shënim triumfi (krahaso me 1 e Gjonit 2:13–14; 1 e Gjonit 4:4; 1 e Gjonit 5:4–5).
2 e Korintasve 6:3–10
Nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë; por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbenjës të Perëndisë në shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica, në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në pagjumësi, në agjërime, në pastërti, në njohuri, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymën e Shenjtë, në dashuri jo të shtirur, në fjalën e së vërtetës, në fuqinë e Perëndisë, përmes armëve të drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë, përmes nderimit e çnderimit, përmes emrit të keq e emrit të mirë; si mashtrues, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur mirë; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë asgjë, por kanë gjithçka.
“Në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë.” Jo vetëm përmes fitoreve dhe triumfeve, por edhe përmes mënyrës si i duroi mundimet, Pali dëshmon për vërtetësinë e shërbesës së tij apostolike. Lavdia e ungjillit shkëlqen përmes jetës së një të krishteri, në mënyrën si ai i përgjigjet vuajtjeve dhe kundërshtimeve. “Në shumë durim.” Qëndresa hyjnore e Palit është dëshmia e tij për fuqinë e Frymës në jetën dhe shërbesën e tij (2 e Korintasve 3:3–8; shih 2 e Korintasve 12:12), që më pas ilustrohet me shembujt specifik që e ndjekin (2 e Korintasve 6:4–10). “Si shërbenjës të Perëndisë.” Si shërbestar (greqisht “diakonos”) i besëlidhjes së re (2 e Korintasve 3:6), Pali është shërbenjës (greqisht “diakonos”) i Perëndisë.
“Përmes armëve të drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë” shihet më së shumti si referencë ndaj armëve frymërore që Perëndia na jep (shih Efesianëve 6:11), ndoshta duke nënkuptuar një armë për sulm, zakonisht shpata (në të djathtë; shih Efesianëve 6:17), dhe një armë për mbrojtje, zakonisht një mburojë (në të majtë; shih Efesianëve 6:16). Të tjerë e kuptojnë frazën e Palit jo si limit në dy armë, por si mënyrë për të thënë se ai është i mirëpajisur me fuqi frymërore për çdo situatë.
2 e Timoteut 1:7–10
Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe mendjekthjelltësie. Mos ki turp, pra, për dëshminë e Zotit tonë, as për mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë, që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara kohërave të përjetshme dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.
“Frymë.” Fjala greke për “frikën” (“deilia”), në letërsinë e shkruar jashtë Biblës, i referohet atij që ia mbath nga beteja dhe që ka një sens të fortë përkeqësues burracakërie. Trimëria, jo frika, është shenjë e Frymës së Shenjtë (shih Fjalët e Urta 28:1; Veprat 4:31).
Këto vargje përmbledhin “ungjillin”, për të cilin vuajnë shërbëtorët e Perëndisë. Ato janë një kujtesë e “fuqisë” së Perëndisë, ku mbështeten të krishterët. Pali po flet me fjalë të mëdha dhe kjo sugjeron se ai po argumenton që ia vlen të vuash për këtë mesazh të lavdishëm. Pali vë përballë “qëllimit” dhe “hirit” të Perëndisë, që sjellin jetë, veprat që nuk shpëtojnë. “Perëndisë, që na shpëtoi… Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.” Në letrat pastorale, Pali shpesh përshkruan Perëndinë Atë dhe Perëndinë Bir, si Shpëtimtarët e popullit të Tij (krahaso me 1 e Timoteut 1:1; 2:3; 4:10; Titit 1:3–4; Titit 2:10; Titit 2:13; Titit 3:4, 6).
2 e Korintasve 12:9–10
Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.
“Hiri im të mjafton”, Pali thotë se hiri i Perëndisë “të mjafton” (në kohën e tashme), duke theksuar gatishmërinë e përhershme dhe të mjaftueshme të hirit të Perëndisë, për Palin dhe për çdo besimtar, pavarësisht sa kritike mund të jenë rrethanat e dikujt (krahaso me Romakëve 8:31–39). “Fuqia ime përsoset në dobësi.” Palit nuk i lejohej të fliste për zbulesat e tij hyjnore (2 e Korintasve 12:4, 6), por ai citon deklaratën e Krishtit (“Hiri im të mjafton”) për të theksuar se dobësitë e tij njerëzore (jo zbulesat e tij) do të ishin platforma e përsosjes dhe shfaqjes së fuqisë së Zotit. Kjo ishte pika kryesore e 2 e Korintasve 12:1–13 dhe themeli i vetëmbrojtjes së Palit gjatë letrës së dytë të Korintasve.
Jakobi 1:2–4
Ta quani gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në tundime të ndryshme, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell durim. Por durimi të kryejë në ju një vepër të përsosur, që të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë mangësi.
Sprovat janë “teste” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2–5). Kur vijnë sprovat, ato duhen konsideruar gëzim — jo një lumturi e përkohshme tokësore, por “gëzim i plotë” frymëror, që zgjat në Zotin, i Cili është sovran mbi gjithçka, përfshirë këtu edhe sprovat.
“Sprova e besimit tuaj” përcakton kuptimin e një sprove për të krishterët: ashtu si Jezusi u “sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1–13), po ashtu testohen edhe besimtarët. Fjala greke “dokimion” (“testim”) nënkupton një test pozitiv me qëllim formimin e një besimi “të vërtetë” (krahaso me 1 e Pjetrit 1:7). Rezultati është “durim”, një jetë qëndrese besnike në mes të telasheve dhe të shtrëngimeve.
“Durimi” të çon në fund drejt përsosjes. Besimtarët rriten në shenjtëri, megjithatë ende nuk janë të përsosur në të; një përsosmëri e tillë do të arrihet vetëm kur Jezusi të kthehet.
1 e Pjetrit 5:9–10
Atij kundërshtojini, të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj nëpër botë. Dhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, ai vetë ju bëftë të përsosur, ju mbështestë, ju forcoftë dhe ju themeloftë.
“Atij kundërshtojini.” Të krishterët nuk duhet t’i tremben të ligut, sepse Zoti u ka dhënë fuqi të qëndrojnë kundër tij “të patundur në besim” (krahaso me Efesianëve 6:12–18). Teksa besojnë në premtimet e Perëndisë, besimtarët e dinë se vuajtja nuk është fjala e fundit, e se në fund ata do të përlëvdohen (krahaso me Jakobi 4:7). Vuajtjet që përjetojnë besimtarët në Azinë e vogël veriore nuk është diçka që u ndodh vetëm atyre, sepse ky në fakt është çmimi i besimtarëve kudo (“vëllezërit tuaj nëpër botë”). Prandaj, ata mund të marrin zemër duke kujtuar se nuk janë vetëm. Edhe pse “nëpër botë” nuk nënkuptonte një dekret botëror kundër të krishterëve në kohën e Palit, të krishterët që vuajnë në çdo epokë mund të jenë të sigurt se nuk janë vetëm në shqetësimin e tyre.
“Për pak kohë” përfshin periudhën që nis me ngjitjen e Krishtit (krahaso me Veprat 1:6–11), derisa Ai të vijë sërish në fundin e kohëve. Nga perspektiva e Perëndisë, koha e një personi në këtë botë është shumë e shkurtër (krahaso me Jakobi 4:14; 2 e Pjetrit 3:8). Prandaj, nuk ka rëndësi sa e gjatë apo e vështirë mund të jetë vuajtja e dikujt, sepse ajo është shumë e shkurtër kur krahasohet me gëzimet e përjetësisë. Katër foljet (“ju bëftë të përsosur”, “ju mbështestë”, “ju forcoftë”, “ju themeloftë”) i kujtojnë besimtarëve se Perëndia do të rivendosë çfarëdo të kenë humbur për shkak të Krishtit. Edhe pse vuajtjet do të vijnë përpara, ato do të ndiqen më pas “në lavdinë e tij të përjetshme”. Perëndia, i Cili me “lavdinë” e Tij i “thirri” në mënyrë të efektshme besimtarët, do t’i forcojë ata me fuqinë e Tij, që të mund të durojnë deri në fund.
Psalmi 34:17
Të drejtët klithin dhe ZOTI i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.
Perëndia kujdeset për besnikët e Tij — që do të thotë, nuk llogarit raste specifike si te Psalmi 34:4–7. Këtu është vendosur theksi edhe te ndryshimi midis mënyrës si Perëndia i trajton besnikët dhe të pabesët. Shprehjet hebraike si “zemrën të thyer” dhe “frymën të dërrmuar” (Psalmi 34:18) i referohen krenarisë dhe kokëfortësisë në zemrën e dikujt që përulet (krahaso me Psalmin 51:17; Psalmin 69:20; Psalmi 147:3). Psalmi e qartëson se edhe “i drejti”, edhe “i keqi” do të kenë mundime (shih përsëritjen te 34:19, 21); ndryshimi është te përfundimet (“asnjë… nuk do të shkatërrohet”, Psalmi 34:22; dhe “do të shkatërrohen”, Psalmi 34:21). Ka mundësi që Gjoni 19:36 është kombinim i Psalmit 34:20 (“Ai i ruan tërë kockat e tij dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet”) me Eksodin 12:46 për të theksuar se Jezusi jo vetëm ishte Qengji i Pashkës, por edhe vuajtësi i drejtë që Perëndia do ta bënte shfajësim.
2 e Korintasve 4:8–12
Në çdo gjë duke u shtrënguar por pa u ngushtuar, duke dyshuar, por jo duke u dëshpëruar, duke qenë të përndjekur por jo duke qenë të braktisur; duke u rrëzuar, por jo duke u shkatërruar; gjithnjë duke mbajtur në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Sepse ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për hir të Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm. Dhe kështu tek ne vepron vdekja, ndërsa në ju jeta.
“Duke u shtrënguar por pa u ngushtuar.” Këto vargje tregojnë paradoksin e të jetuarit si besimtarë në ligësinë e ditëve të sotme. Pali dorëzohet “vazhdimisht… në vdekje” nga Perëndia “për hir të Jezusit”, në mënyrë që fuqia e ringjalljes së Jezusit (që përjetohet në aftësinë e Palit për të duruar sprovat dhe në ndarjen e fuqishme të ungjillit pavarësisht kundërshtimeve) të bëhej e dukshme në dobësinë e “mishit” të tij “të vdekshëm” (shih 2 e Korintasve 4:7). Vuajtjet dhe durimi i Palit kanë si qëllim të sjellin të njëjtën ringjallje mes korintasve, ndërkohë që edhe ata mësojnë t’i besojnë Perëndisë në mes të vështirësive (shih 2 e Korintasve 1:6–7).
Hebrenjve 12:1–3
Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë. Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.
Duke pasur shembujt e besimit nga e kaluara (Hebrenjve 11) dhe vetë qëndresën e Jezusit në kryq (Hebrenjve 12:1–2), të krishterët duhet të rendin me durim në garën e besimit, duke ditur se Perëndia i disiplinon fëmijët e Tij për të mirën e tyre (Hebrenjve 12:3–11). Lexuesit paralajmërohen edhe të kenë kujdes që të mos refuzojnë hirin e Perëndisë (Hebrenjve 12:2–17, 25), duke qenë se (në krahasim me ngjarjet më të vogla, e megjithatë të mrekullueshme në malin Sinai) gjykimi final do të vijë me siguri, kur Perëndia do të vendosë plotësisht sundimin e Tij dhe të gjithë shenjtorët do të bashkohen në festën e madhe qiellore.
“Plotësonjësi .” Përmes veprës së Tij shlyese, përsosmëria e Krishtit çon në përsosjen e popullit të Tij (që do të arrihet plotësisht në ditën e fundit; Hebrenjve 11:39–40). “Për gëzimin që ishte përpara tij, duroi.” Kryqi i Krishtit përfaqëson vuajtjen më të madhe në histori, sepse Jezusi jo vetëm vuajti fizikisht, por përjetoi gjithashtu zemërimin e drejtë të Perëndisë duke marrë mbi vete mëkatin e botës. Gjithsesi, premtimi i shpërblimit dhe i gëzimit të mëvonshëm i dha Jezusit forcë në vuajtje. “Duke e përçmuar fyerjen.” Kryqëzimi, i kryer me zhveshje dhe në publik, duke krijuar vuajtje të gjatë te viktima, duhet të shkaktonte turpërim dhe vdekje (Hebrenjve 6:6). Sfidat tokësore në fakt dëshmojnë disiplinën atërore të Perëndisë. Sfida të tilla kërkojnë qëndrueshmëri dhe autori na paralajmëron të mos e refuzojmë këtë trajnim të karakterit.
Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-verses-on-hardship/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024