luc tribolet kjtgixoeisw unsplash

Prill 2021


Në mënyrë më autentike kam qarë për mëkatin tim kur jam puthur prej rrezatimit të mirësisë së Perëndisë, sesa kur jam kërcënuar prej zemërimit të tij. Njëherë, kur i kisha folur ashpër bashkëshortes time, dola nga kuzhina dhe vendosa të nxirrja mbeturinat në rrugë që t'i merrte kamioni i mbeturinave. Ndërsa dola nga garazhi, bukuria e asaj dite pranverore ishte marramendëse. Qielli blu. Flladi i freskët. Rrezet e ngrohta të diellit më përkëdhelnin lëkurën. Ishte sikur Perëndia të kishte zbritur poshtë dhe të më kishte puthur. Efekti ishte një keqardhje e thellë për mënyrën se si e kisha trajtuar Noelën.

Mendoj se kërcënimi i zemërimit të Perëndisë është thelbësor që ai përjetim të jetë real dhe domethënës. Puthja e rrezatimit të ngrohtë ishte e papërballueshme, saktësisht për shkakun se ekziston një gjë e tillë si goditja nga një rrufe, dhe kjo ishte saktësisht ajo që meritoja. Pa realitetin e drejtësisë dhe zemërimit, ajo puthje do të kishte qenë shumë pa vlerë. Por, në fakt, ma theu zemrën.

Tejshpuar prej mirësisë

A nuk është kjo ajo që Pjetri përjetoi te Luka 5? Ata kishin peshkuar gjithë natën dhe nuk kishin zënë asgjë. Por Jezusi u tha që të shkonin në të thella dhe të hidhnin rrjetat. Pjetri protestoi: "Mjeshtër, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë, por, mbi fjalën tënde, do ta hedh rrjetën" (Luka 5:5). Kur të dyja varkat u mbushën me peshq—domethënë, kur Krishti e puthi Pjetrin me mirësi, pavarësisht dyshimeve të tij—Pjetri ra në gjunjë para Jezusit dhe i tha: "Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar" (Luka 5:8). Në praninë e mirësisë së gjithëpushtetshme Pjetri u pushtua nga zemërthyerja e vërtetë.

David Brainerd, i cili u predikoi vendasve amerikanë, dalloi të njëjtën gjë. Ai tha: "Ishte e habitshme të shihja se si zemrat e tyre dukej sikur tejshpoheshin nga ftesat e ëmbla dhe të buta të ungjillit, kur nuk iu flitej as edhe një fjalë frikësuese" (Jeta e David Brainerd, 307).

Çfarë mund të mësojmë nga këto tre përjetime? Tre mësime.

1. Zemërthyerja e vërtetë rrjedh prej dashurisë.

Lotët autentikë të zemërthyerjes së vërtetë për mëkatin rrjedhin nga shenjtëria e dashur, jo nga frika prej pasojave e të mos pasurit këtë shenjtëri.

E thënë ndryshe, nëse lotët tuaj, që derdhen për shkak se nuk keni diçka, do ta nderojnë atë që nuk e keni, atëherë vërtetë duhet ta dëshironi dhe ta doni, dhe jo vetëm të dëshironi t'u shpëtoni pasojave e të mos pasurit. Duhet ta doni atë që ju mungon, nëse lotët që derdhni për shkak se nuk e keni, do të tregojnë vlerën e saj.

Kjo do të thotë që zemërthyerja e vërtetë që e nderon Perëndinë duhet të pararendet nga të rënët në dashuri me Perëndinë. Të qarët në një mënyrë që e nderon shenjtërinë e Perëndisë duhet të pararendet nga të rënët në dashuri me shenjtërinë e tij. Ndryshe lotët tuaj nuk do të jenë për shkak se ju mungon ajo që doni, por vetëm për shkak të frikës nga zemërimi i Perëndisë.

Vini re sa e çuditshme duket kjo gjë në fillim: Perëndia dhe udha e tij e shenjtërisë duhet të bëhen thesari juaj—gëzimi juaj—para se të mund të vajtoni për faktin që nuk e keni këtë shenjtëri. Për ta thënë në mënyrë edhe më paradoksale, ju duhet ta njihni Perëndinë dhe shenjtërinë e tij si gëzimin tuaj para se mungesa e tyre të jetë brenga juaj. Gëzimi në Perëndinë është bazë për trishtimin e perëndishëm mbi mëkatin. Ju duhet të bini në dashuri me Perëndinë para se largimi nga Perëndia t'iu lëndojë vërtet.

2. Jo çdo trishtim e nderon Perëndinë.

Është e mundur të vajtoni për shkak se nuk keni shenjtëri jo për shkak të dashurisë tuaj për shenjtërinë, por për shkak të frikës tuaj që nuk e keni këtë shenjtëri.

Shumë kriminelë do të qajnë kur të lexohet dënimi i tyre, jo për shkak se tashmë e duan drejtësinë, por për shkak se liria e tyre për të kryer më tepër padrejtësi po iu hiqet, dhe për shkak se do të përjetojnë dhimbje. Që dikush të qajë për ndëshkimin, që do të marrë, për shkak se ka bërë gjënë e gabuar, nuk është një shenjë që ai person e urren të ligën, po vetëm sepse urren dhimbjen. Ky lloj të qari nuk është zemërthyerje apo pendim i vërtetë i ungjillit. Gjithashtu nuk të çon drejt bindjes së krishterë.

Ta dish këtë gjë, është thelbësore në çdo këshillim dhe predikim. Shpesh lotët janë të shumtë atje ku nuk ka zemërthyerje. Këshilltari duhet të ushtrojë dallim. Dhembshuria për lotët, në të cilët nuk dallohet mungesa e dashurisë për shenjtërinë dhe nënshtrimin ndaj Krishtit, do të çojë në një këshillim të dobët, në ngushëllim të parakohshëm dhe në shërim sipërfaqësor.

3. Fitojini njerëzit me bukurinë e Perëndisë.

Predikimi dhe këshillimi që kanë për synim të prodhojnë zemërthyerje të vërtetë të ungjillit duhet të përpiqen për ta bërë Perëndinë dhe shenjtërinë e tij të duket më tepër joshëse dhe tërheqëse në mënyrë që, përmes prekjes së Frymës së Shenjtë, njerëzit të mund ta duan shenjtërinë e Perëndisë aq shumë sa të ndiejnë keqardhje për shkak se nuk e arrijnë atë.

Ai lloj predikimi dhe këshillimi, që prodhon zemërthyerje për mëkatin, është e sigurt që do ta pikturojnë shumë qartë sfondin e drejtësisë dhe zemërimit të Perëndisë. Por do ta kuptojnë që lotët e zemërthyerjes, për mospasjen e shenjtërisë, vijnë nga zgjimi i gëzimit në shenjtërinë e Perëndisë. Prandaj, barra e predikimit dhe këshillimit tonë do të jetë përpjekja e zhytur në lutje për ta paraqitur Perëndinë në Krishtin si të gjithëlavdishëm dhe të gjithëkënaqshëm. Kjo, për shkak se gjithë trishtimi, që e nderon Perëndinë, është i rrënjosur në gëzimin që nderon Perëndinë.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/all-god-honoring-sorrow-is-rooted-in-god-honoring-joy 
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>