A mendon se Perëndia ka qëllime për jetën tënde, të cilat do të realizohen pas 1,400 vitesh?

Unë them se po. Për jetën tënde dhe për jetën time.

Po, pas kaq shumë vitesh qielli dhe toka e re mund të kenë ardhur. Kështu shpresoj. Nëse është kështu, ka gjëra që po të ndodhin ty tani, të cilat do të kenë jehonën e tyre atëherë për të mirën tënde.

E them këtë gjë për shkak se Pali thotë: "Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë" (2 e Korintasve 4:17). Kur Pali flet për "shtrëngimin e lehtë të tanishëm," ai po u referohet të gjitha përjetimeve të dhimbshme të jetëve tona—të njëjtën gjë do të thotë ai edhe me shprehjen "vuajtjet e kohës së tanishme" te Romakëve 8:18. E gjithë kjo është në kohën e tanishme.

Kur ai thotë se këto përjetime përgjatë jetës “prodhojnë për ne një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë”, ai po thotë se ka një lidhje mes këtyre përjetimeve tani dhe përjetimeve tona në lavdi më pas. Ajo lidhje është më tepër se thjesht vazhdimësi, dhe është më tepër se një provë për faktin që do të shkojmë në lavdi.

Për Palin do të ishte fare pak ngushëllim nëse do të thosha që ideja ishte: "Mënyra si unë e trajtoj dhimbjen time të shpinës dhe si e trajton ti prerjen e kokës janë prova që të dy ne po shkojmë në lavdi." Kjo është e vërtetë. Por nuk është ky theksi i fjalës "prodhon" (katergazetai). Fakti që atij iu pre koka do të ketë një efekt të ndryshëm në lavdinë e tij, nga sa do të ketë dhimbja ime e shpinës në lavdinë time. Unë do të jem edhe më i lumtur për shpërblimin e tij.

Gjithçka lidhet me gjithçka

Po sikur Krishti të mos jetë kthyer pas 1400 vitesh? A do të sjellë jeta jote një ndryshim në atë botë? Mendoj se po. Në qeverisjen që Perëndia ushtron mbi botën, gjithçka lidhet me gjithçka.

Konsidero këtë ilustrim.

Kur isha në Etiopi, nëntorin e shkuar, më treguan për një misionar etiopas, i cili shkoi në Pakistan. Ai hyri në një qytet me synimin për të ungjillëzuar dhe për të mbjellë një kishë, edhe pse Pakistani nuk është i hapur ndaj kësaj lloj pune misionare.

Kur ai takoi udhëheqësit e qytetit dhe ata zbuluan se ai ishte nga Etiopia, i thanë diçka të tillë: "Ti mund të punosh këtu. Ne të kemi borxh dhuratën e mikpritjes pa barriera, sepse populli yt e strehoi familjen e Muhamedit para 1400 vitesh."

Vendi i drejtësisë

Që nga ajo kohë jam përpjekur të zbuloj historinë pas kësaj deklarate të mahnitshme. Në vitin 2008 u mbajt një simpozium pikërisht për këtë traditë. Studiues nga Princeton, Cornell, Rutgers dhe nga Muzeu Kombëtar i Etiopisë u takuan për të diskutuar zbulimet e reja historike.

Në historinë dhe traditën islamike, Etiopia (Abisinia) njihet si "Strehimi i migrimit të parë" të myslimanëve. Gjatë jetës së Muhamedit (570 – 632) ndjekësit e tij po përndiqeshin nga fiset pagane në rrethinat e Mekës.

Dr. Said Samatar, profesor i Historisë Afrikane në Rutgers, shpjegoi për “Mbretin Armah (Negash) dhe vendimin e tij për t'i dhënë strehim familjes së profetit Muhamed, e cila arriti në Aksum teksa po largoheshin nga përndjekësit e tyre paganë. Mbreti Armah, ishte i krishterë dhe kishte namin që i trajtonte njerëzit me bujari. Dr. Samatar përshkroi se si "një mbret i krishterë refuzonte ryshfetet dhe i strehoi në Aksum myslimanët që ishin arratisur nga vendi i tyre".

“Muhamedi nuk e harroi bujarinë e Negash-it," tha ai, "dhe në thëniet (hadithët) e profetit, të cilat janë regjistruar dhe janë kaluar brez pas brezi, vihet në pah që 'Abisinia [Etiopia] është vend i drejtësisë në të cilin nuk shtypet askush.'"

Për pasojë, për shumë myslimanë edhe sot, 1400 vite më pas, "Etiopia është sinonimi i lirisë nga përndjekja dhe i çlirimit nga frika".

Konsidero ndikimin tënd

A mendon se të krishterët e Abisinisë, 1400 vjet më parë menduan se ajo që po bënin do të kishte një efekt për lavdinë e Krishtit dhe për të mirën e botës katërmbëdhjetë shekuj më vonë, kur një kryetar bashkie në Pakistan do ta hapte qytetin e tij për një misionar të krishterë etiopas?

Kështu pra, përfundimi im është që ajo çka bëjmë me bindje ndaj Krishtit në këtë jetë, nuk shkon kurrë dëm. Veprimet tona janë si zajet që hidhen në pellgun e historisë. Nuk ka rëndësi sa i vogël është zalli ynë, Perëndia është ai që sundon valëzimet. Ai bën që forma mbi sipërfaqen e ujërave të jetë saktësisht ajo që ai vendos.

Zajet e tua kanë rëndësi. Hidhi ato me besnikëri të përditshme dhe lëri valëzimet në dorë të Perëndisë.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, dhe Virusi Korona dhe Krishti.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-effect-of-your-life-in-1400-years 

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore:
Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>