titulli forca (1)

Mars 2020                                                  Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Një furnizim për të lodhurin

Si njerëz të brishtë, shpeshherë arrijmë në pikën e fundit të energjisë dhe të forcës, prandaj duhet të mësojmë të mbështetemi në sigurimin e pafundmë të Atit tonë Qiellor. Kërkoji ndihmë dhe forcë Perëndisë kur ato të mungojnë, dhe inkurajohu nga mjaftueshmëria e Tij, e përshkruar në shkrimet e mëposhtme me koment nga Bibla e Studimit ESV.

Psalmi 46:1-7

Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë,
një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
Prandaj ne nuk do të kemi frikë
edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
dhe ujërat e tij të tërbohen e të shkumojnë,
dhe malet të dridhen në fryrjen e tij. (Sela)
Është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë,
vendin e shenjtë ku banon Shumë i Larti.
Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi;
Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen;
ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
Zoti i ushtrive është me ne;
Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Populli i Perëndisë është i sigurt, edhe në kohë trazirash e turbullimesh, sepse Perëndia është “një strehë dhe një forcë” (Psalmi 46:1). Perëndia është i pranishëm në qytetin e tij (një simbol i popullit si një i tërë) për ta mbrojtur në çdo rrethanë. Psalmi 46:2-3 përdor tërmetet, rrëshqitjet e tokës dhe detin e tërbuar si imazhe për “kombet” e tërbuara dhe “mbretëritë” e shkatërruara (Psalmi 46:6). Ka gjithashtu një kontrast: “malet të hidhen” (46:2), Sioni nuk do të luajë nga vendi (46:5). Arsyeja është sepse Perëndia ka zgjedhur Sionin si “vendin e shenjtë”, ku populli i tij vjen për ta adhuruar (Psalmi 46:4). “një lumë”, në kontrast me ujërat e tërbuar (46:2-3), “brigjet” e këtij lumi (ndoshta një imazh i hirit që gjendet në adhurimin ndaj Perëndisë së vërtetë; krahaso Ezekieli 47:1-12) gëzojnë qytetin e Perëndisë.

Jozueu 1:9

“A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh.”

Tri herë Perëndia i kërkon Jozueut të jetë “i fortë dhe trim”, fjalë që më herët i qenë thënë nga Moisiu në caktimin e tij për të udhëhequr popullin (shiko Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueut do t’i duhet forcë dhe guxim për të pranuar detyrën (“ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin”; Jozueu 1:6); për t’iu bindur Ligjit (“Libër i ligjit” Jozueu 1:8; me shumë mundësi përfshihet libri i Ligjit të Përtërirë, ose pjesë të tij [shiko Ligji i Përtërirë 21:26, “këtë libër të ligjit”]); dhe për të mos lejuar veten të tmerrohej (mos ki frikë dhe “mos u thyej”; Jozueu 1:9). Më e vështira prej të gjithave do të jetë përgjegjësia e dytë—pra, ta bëjë ligjin e Perëndisë (Torah hebraisht) përcaktues të asaj që është dhe bën (Jozueu 1:8a), të meditojë rreth tij vazhdimisht për të vepruar sipas tij (Jozueu 1:8b). Prandaj, në këtë kërkesë të dytë, theksi vendoset në përdorimin e dy fjalëve: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim.” Duke marrë parasysh përgjegjësinë e udhëheqjes që Jozueu mori, kjo kërkesë për të qenë i fortë dhe trim do të kishte qenë tmerruese nëse nuk do të kishte nisur dhe do të përfunduar me këto premtime: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5); dhe “ZOTI, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9). Vetëm pasi mori sigurinë e prezencës së pandashme të Perëndisë, Jozueu u fuqizua për të marrë mandatin e tij me guxim. Terminologjia hebraike, e përdorur në këto premtime, nuk ka të bëjë fare me pasurinë apo suksesin njerëzor, por ka plotësisht të bëjë me përmbushjen e misionit dhe të vepruarit me urtësi të madhe në çdo situatë që del përpara. Vetëm nëse dikush nuk “këshillohet me ZOTIN” (Jozueu 9:14) atëherë kjo mendjeprehtësi mungon.

Isaia 40:28-31

Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? 
Perëndia i përjetësisë, ZOTI, 
krijuesi i kufijve të tokës nuk mundohet dhe nuk lodhet, 
zgjuarsia e tij është e panjohshme. 
Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. 
Të rinjtë mundohen dhe lodhen, 
të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, 
por ata që shpresojnë te ZOTI fitojnë forca të reja, 
ngrihen me krahë si shqiponja, 
vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.

Perëndia nuk vuan nga lodhjet apo mundimet, por ai ndihmon ata që i përjetojnë. “Të rinjtë”, edhe në më të mirën e vet, forca njerëzore dështon. Vetëm premtimi i Perëndisë mund të mbajë këmbënguljen e njeriut. “ata që shpresojnë te ZOTI”, gjetja e kënaqësisë në premtimet të Perëndisë, përmes besimit, deri në kohën e përmbushjes, do të na japë gjithmonë “forca të reja”.

Filipianëve 4:13

Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon.

“Sekreti” i të jetuarit mes vështirësive është i thjeshtë: t’i besosh Perëndisë aq shumë sa të mund të thuash: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të atij që më fuqizon”, kjo nuk do të thotë se Perëndia do të bekojë gjithçka që bën një person; vargu duhet lexuar brenda kontekstit të letrës, ku theksi bie mbi bindjen dhe shërbesën ndaj Perëndisë e ndaj të tjerëve.

2 e Korintasve 12: 9-10

Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.

“Hiri im të mjafton”, Pali thotë se hiri i Perëndisë “mjafton” (në kohën e tashme), duke nënvizuar mjaftueshmërinë dhe gatishmërinë e përhershme të hirit të Perëndisë, për Palin dhe për çdo besimtar, pavarësisht sa kritike mund të jenë rrethanat e tij (krah. me Romakëve 8:31-39). “Fuqia ime përsoset në dobësi”, Palit nuk i lejohej të fliste për zbulesat e tij qiellore (2 e Korintasve 12:4, 6), por ai citon deklaratën e Krishtit (“hiri im të mjafton”) për të theksuar se dobësitë e tij tokësore (jo zbulesat e tij) do të bëheshin platforma e demostrimit dhe përsosjes së fuqisë së Zotit. Kjo është pika kryesore e 2 e Korintasve 12:1-13 dhe themeli i vetëmbrojtjes së Palit përgjatë letrës së dytë drejtuar korintasve.

Nehemia 8:10

Pastaj Nehemia u tha atyre: “Shkoni, hani ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar ZOTIT tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i ZOTIT është fuqia juaj”.

“Gëzimi i ZOTIT është fuqia juaj”, populli duhet të jetë i gëzuar. Edhe pse brenga për mëkatin ishte një përgjigje pozitive, qëllimi kryesor i mësimit ishte gëzimi i ripërtëritjes së marrëdhënies me Perëndinë. Nehemia dhe Ezra së bashku vendosin se kjo ditë e shenjtë (Levetiku 23:24), duhet të jetë një ditë gëzimi, edhe pse leximi kishte sjellë shumë njerëz në nevojën për pendim për mëkatet e tyre. Ndërsa populli gëzonte në Perëndinë dhe kënaqej në praninë e tij, ai do të shfaqej në forcën e tij për t’i ndihmuar dhe për t’i mbrojtur ata. “Gëzimi” ishte kryesor, sepse Perëndia e kishte shpëtuar Izraelin, edhe në të shkuarën e largët edhe në atë të afërt, dhe kjo histori e shpëtimit do të tregohej sërish në leximin e Librit të Ligjit.

Eksodi 15:2

ZOTI është forca ime dhe kënga ime, 
ai ka qenë shpëtimi im. 
Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; 
është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.

Kantiku i lavdërimit është festimi i triumfit mbi ushtrinë e faraonit në Detin e Kuq, si një përfaqësim i fuqisë dhe sundimit të Zotit. Është e ngjashme me këngë të tjera apo psalme edhe në Dhiatën e Vjetër, edhe në të Renë që festojnë ngjarje të veçanta, të cilat shfaqin karakterin e Perëndisë. Mbytja e ushtrisë së faraonit nga dora e Zotit është ngjarja kryesore që festohet në këtë kantik. Referenca e dhënë në njëjës ‘ndaj Perëndisë së atit tim’ jehon fjalët e Zotit drejtuar Moisiut në shkurren që digjej, që tregon se kjo frazë i referohet “Perëndisë së Abrahamit, Perëndisë së Isakut dhe Perëndisë së Jakobit” (Eksodi 3:6) dhe aftëson Izraelin të thotë për Të: “Ky është Perëndia im”.


Efesianëve 6:10-13

Së fundi, vëllezërit e mi, fuqizohuni në Zotin dhe në forcën e pushtetit të tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër dredhive të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore. Prandaj merrni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e ligë dhe të qëndroni në këmbë pasi të keni kryer çdo gjë.

Pali përmbyll porositë e tij me udhëzime për të gjithë të krishterët. Imazhi i tij është një portretizim i vazhdueshëm i jetës shpirtërore si një betejë frymërore, ku duhen përdorur burimet e Perëndisë. Pali prezanton armatimin e Perëndisë duke u fokusuar te fuqia që ai jep. “Fuqizohuni”, duke qenë se të krishterët nuk mund të luftojnë me forcat e tyre kundër fuqive shpirtërore, ata duhet të mbështeten në “madhështinë” e “fuqisë” së Perëndisë (shiko Efesianëve 1:19), që ai e jep me bollëk përmes lutjes (Efesianëve 6:18). Fjala greke për “gjithë armatimin” (panoplia) i referohet të gjitha pjesëve të armatimit të plotë të një ushtari, që përbëhet edhe nga mburojat, edhe nga armët, si ato të përshkruara tek Efesianëve 6:14, 16-17. Përshkrimi që Pali bën këtu është marrë kryesisht nga Dhiata e Vjetër, megjithatë termat e përdorur përputhen mirë edhe me armatimet romake (sidomos termat për mburojën e madhe me formën e një dere, si dhe për shpatën e shkurtër). Përshkrime të tilla të armatimeve mund të shihen vizualisht te mburojat e jashtme të vjetra ushtarake (sidomos te sarkofagët) gjatë perandorisë romake. “Dredhive”, këtu origjina djallëzore shfaqet duke iu referuar “dredhive dinake” të atyre që mësojnë doktrinën e rreme (Efesianëve 4:14; shiko edhe 1 e Gjonit 2:18, 22; 1 e Gjonit 4:3; 2 e Gjonit 7).


Habakuku 3:19

“ZOTI, ZOTI, është forca ime;
ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të drerëve 
dhe do të më bëjë të eci mbi lartësitë e mia”. Mjeshtrit të korit. Për veglat me tela.

Ndërsa priste shkatërrimin e madh nga duart e babilonasve, Habakuku ka ndryshuar tërësisht— ai nisi duke i treguar Perëndisë si të qeveriste botën e Tij dhe përfundoi duke i besuar Perëndisë se Ai di më mirë dhe se Ai do të sjellë drejtësinë. “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë”, Habakuku 3:17 përmban një listë të cituar shpeshherë me katastrofa materiale, në të cilat të gjitha të korrat dhe gjëja e gjallë humbin dhe si rezultat nuk dihet si do të gjendet ushqim për të ngrënë. Gjithsei, edhe në mes të vuajtjes dhe në mes të humbjes, Habakuku ka mësuar se mund t’i besojë Perëndisë, dhe me këtë besim vjen gëzim i madh, jo në rrethanat por në vetë Perëndinë: “unë do të ngazëllohem te Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim”. Zoti është bërë forca e Habakukut (shih Psalmin 18:32, 39).

“Ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të drerëve”, Habakuku mund të ketë siguri të plotë në Perëndinë dhe mund të qëndrojë lart edhe në mes të rrethanave të vështira (shih Malakia 4:2). “Mjeshtrit të korit”—me shumë mundësi, drejtuesi i muzikantëve të tempullit (shih Psalmi 4; 5; 6; 8; 9; 11 etj.) “Veglat me tela”—harpat, qeste etj. (shih Psalmi 33:2; 92:3; 144:9). Ky nocion liturgjik sugjeron se Habakuku e kishte bërë këtë si një “lutje” (Habakuku 3:1) që besnikët ta këndonin bashkë.

Ligji i Përtërirë 6:5

Ti do ta duash, pra, ZOTIN, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.

“Ta duash”, shiko Ligji i Përtërirë 4:37. “Gjithë”, vetëm Zoti është Perëndi i Izraelit dhe ky fakt çon në kërkesën e një përkushtimi të plotë dhe të dedikuar të Izraelit ndaj tij. “Zemër… shpirt… forcën”, të gjithë izraelitët, me gjithë qenien e tyre, duhet të duan Zotin: “ky është urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Te Mateu 22:37, Marku 12:30 dhe Luka 10:27, Jezusi përfshin gjithashtu edhe “mendjen”. Në hebraishten e vjetër, “zemra” përfshinte atë që ne e quajmë “mendje”. “Forca” nënkupton energji dhe aftësi.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-strength/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 (Përditësuar në 2024)


EtiketaCrossway, Forca

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>