key verses kindness

Qershor 2022                                          Nga: Crossway


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Romakëve 2:1-4

Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pajustifikueshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra. Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës kundër atyre që bëjnë gjëra të tilla. Dhe a mendon, ti, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i arratisesh gjykimit të Perëndisë? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos ditur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?

Perëndia nuk i dënon ata njerëz thjesht sepse gjykuan të tjerët, por sepse bënë të njëjtat mëkate që dënuan te të tjerët (të njëjtat gjëra, sidomos ato të përmendura te Romakëve 1:29-31). Të gjithë njerëzit janë të pajustifikueshëm, sepse të gjithë, pa përjashtim, kanë mëkatuar kundër Perëndisë.

“Apo i përçmon”, me shumë mundësi, i drejtohet judenjve, të cilët mendonin se marrëdhënia e besëlidhjes me Perëndinë do t’i mbronte nga gjykimi i fundit. Në fund të fundit, ata e kishin përjetuar shpesh mirësinë, kujdesin dhe durimin e Tij. Ata njerëz mendonin se këto bekime tregonin që ishin në rregull me Perëndinë dhe nuk kishin nevojë të besonin në Krishtin, por Pali thotë të kundërtën: bekimet e Perëndisë duhet t’i kishin shtyrë të pendoheshin për mëkatet e tyre.

Galatasve 5:22-24

Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja. Kundër tyre nuk ka ligj. Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet.

Fryma lufton kundër mëkatit, jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm, duke prodhuar te të krishterët atributet pozitive të karakterit të perëndishëm, të cilat janë të gjitha të dukshme në Jezusin tek ungjijtë. Mirësi do të thotë të tregosh zemërmirësi, bujari dhe ndjeshmëri ndaj të tjerëve, që është gjithashtu atribut i Perëndisë (Romakëve 2:4).

“Kundër tyre nuk ka ligj”, prandaj ata që i shfaqin po përmbushin ligjin – më tepër se ata që këmbëngulin në ceremoni judaike, e po ashtu më tepër se ata që ndjekin veprat e mishit të shqyrtuara te Galatsve 5:19-21.

Edhe njëherë, Krishti dhe Fryma (Galatasve 5:25) bashkohen si burim i jetës së besimtarit. Të krishterët kanë kryqëzuar mishin, ose kanë vdekur me Krishtin ndaj mëkatit (shih Galatasve 6:14; Romakëve 6:4-6). Tani që rendi i vjetër i gjërave është larguar nga besimtarët, natyra e tyre e vjetër mëkatare që i përkiste atij rendi, është shkatërruar gjithashtu – prandaj nuk duhet t’i kushtojnë rëndësi. “Mishi” këtu nuk duhet kuptuar si trup fizik, por si natyrë e rënë dhe mëkatare e njeriut, me gjithë dëshirat e veta.

Efesianëve 4:31-32 

Le të hiqet nga ju çdo hidhësi, inat, zemërim, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo mbrapshti. Por jini të mirë dhe të përdëllyeshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.

“Çdo hidhësi” do të thotë “çdo lloj hidhësie”. “Çdo” përcakton cilësitë në listë, duke u thënë lexuesve të hedhin tej gjithë zemërimin, inatin, të bërtiturit, sharjet dhe mbrapshtitë. “Hidhësia” mund të jetë në krye të listës, sepse shpesh çon në mëkatet e tjera që Pali përmend. Hidhësia vjen nga një zemër që nuk është e drejtë para Perëndisë (Veprat 8:21-23); është karakteristikë dalluese e një personi të pandryshuar (Romakëve 3:10-14); dhe shkakton shkatërrim dhe ndotje (Hebrenjve 12:15). Hidhësia dhe zemërimi mbeten kështu, të papajtueshme me karakterin e krishterë dhe duhen hedhur tej. Shpesh njerëzit janë shumë të pakujdesshëm me të folurit e tyre (“sharje”), edhe pse gjuha është si ai zjarri i vogël që mund të djegë një pyll të madh (Jakobi 3:5-6).

Të pasurit mirësi, zemërbutësi dhe falje rrjedh nga të kujtuarit vazhdimisht që ishte Perëndia i cili na fali i pari dhe se ne duhet të falim çdo ditë, siç na kujton edhe Lutja e Zotit: “dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mateu 6:12; krah. me Luka 11:4).

Luka 6:35-36

Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Më të Lartit, sepse ai është dashamirës me mosmirënjohësit dhe të ligjtë. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

Perëndia e urren të keqen, e megjithatë, Ai përsëri sjell shumë bekime në këtë jetë, edhe për armiqtë e Tij (Luka 6:45) përmes mjeteve të “hirit të përbashkët” (favori që u jep gjithë njerëzve, jo vetëm besimtarëve). Këto bekime kanë për qëllim të drejtojnë jobesimtarët në pendim (Veprat 14:17; Romakëve 2:4). Natyrisht, është e vërtetë që Perëndia urren të pabesët dhe të gjithë ata që kryejnë padrejtësi (krah. me Psalmin 5:5; 11:5; Efesianëve 2:3), por bekimet e hirit të përgjithshëm të Perëndisë përmbajnë veprimin e Tij të parë sigurues drejt njerëzimit, këtu dhe tani.

Mbajtja e urdhërimeve, te Luka 6:35a, rezulton në një shpërblim të madh për ty (krah. me Luka 6:23). “Ju do të jeni bijtë”, nuk do të thotë ‘ju do të bëheni bij’, por ‘ju do të demonstroni se jeni bij’, duke imituar kujdesin dhe mëshirën e Perëndisë edhe për ata që janë të ligj.

Kolosianëve 3:12-13

Vishni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur: përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi, zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin dhe duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ka ankesë kundër një tjetri; sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

Pali i thërret kolosianët në një jetesë të shenjtë, në përputhje me identitetin e tyre të ri. Besimtarët janë zgjedhur nga Perëndia dhe qëndrojnë para Tij si të shenjtët e Tij të dashur. Ata duhet të jetojnë në përputhje me atë që janë në Krishtin.

Toleranca është një virtyt brenda komunitetit të krishterë, edhe pse është e qartë se Pali nuk do që kolosianët të tolerojnë mësimin e rremë. Kur trajtohen keq dhe tradhtohen, të krishterët janë thirrur t’i falin të tjerët, ashtu siç janë falur për tradhtinë e tyre ndaj Krishtit. Shih vargjet nga Mateu 6:12; Mateu 6:14-15; Mateu 18:21-22.

Galatasve 6:9-10 

Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e vet. Prandaj, pra, si të kemi kohë, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por më shumë atyre që janë pjesëtarë të shtëpisë së besimit.

Ndërsa besimtarët presin shpërblimet e tyre (Galatasve 6:7-9), ata duhet të bëjnë të mira. Fokusi kryesor duhet të jetë që t’u shërbejnë pjesëtarëve të kishës, por asnjëherë nuk duhet të përjashtojmë njerëzit e tjerë në botë. Siç e bëri të qartë edhe Jezusi (p.sh., Mateu 6:33), besnikëria kryesore e të krishterit është ndaj mbretërisë së Perëndisë, me Perëndinë si Atin tonë qiellor (Mateu 6:9, 32; 12:50; krah. me Mateu 8:21-22), dhe jo para miqve, punës, shkollës, sporteve, apo çfarëdo gjëje tjetër, qoftë edhe familjes tokësore.

Efesianëve 2:4-7

Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, na dha jetë bashkë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli bashkë me të dhe na vuri të ulemi bashkë me të në vendet qiellore në Krishtin Jezus, që të tregojë në kohët që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.

Asnjë fat i pashpresë nuk duket më i zymtë se sa ai që pret grupin e dëshpëruar të njerëzve, të cilët marshojnë pas “prijësit të pushtetit të ajrit” (Efesianëve 2:2) drejt shkatërrimit të tyre nën zemërimin hyjnor. Atëherë kur gjërat duken më të shkreta, Pali shqipton frazën e shkurtër më të jashtëzakonshme në historinë e fjalimeve njerëzore: “Por Perëndia” i pasur në mëshirë. Mëshira e Perëndisë mbi armiqtë e Tij të pashpresë rrjedh nga zemra e Tij e dashur, jo nga ndonjë gjë që ata kanë bërë për ta merituar.

Pali përmbledh mendimin e tij fillestar, që fillon me: “juve, që ishit të vdekur në shkelje” te Efesianëve 2:1. Perëndia na dha rigjenerimin (jetë të re të brendshme). Këto dhe dy foljet te Efesianëve 2:6 (“na ringjalli” dhe “na vuri të ulemi”) përbëjnë foljet kryesore të fjalisë së gjatë tek Efesianëve 2:1-10. Meqenëse të krishterët ishin të vdekur, së pari ata duhet të ktheheshin në jetë para se të mund të besonin (dhe Perëndia e bëri këtë bashkë me Krishtin).

“Na ringjalli bashkë me të” do të thotë se, për shkak të ringjalljes së Krishtit, ata që besojnë në Të, marrin jetë të re frymërore në këtë kohë (rilindje). Kur Krishti të kthehet, atyre do t’u jepen gjithashtu trupa të rinj fizikë (ringjallja e ardhshme). Perëndia ka lejuar që njerëzit e Tij, edhe tani, të ndajnë në njëfarë mase autoritetin që Krishti ka, ulur në të djathtën e Perëndisë (Efesianëve 1:20-22; Efesianëve 6:10-18; Jakobi 4:7; 1 e Gjonit 4:4), një e vërtetë që do të ishte veçanërisht e rëndësishme në Efes ku kishte praktika të shpeshta kultesh. Efesianëve 7:2 i përgjigjet pyetjes se përse Perëndia derdhi kaq dashuri mbi popullin e Vet: që ata të mahniten për gjithë përjetësinë, për mirësinë dhe dashurinë e pabesueshme të Perëndisë. Do të duhet e gjithë përjetësia për të matur thellësinë e dashurisë së Perëndisë dhe ata që janë shpëtuar nuk do ta humbasin kurrë thellësinë e saj.

Fjalët e Urta 21:21 

Kush ndjek drejtësinë dhe mirësinë, ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.

Ky varg flet për ndjekjen e drejtësisë dhe mirësisë; dhe Fjalët e Urta 22:1 na mëson se njeriu duhet të zgjedhë një emër të mirë (shenjë e një njeriu të drejtë dhe të mirë) në vend të pasurisë. Prandaj Fjalët e Urta 22:1 i përgjigjet Fjalëve të Urta 21:20-21; mençuria i mundëson një personi të arrijë begatinë, por njeriu gjithmonë duhet të përpiqet të arrijë emrin e mirë përmes drejtësisë dhe mirësisë, mbi pasuritë. Fjalët e Urta 22:21, e cila flet për rëndësinë e mençurisë në një aksion ushtarak – pushtimi i një qyteti – merr përgjigje nga Fjalët e Urta 21:30-31. Ky varg siguron se asnjë mençuri… s’mund të përballet me ZOTIN (Fjalët e Urta 21:31) dhe sado me kujdes ta planifikojë dikush aksionin ushtarak, fitorja është në duart e ZOTIT (Fjalët e Urta 21:31). E gjithë pjesa na mëson se suksesi vjen nga mençuria, por asnjë masë inteligjence nuk përballet dot me vullnetin sovran të Zotit. Në fund, një zemër e mirë është më e vlefshme se fuqia dhe pushteti.

1 e Korintasve 13:4-6 

Dashuria është zemërgjerë, plot mirësi; dashuria nuk ka zili, nuk krekoset, nuk fryhet, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk llogarit të keqen; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën.

Dhuntitë frymërore pa dashuri janë pavlerë. Dashuria është supreme, sepse zgjat përgjithmonë. Foljet “beson” dhe “shpreson” janë të vendosura midis “duron” dhe “mban”, dhe ashtu si ato (“beson” dhe “shpreson”), (edhe “duron” dhe “mban”) me shumë mundësi i referohen marrëdhënies midis njerëzve sesa besimit dhe shpresës në Perëndinë. Dashuria beson më të mirën e të tjerëve dhe shpreson më të mirën për to (“duron” dhe “zgjat”).

Mateu 7:12 

Gjithçka, pra, që ju doni t’ju bëjnë njerëzit, kështu ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.

I njohur si “Rregulli i Artë”, ky varg përmbledh mësimin e Ligjit dhe të Profetëve. Mënyra si dikush dëshiron të trajtohet duhet të përcaktojë mënyrën si ai i trajton të tjerët. Kjo duhet të vijë natyrshëm për besimtarët që e duan Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen e tyre, dhe që e duan të afërmin si veten (Mateu 22:37-40).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-kindness/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Mirësia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>