key-verses-thankfulness

Tetor 2022                                     Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

1 e Thesalonikasve 5:15-18

Shikoni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqe; por ndiqni gjithmonë të mirën edhe ndaj njëri-tjetrit edhe ndaj të gjithëve. Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Në gjithçka falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.

Në letrat e Palit, gëzimi është një tipar bazë i të krishterit (Romakëve 14:17) dhe një fryt i Frymës (Galatasve 5:22). Ky gëzim shpesh shoqërohet me shpresën e patundur të të krishterit (p.sh., Romakëve 5:2-5; 12:12).

“Lutuni pa pushim” sugjeron një qëndrim lutjeje, bashkësi të vazhdueshme personale me Perëndinë dhe vetëdije për të qenë në praninë e tij gjatë gjithë ditës. Të krishterët duhet të dallohen nga të qenët falënderues (Efesianëve 5:4, 20; Kolosianëve 2:7; 3:15, 17; 4:2). Me shumë mundësi, kjo i referohet vargut nga 1 e Thesalonikasve 5:16-18.

Efesianëve 5:4

As pandershmëria, as të folurit pa mend e fjalë për të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër falënderim. 

Falënderimi, në kontrast me të përqeshurën, është mënyra pozitive e të folurit, dhe gjithashtu kundërshton lakminë (shih Efesianëve 5:3). Rruga për të shmangur lakminë ndaj gjërave që të tjerët kanë, është të përqendrohemi me falënderim në gjërat e mira që Zoti na ka dhënë (shih Efesianëve 5:19-20).

Psalmi 103:1-4

Beko, shpirti im, Zotin
dhe gjithçka që është në mua 
të bekojë emrin e tij të shenjtë. 
Beko, shpirti im, Zotin 
dhe mos harro asnjë nga të mirat e tij. 
Ai fal të gjitha paudhësitë e tua 
dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, 
shpengon jetën tënde nga shkatërrimi 
dhe të kurorëzon me mirësi e dhembshuri. 

Ky është një himn lavdërimi, që feston mirësinë dhe dashurinë e bollshme të Zotit për popullin e tij. Është i pari nga katër psalmet, që reflektojnë ndërveprimet e Perëndisë me popullin e tij nga krijimi deri në internim. Psalmi 103 prezanton sekuencën duke rikujtuar se mbijetesa e Izraelit në kohën e Moisiut ndodhi për shkak të dashurisë së përjetshme të Perëndisë. Përmbledhja e këtyre katër psalmeve fillon me këngën e çdo këngëtari, që nxit shpirtin e tij ose të saj të lavdërojë Zotin dhe pastaj rendit të mirat që shpirti duhet të ketë kujdes që të mos i harrojë. E mira kurorëzuese është dashuria besnike e Perëndisë për pasardhjen e njerëzve besnikë, e cila e drejton adhuruesin të nxisë engjëjt dhe krijimin fizik të bashkohet me të në adhurim ndaj Zotit. Këto të mira vijnë për individin (“ti” në Ps. 103:3-5 i referohet “shpirtit tim”, pra, mua), por nuk janë individualiste: ai apo ajo është anëtar i komunitetit (Psalmi 103:6-14, duke menduar për popullin e Perëndisë), dhe kontribuon në përparimin e atij komuniteti (Ps. 103:17-18). Siç do ta tregojnë edhe shënimet, psalmi e merr për të mirëqenë historinë e Pentatukut, duke përmendur vargjet nga Zan. 2:7; Zan. 17:17; Eksodi 32-34. Të krishterët hyjnë në gëzimin e këtij psalmi, ndërsa festojnë mënyrën si historia biblike, që është zhvilluar që nga ajo kohë, ka shfaqur edhe më tepër mirësinë dhe zemërbutësinë e Perëndisë. Psalmi 104, edhe pse jo nga Davidi, me shumë mundësi vendoset pranë këtij sepse edhe ai nis e përfundon me: “Beko, o shpirti im, Zotin!” Psalmi 145 është shembulli tjetër i psalmit të Davidit, si një gëzim i vazhdueshëm për mirësinë dhe dhembshurinë e Perëndisë.

Jakobi 1:17

Çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.

Jakobi kalon nga tundimet e liga (të cilat Perëndia nuk i jep kurrë) në shqyrtimin se çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen nga Perëndia (krahaso me vargun nga Mateu 7:11). Njësoj si te Jakobi 1:5, Jakobi u kujton lexuesve mirësinë e Perëndisë. Në sfidat e tyre, Perëndia nuk po i tundon të mëkatojnë, por vështirësitë në jetë kanë për qëllim t’i forcojnë, t’i përsosin e t’i bëjnë më të ngjashëm me Perëndinë. Synimet e Perëndisë për ta janë gjithmonë të mira (krahaso me Romakëve 8:28). Nuk ka asgjë në këtë botë që është vërtet e mirë dhe që nuk e ka origjinën nga lart, pra, nga qielli, dhe zbret nga Ati i dritave, i cili i referohet Perëndisë si krijuesi i “dritave” qiellore (Psalmi 74:16; 136:7-9)–një shembull kryesor për dhuratat e tij të mira. Perëndia është i pandryshueshëm në karakterin e tij, dhe për pasojë është i pandryshueshëm në dhënien e së mirës, ndryshe nga kalimi i natës në ditë apo nga lëvizja e hijes që shkaktohet nga dielli ose hëna.

Filipianëve 4:4-6

Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni! Butësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.

Pali thekson mësimin e Jezusit te Predikimi në Mal (shih Mateu 6:25-34) që besimtarët nuk duhet të shqetësohen, por ta besojnë veten në duart e Atit të tyre të dashur qiellor, paqja e të cilit do t’i ruajë në Krishtin Jezus. Përdorimi i fjalës “ruajë” nga Pali mund të reflektojë burgosjen e tij apo statusin e Filipisë si koloni romake me trupë ushtarake. Sidoqoftë, nuk janë ushtarët romakë ata që i ruajnë besimtarët–por paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe në kontroll, të krishterët mund t’ia besojnë të gjitha vështirësitë e tyre atij, i cili sundon mbi të gjithë krijimin dhe është i mençur e i dashur në të gjitha rrugët e tij (Romakëve 8:31-39). Një qëndrim falënderues kontribuon drejtpërdrejt në këtë paqe të brendshme.

2 e Korintasve 2:14

Por, faleminderit Perëndisë, që na bën të ngadhënjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet.

Një formulë karakteristike falënderimi që, njësoj si te 2 e Korintasve 1:3, parapërgatit dhe prezanton temën që do të vijë (shih 1 e Kor. 15:57; 2 e Kor. 8:16). “Na bën të ngadhënjejmë gjithnjë.” Shumica e interpretuesve e shohin këtë si referencë ndaj kortezheve ngadhënjimtare të fitoreve, të cilat bëheshin në Romë pas betejave të mëdha. Perëndia përshkruhet si fitimtari sovran, me Krishtin si gjeneral, i cili drejton kortezhin e fitores, dhe Pali përshkruhet si “i zënë rob” nga Krishti, por që tani e ndjek atë me gëzim. Imazhe të kortezheve të tilla janë të pasqyruara në disa vepra arti të lashta, si në relievet  te Harku i Titit në Romë, i ndërtuar në fund të shekullit të parë, duke përkujtuar fitoren e perandorit mbi Jerusalemin. Pamja këtu reflekton një temë të përsëritur gjatë letrës së dytë të Korintasve, që është kontrasti mes mposhtjes së dukshme (të përkohshme) të besimtarit dhe fitores së vërtetë (shpirtërore) të besimtarit. Një tjetër pikëpamje është se “të ngadhënjejmë” është një shprehje e lavdërimit të Palit ndaj Perëndisë për drejtimin e Tij (si një i burgosur në një kortezh triumfues romak) në situata vuajtjesh, si ajo që ai përjetoi në Troas (2 e Kor. 2:12, 13). Kështu, përmes vuajtjes së Palit, Perëndia shpërndan kudo erën e mirë të njohurisë së tij (shih vargun 15).

*shën. i përkthyesit: në vargun anglisht, fjala “të ngadhënjejmë” është “marshim fitoreje”.

Kolosianëve 4:2

Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim.

Jezusi i këshilloi dishepujt e tij në të njëjtën mënyrë: “Rrini zgjuar dhe lutuni” (Marku 14:38), që të mos hynin në tundim. Falënderimi nxit lutjen, që të mos bëhet thjesht një kërkesë egoiste për përmbushjen e dëshirave të dikujt (krahaso me Jakobin 4:1-3).

Psalmi 23:1-2

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
Ai më çon në kullota me bar të njomë,
më prin tek ujërat e qeta. 

Zakonisht ky himn klasifikohet si psalm sigurie në kujdesin e Zotit. Ai përdor dy imazhe: Zotin si Bariun që kujdeset për delet (vargjet 1-4), dhe Zotin si Mikpritësin që kujdeset për të ftuarit e tij (vargjet 5-6). Këto imazhe ishin të njohura nga përjetimet e përditshme (për vetë Davidin, krahaso me 1 i Samuelit 17:34); por ato gjithashtu përmendin ide të tjera të pranishme në Lindjen e Afërt në lashtësi (përfshirë Dhiatën e Vjetër), ku hyjnia shihej si bariu i popullit të tij dhe hyjnia si mikpritësi i vaktit. Me adhurim, besnikët festojnë për madhështinë dhe madhërinë e Perëndisë; dhe kur këndojnë këtë psalm, ata e shohin madhështinë në mënyrën si ai kujdeset për secilin prej qengjave të besëlidhjes. Perëndia është bariu për Izraelin si një i tërë; dhe duke qenë i tillë, ai është bariu edhe për çdo izraelit besnik.

Psalmi 50:23

Ai që ofron flijime lavdërimi më përlëvdon
dhe atij që sillet drejt 
do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë. 

Shkruesi i psalmit, Asafi, e përmbledh kështu: Adhurojeni me zemër. Mendimi i fundit e përmbledh të gjithë psalmin, i cili ka si interes kryesor se çfarë do të thotë të anëtarësohesh në popullin e preferuar të Perëndisë: të gjesh kënaqësi me gëzim në praninë e Perëndisë (flijime lavdërimi), dhe të jetosh një jetë të drejtë dhe zemërbutë në bashkësi me popullin e Perëndisë (sillet drejt).

Shkruesi i psalmit, Asafi, e përmbledh kështu: Adhurojeni me zemër. Mendimi i fundit e përmbledh të gjithë psalmin, i cili ka si interes kryesor se çfarë do të thotë të anëtarësohesh në popullin e preferuar të Perëndisë: të gjesh kënaqësi me gëzim në praninë e Perëndisë (flijime lavdërimi), dhe të jetosh një jetë të drejtë dhe zemërbutë në bashkësi me popullin e Perëndisë (sillet drejt).

Luka 17:11-19

Dhe ndodhi që, duke udhëtuar për në Jerusalem, ai kaloi përmes Samarisë dhe Galilesë. Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrosë, të cilët ndaluan larg, dhe, duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.” Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan. Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Dhe ra përmbys me fytyrë përdhe te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Dhe ai ishte samaritan. Jezusi atëherë u përgjigj dhe tha: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Por të nëntët ku janë? A nuk u gjet asnjë që të kthehet për t’i dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?”. Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shpëtoi”.

Ndërsa shkuan, ata u pastruan, pra, u shëruan. Priftërinjtë do t’i deklaronin të pastër. Ata duhet të fillonin t’i bindeshin urdhërimit të Jezusit për të shkuar te priftërinjtë para se të shëroheshin (krahaso me Luka 5:5; 2 i Mbretërve 5:13-14).

Një lebros u kthye (krahaso me 2 i Mbretërve 5:15), duke lavdëruar Perëndinë me zë të lartë (një shprehje e Lukës; krahaso me Luka 4:33; 8:28; 19:37 etj.). Lebrosi ra me fytyrë në tokë (krahaso me 5:12) duke falënderuar Jezusin. Kudo tjetër në Dhiatën e Re një falënderim i tillë (greqisht “eucharisteo”) i drejtohet gjithmonë Perëndisë (në secilën prej 37 rasteve të tjera të përdorimit të kësaj foljeje).

Në deklaratën “Dhe ai ishte Samaritan”, përemri “ai” theksohet në greqisht; vendosja e kësaj deklarate në fund të historisë vlen gjithashtu për të theksuar se i vetmi lebros mirënjohës ishte një samaritan (për samaritanët shih Luka 9:52; 10:33).

Besimi i samaritanit e shëroi (fjalë për fjalë, “e shpëtoi”; krahaso të njëjtën folje greqisht te Luka 7:50; 8:48; 18:42), prandaj, shërimi këtu ishte më tepër se thjesht fizik.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-thankfulness/ 

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>