Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes: dita e parë.
Zanafilla 1:5
Mbrëmja ishte “errësirë” dhe mëngjesi ishte “dritë”, por, megjithatë, që të dyja janë përfshirë në një emërtim i cili i takon vetëm dritës! Kjo mund të duket një gjë e pazakontë, por analogjinë e saktë të saj e gjejmë në përvojën frymërore. Në çdo besimtar gjendet errësira dhe drita, por, megjithatë, ai nuk duhet quajtur mëkatar për shkak të mëkatit që gjendet tek ai, por shenjtor, sepse zotëron një masë shenjtërie. Ky do të jetë një mendim shumë ngushëllues për ata që po vajtojnë mbi dobësitë e tyre dhe që ngrenë pyetjen: “A mund të jem fëmijë i Perëndisë kur ende ka kaq shumë errësirë brenda meje?”. Po; porsi “dita”, ti nuk e merr emrin nga mbrëmja, por nga mëngjesi; pra, në Fjalën e Perëndisë, për ty flitet sikur të ishe që tani krejtësisht i shenjtë, ashtu siç do të jesh së shpejti.
Ti quhesh bir i dritës, megjithëse brenda teje ka ende errësirë. Ti e ke marrë emrin nga ajo që është cilësia mbizotëruese në sytë e Perëndisë, e cila një ditë do të jetë e vetmja cilësi që mbetet. Vëreni se mbrëmja vjen e para. Natyrisht, fillimisht ne jemi errësirë, dhe zymtësia shpesh vjen e para në vetëndërgjegjësimin tonë të vajtueshëm, duke na bërë që të thërrasim me përulje të thellë: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatarit” (Luka 18:13).
Mëngjesi vjen i dyti në radhë; ai agon pasi hiri e mposht natyrën e vjetër. John Bunyan-i pati thënë dikur një fjalë të bekuar: “Ajo që është e fundit, kurrë nuk ka fund.” Ajo që është e para, kur të vijë koha e caktuar, do t’ia lërë vendin të fundit; por nuk ka asgjë tjetër që ta pasojë të fundit. Kështu, edhe pse je errësirë për nga natyra, sapo bëhesh dritë në Zotin, nuk do të pasojë më asnjë mbrëmje; [sepse] “dielli yt nuk do të perëndojë më” (Isaia 60:20). Në këtë jetë, dita e parë përbëhet nga një mbrëmje dhe një mëngjes; por dita e dytë, kur të jemi me Perëndinë për jetë e mot, do të jetë një ditë pa mbrëmje, një mesditë plot diell, e shenjtë dhe e përjetshme.
© dritez.al 2024