spurgeon dev 01 am
October 2023

Fruta të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.

Kënga e Këngëve 7:13

Bashkëshortja dëshiron t’i japë Jezusit të gjitha prodhimet e saj. Zemra jonë përmban “fruta të zgjedhura” të çdo lloji, “të freskëta dhe të thata”, dhe ato janë ruajtur për të Dashurin tonë. Në këtë stinë të frytshme të vjeshtës, le ta këqyrim gjendjen e zahireve tona. 

Kemi fruta të mbledhura rishtazi. Dëshirojmë të ndiejmë jetë të re, gëzim të ri, mirënjohje të re; dëshirojmë të lidhim zotime të reja dhe t’i vëmë ato në zbatim përmes angazhimeve të reja; zemra jonë lulëzon me lutje të reja dhe shpirti ynë po zotohet për përpjekje të reja.

Mirëpo, po ashtu, ne kemi edhe disa fruta të thata. Një prej tyre është fruta e zgjedhur e dashurisë sonë të parë, dhe Jezusi kënaqet me të. Një tjetër është besimi ynë i parë—ai besim prej fëmije falë të cilit, duke mos pasur asgjë, u bëmë zotëruesit e të gjitha gjërave. Një tjetër është edhe gëzimi që ndiem kur e takuam për herë të parë Zotin: le ta rizgjojmë atë. Mirëpo, kemi edhe kujtimet e vjetra të premtimeve të Tij. Sa besnik që ka qenë Perëndia! Me sa dashuri na e rregullonte shtratin kur dergjeshim të sëmurë! Sa butësisht na nxirrte në sipërfaqe kur ishim mes ujërave të thella! Me sa hir na shpëtonte nga furra e zjarrtë! Vërtet, kemi shumë fruta të thata, sepse mëshirat e Tij ua kalojnë për nga numri edhe fijeve të flokëve të kokës sonë! Duhet të na brejë ndërgjegjja për mëkatet e vjetra, por gjithashtu kemi pasur edhe pendime që na i ka falur Ai, përmes së cilave e kemi lagur me lot rrugën tonë deri te kryqi dhe kemi njohur meritën e gjakut të Tij.

Këtë mëngjes, kemi fruta të zgjedhura, të freskëta dhe të thata; por ja ku qëndron thelbi—të gjitha ato janë ruajtur për Jezusin. Pa dyshim që shërbimet më të mira dhe më të pëlqyeshme janë ato në të cilat Jezusi është qëllimi i vetëm i shpirtit, ndërsa lavdia e Tij është fokusi i të gjitha përpjekjeve tona. U ruajtshin frutat tona të shumta vetëm për Të; le t’i nxjerrim ato kur Ai është me ne, dhe të mos i përdorim për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve te vetja! Jezus, do ta mbyllim me kyç portën e kopshtit tonë, dhe askush nuk do të futet për të grabitur prej Teje asnjë prej frutave të ëmbla të prodhuara nga toka, të cilën e ujite me hirin Tënd! Gjithçka që jemi dhe kemi, do të jenë të Tuat, vetëm të Tuat, o Jezus, i Dashuri ynë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>