Jezusi,armiqte

Shtator 2022


Ky varg na mëson se kurdoherë që Perëndia vepron, Ai vepron në një mënyrë, që i pëlqen Atij.

Perëndia nuk është kurrë i shtrënguar të bëjë diçka, që e përçmon. Ai nuk vendoset kurrë me shpatulla pas murit, ku e vetmja zgjedhje e Tij është të bëjë diçka, që e urren.

Perëndia bën çfarëdo që i pëlqen. Prandaj, në njëfarë kuptimi, Ai gjen kënaqësi në gjithçka që bën.

Kjo duhet të na bëjë të përkulemi para Perëndisë dhe ta lavdërojmë për lirinë e Tij sovrane–që në njëfarë kuptimi, Ai vepron gjithmonë në liri, sipas “pëlqimit të Tij të mirë”, duke ndjekur urdhrat e kënaqësive të Tij.

Perëndia nuk bie kurrë viktimë e rrethanave. Ai nuk sforcohet kurrë nga një situatë ku duhet të bëjë diçka, në të cilën s’mund të gëzojë. Perëndia nuk mund të vihet në lojë. Ai nuk zihet në grackë, nuk vihet me shpatulla pas murit dhe as detyrohet.

Madje edhe në atë pikë në histori, kur Perëndia bëri atë që, në njëfarë kuptimi, ishte gjëja më e vështirë që Ai mund të bënte: “nuk e kurseu Birin e vet” (Romakëve 8:32), Perëndia ishte i lirë dhe po bënte atë, që i pëlqente. Pali thotë se vetëflijimi i Jezusit në vdekje ishte “blatë dhe flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë” (Efesianëve 5:2). Në një kuptim tejet të thellë, mëkati më i madh, vdekja më e madhe dhe akti më i vështirë i Perëndisë ishin të pëlqyeshme për Atin.

Kur po shkonte drejt Kalvarit, vetë Jezusi pati në dispozicion legjione të tëra engjëjsh: “Askush nuk e merr [jetën time] nga unë, por e jap nga vetja ime” (Gjoni 10:18)–nga pëlqimi i Tij i mirë–siç thotë edhe Hebrenjve 12:2: “Për gëzimin që ishte përpara tij.” Në të vetmin çast në historinë e gjithësisë, kur Jezusi u duk i futur në lak, Ai në fakt ishte në kontroll të plotë duke bërë pikërisht atë, që i pëlqente–po vdiste për të përlëvduar Atin e Tij në drejtësimin e njerëzve të paudhë, si ti dhe unë.

Prandaj le të mahnitemi dhe të mrekullohemi. Le të dridhemi nga fakti që, jo vetëm lavdërimet tona të sovranitetit të Perëndisë, por edhe shpëtimi ynë përmes vdekjes së Krishtit për ne varen nga kjo: “Perëndia ynë është në qiejt dhe bën tërë atë që i pëlqen.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia