dev spurgeon 2
January 2023

Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te Ti.

Kënga e Këngëve 1:4

Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te Ti. Nuk do t’i hapim portat e vitit nën notat e përvuajtshme të organos, por nën tingujt e ëmbël të harpës së gëzimit dhe nën kumbimin e fortë të cimbaleve të haresë. “Ejani, t’i këndojmë me gëzim ZOTIT; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë” (Psalmi 95:1).

Ne, të thirrurit, besnikët dhe të zgjedhurit, do t’i përzëmë brengat tona dhe do të ngremë lart flamujt e besimit në emër të Perëndisë. Le të qahen të tjerët për andrallat e tyre; ne do të lartësojmë Perëndinë me hare. O Frymë e Përjetshme, Ngushëlluesi ynë i fuqishëm, ne që jemi tempujt ku Ti banon, nuk do të pushojmë kurrë së adhuruari dhe bekuari emrin e Jezusit.

Jezusit i takon kurora e haresë së zemrës sonë; ne nuk do ta çnderojmë Dhëndrin tonë duke vajtuar në praninë e Tij! Jemi caktuar për të qenë këngëtarët e qiejve; le të bëjmë prova për himnin tonë të përjetshëm, përpara se ta këndojmë në oborret e Jerusalemit të Ri! Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi; këto janë dy fjalë që kanë një kuptim: bekim mbi bekim.

Vallë, a duhet të ketë ndonjë kufizim ngazëllimi ynë në Zotin tani? A nuk është tani Zoti temjani më i ëmbël për popullin e hirit, dhe çfarë arome tjetër më të mirë kanë ata në qiell? Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te Ti. Ajo fjalë e fundit është si mishi në gjellë, si thelpinjtë e arrës; është shpirti i tekstit.

Çfarë qiejsh ruhen në Jezusin! Çfarë lumenjsh lumturie të pafund e kanë gjithmonë burimin e tyre dhe çdo pikë të plotësisë së tyre në Të! O i ëmbli Zoti Jezus, meqenëse Ti je pjesa e trashëgimisë së tanishme të njerëzve të Tu, na dhuro këtë vit një ndjesi të paçmueshmërisë Sate, me qëllim që nga e para e deri në të fundit ditë, ne të mund të kënaqemi e të gëzohemi te Ti. Nistë janari me kënaqësinë në Zotin, ndërsa dhjetori u mbylltë me gëzimin në Jezusin!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin