Janar 2023

Atë vit hëngrën frutat e vendit të Kanaanit.

Jozueu 5:12

Endjet e mundimshme të Izraelit morën fund dhe prehja e premtuar u bë realitet. Nuk kishte më çadra lëvizëse, gjarpërinj të zjarrtë, amalekitë gjakësorë dhe shkretëtira vajtuese; ata hynë në vendin ku rridhte qumësht dhe mjaltë, dhe hëngrën drithin e mbetur të vendit. I dashur lexues i krishterë, mbase kështu mund të na ndodhë edhe mua apo ty këtë vit. E ardhmja duket e hareshme, dhe nëse besimi ushtrohet në mënyrë aktive, ai do të na falë lumturi të pastër. Të jesh bashkë me Jezusin në prehjen që mbetet për popullin e Perëndisë, është me të vërtetë një shpresë ngazëlluese, por është një lumturi e dyfishtë ta presësh këtë lavdi kaq shpejt. Mosbesimi fërgëllon në breg të Jordanit që shkumëzon ende mes nesh dhe tokës së bekuar, por le të prehemi të sigurt se tanimë kemi përjetuar më shumë sprova, nga sa mund të na shkaktojë më i ligu mort. Le ta përzëmë çdo mendim frikëndjellës dhe le të galdojmë me gëzim të madh e të pamasë në shpresën se këtë vit do të nisë të qenët “përgjithmonë me Zotin”.

Një pjesë e ushtrisë do të mbetet këtë vit mbi tokë për t’i shërbyer Zotit të tyre. Nëse ky do të jetë shorti ynë, atëherë nuk ka asnjë arsye se përse ky lexim i Vitit të Ri të mos jetë ende i vërtetë. “Ne që besuam, hyjmë në prehje.” Fryma e Shenjtë është garancia e trashëgimisë sonë; Ai na jep “lavdinë që filloi që poshtë”. Besimtarët janë të sigurt në qiell, dhe po kështu ruhemi ne në Krishtin Jezus; atje ata ngadhënjejnë mbi armiqtë e tyre, dhe edhe ne korrim fitore. Qeniet qiellore gëzojnë përbashkësi me Zotin e tyre, dhe kjo nuk na mohohet as neve. Ata prehen në dashurinë e Tij dhe ne kemi paqe të përsosur në Të; ata i thurin Atij këngë lavdërimi, dhe edhe ne kemi privilegjin ta bekojmë Atë.

Këtë vit do të vjelim fryte qiellore në tokat këtu poshtë, ku besimi dhe shpresa e kanë shndërruar shkretëtirën si kopshtin e Zotit. Një herë e një kohë, njeriu hëngri bukën e engjëjve, e përse, pra, të mos e bëjë edhe tani? Oh, paçim hir që të ushqehemi me Jezusin, me qëllim që të hamë këtë vit nga frytet e tokës së Kanaanit!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>