tim swaan eopewngf68w unsplash

Gusht 2024


Unë kam qenë një përdorues skeptik i pajisjeve të navigimit satelitor në makina. Disa miq më dhanë dikur pajisjen e tyre të përdorur, por rrallë e përdorja. Sa herë përdorja hartat e printuara (i mbani mend ato?), zbuloja që mund ta kujtoja vetë rrugën herën tjetër. Mirëpo një pajisje navigimi satelitor, sikur e përgjumte aftësinë time për të drejtuar makinën. Kështu, sa herë që e përdorja atë pajisje, nuk isha i aftë ta kujtoja vetë rrugën kur i kthehesha sërish atyre anëve.

Mirëpo rezistenca ime u fashit gradualisht. Besoj që përtacia fitoi. E kisha më të lehtë të ndiqja këtë pajisje drejtimi, sesa ta gjeja drejtimin vetë, sidomos kur nuk kisha një mik në anën e pasagjerit me hartën e printuar përpara. Tani përdor vetëm pajisjen e navigimit satelitor. I bindem me kënaqësi zërit të saj gjithmonë të qetë.

Megjithatë, nuk ndodh gjithmonë kështu. Javën e kaluar, e injorova udhëzimin e pajisjes për të marrë një kthesë djathtas. E kisha ndezur pajisjen sepse po kthehesha për në shtëpi nga një zonë e panjohur. Kishim mbërritur pothuajse në shtëpi dhe ishim tashmë në territor të njohur. Pajisja e navigimit ishte akoma e ndezur dhe, papritur, më udhëzoi të marr një rrugë që nuk e kisha marrë ndonjëherë më parë.

Unë e injorova. Nuk vonoi shumë dhe e gjeta veten të ngecur në trafik. Pajisja e navigimit e zgjati kohën e mbërritjes me tridhjetë minuta. Mendova se dija më shumë sesa pajisja e navigimit dhe, ja, po vuaja pasojat.

Na pëlqen ta konsiderojmë veten si elektrone të lirë e që mund të bëjmë çfarë të duam. Por në fakt, shumica e jetës sonë është nën njëfarë autoriteti. Bëjmë atë që na thonë nënat (shumicën e kohës). I përmbahemi rregullave të qarkullimit. Marrim urdhra nga shefi. Ndjekim manualin e përdorimit të një pajisjeje. I bindemi zërit të pajisjes së navigimit.

Ndonjëherë nuk e honepsim dot autoritetin. Fundja, kush ka qejf t’i thonë çfarë duhet të bëjë? Ne ankohemi për rregullat qeveritare apo për kërkesat e paarsyeshme të punës, por po të mos kishte fare qeverisje, do të ankoheshim akoma më shumë. Sigurisht, ka ligje që nuk i honepsim, megjithatë e pranojmë që ligji dhe rendi janë të nevojshëm. Në njëfarë mënyre, unë jam gjithnjë i lirë të drejtoj makinën në kahun e gabuar të rrugës, apo të kaloj korsitë kur të dua, por një zgjedhje e tillë, me siguri do të më çojë drejt rrënimit.

Të udhëtosh i sigurt me makinë drejt një qyteti të panjohur kërkon si nënshtrimin ndaj autoritetit të pajisjes naviguese, ashtu edhe bindjen ndaj kodit rrugor.

Mirëpo çfarë mund të thuhet për udhëtimin e jetës? Si e drejtojmë atë? Po sikur unë të dua të shkoj për te Perëndia? Çfarë harte duhet të ndjek? Cila pajisje naviguese do të më japë drejtimin e duhur?

Përgjigjja është mjaft e thjeshtë: e vetmja udhërrëfyese e besueshme për udhëtimin e jetës është Bibla. Kur të krishterët thonë se Shkrimet janë mbi gjithçka, nënkuptojnë që Bibla është një udhërrëfyes autoritar për te Perëndia. Bibla është pajisja e navigimit që na jep udhëzimet e jetës. Është kodi rrugor që na tregon kërkesat e Perëndisë.

Një autoritet për të folur

Shkrimi është suprem. Kjo do të thotë se Bibla ka autoritet dhe kështu, është e rëndësishme ta dëgjojmë me kujdes atë që thotë. Arsyeja është se Bibla thotë të vërtetën. Ka autoritet sepse është e besueshme.

A ka Wikipedia autoritet? Po, deri në njëfarë mase. Sigurisht, mund të jetë një burim i informacionit të vërtetë. Le të hamendësojmë që ti dhe miku yt po debatoni se kush e fitoi Kupën e Botës në futboll në vitin 2014. Ti thua që ishte Brazili, por miku yt thotë se e fitoi Gjermania. Debati zgjidhet lehtë. Njëri prej jush nxjerr telefonin dhe kërkon për rezultatin në Wikipedia. Del që miku yt kishte të drejtë: Gjermania ishte fituese (e gjen dot si e di unë këtë?).

Wikipedia mund të ketë autoritet për të mbyllur debatet midis miqve, mirëpo ajo nuk është 100% e besueshme. Wikipedia është aq e besueshme, sa kontribuuesit e informacionit të saj. Për më shumë, ka persona që qëllimisht hedhin aty informacione të rreme, qoftë edhe për shaka. Prandaj, si profesor i seminarit teologjik “Crosslands Training”, i paralajmëroj studentët e mi që të mos e përdorin atë. Nëse do të jepnin një vlerësim për besueshmërinë e Wikipedia-s, ajo do të ishte tek 80% e besueshme.

Çfarë mund të themi për tekstet studimore universitare? A janë ato një autoritet i besueshëm? Shpresojmë që ato të jenë shkruar prej një eksperti, të jenë redaktuar me kujdes dhe ndoshta të jenë recensuar nga kolegë të fushës. Preferojmë të mendojmë që këto tekste janë më të besueshme se Wikipedia. Sidoqoftë, në shumë tekste, një gabim drejtshkrimor apo një datë e gabuar, mund të kalojë pa u parë nga redaktorët. Për më shumë, shkenca është në ndryshim të vazhdueshëm. Zbulime të reja bëhen dhe teori të reja dalin. Kështu, ndërkohë që tekstet tona shkollore do të kenë një vlerësim të madh besueshmërie, nuk mund t’i vlerësojmë 100% ato. Autoriteti i tyre mund të jetë më i lartë se Wikipedia, por mbetet sërish i kufizuar.

Ndërkohë, Bibla është 100% e vërtetë, prandaj ka 100% autoritet. William Tyndale-i (1494-1536), i cili u martirizua sepse përktheu Biblën në gjuhën angleze, e përshkruan Biblën si “gur e prove”, e cila na aftëson të dallojmë midis doktrinës së rreme dhe asaj të vërtetë.[1]

Fjala “Shkrimi” në shprehjen “Shkrimi është suprem” i referohet Fjalës së shkruar të Perëndisë, e cila na është dhënë në Bibël. Kjo fjalë, “suprem”, mund të përfshijë edhe shpalljen e ungjillit, edhe predikimin e Biblës, por vetëm për aq sa këto të fundit reflektojnë me besueshmëri atë çfarë na mëson Shkrimi. Shkrimi është matësi me të cilin matim të vërtetën e çdo gjëje tjetër.

Një autoritet për të sunduar

Autoriteti i Biblës shkon edhe më tutje, pasi Bibla është më shumë sesa një burim i besueshëm informacioni. Bibla nuk thotë vetëm çfarë është e vërtetë e çfarë nuk është, e kështu me radhë. Ajo na thotë gjithashtu, si mund ta njohim Perëndinë dhe si mund ta jetojmë jetën në kuptimin e plotë të saj. Bibla është një libër ndikues. Nuk mund ta lexosh e të thuash: “Sa interesante!”, në një mënyrë aspak reaguese. Nuk mund të qëndrosh i pandikuar prej saj. Nëse e lexon Biblën, duhet të bësh diçka me atë që ke lexuar: ta duash ose ta urresh, ta pranosh ose ta refuzosh, t’i bindesh ose të mos i bindesh. Asnjanësia nuk është opsion.

Sigurisht që Bibla përmban deklarata faktesh, por ajo është më shumë se kaq. Bibla është një libër me urdhërime dhe ftesa. Fjalët e saj bëjnë diçka. Edhe në ato raste kur Shkrimi nuk thotë ndonjë gjë urdhëruese, fjalët e saj mbartin pasoja të mëdha.

Një nga temat qendrore në Bibël është që Jezusi është ringjallur prej së vdekurish si Zot mbi gjithçka (Romakëve 1:1-4; 1 e Korintasve 15:3-4). E parë përciptazi, duket si një deklaratë e thjeshtë e një fakti. Mirëpo kjo është një deklaratë që kërkon reagim. Nëse reagimi yt është thjesht: “Sa interesante!”, atëherë nuk e ke kuptuar çfarë do të thotë ringjallja e Jezusit. Ringjallja e tij është konfirmimi se ai është Mbreti i Perëndisë. Kjo deklaratë bën thirrje t’i nënshtrohesh autoritetit të Krishtit dhe t’ia besosh jetën përkujdesjes së tij.

Në historinë hyrëse të sipërpërmendur, pajisja ime e navigimit më udhëzoi të kthehesha djathtas. Injorimi i atij udhëzimi më kushtoi tridhjetë minuta më shumë udhëtim. Por kur flasim për gjëra më madhore, një gabim i tillë nuk ka shumë domethënie. Sot e kuptojmë që përdorimi i pajisjeve të navigimit në makina është i rëndësishëm, por, në fund të fundit, nuk është se humbasim shumë nëse nuk i bindemi autoritetit të tyre. Ndërkohë, nënshtrimi ndaj Krishtit dhe dorëzimi i jetës sonë tek ai, është një çështje tërësisht tjetër. Pasojat janë të shumta – të shtrira përgjatë kësaj jete e përtej, në përjetësi.

Kur themi se Shkrimi është suprem, deklarojmë se Bibla ka autoritet në çdo gjë të rëndësishme — koha dhe përjetësia, toka dhe qielli, njerëzimi dhe Perëndia. Ndryshe nga pajisja naviguese e makinës suaj, Bibla nuk do t’ju tregojë se si të shkoni në Londër. Ndryshe nga Wikipedia, Bibla nuk do t’ju tregojë kush e fitoi Kupën e Botës në futboll më 2014. Mirëpo Bibla flet me autoritet kur bëhet fjalë se kush është Perëndia, cilat janë qëllimet e tij, kush jemi ne, sesi mund ta njohim atë, sesi ne mund t’i shpëtojmë gjykimit të tij, dhe si mund të jetojmë një jetë që e kënaq atë.

Një autoritet mbi çdo autoritet tjetër

Deklarata “Shkrimi është suprem” shpall që Bibla ka autoritet, por që shpall diçka akoma më të madhe se kjo. Të pranosh se diçka ka autoritet nuk përbën në vetvete ndonjë çështje debati, pasi jetët tona janë të mbushura me burime autoritetesh.

Le të hamendësojmë që dëshiron të blesh një makinë. Çfarë duhet të bësh? Ti mund të mbështetesh te përvoja. Ndoshta makina jote e fundit ishte një Ford dhe punonte mirë. Kështu që ti vendos të blesh një Ford tjetër. Ndryshe, mund të mbështetesh te miqtë e tu. Miku yt i ngushtë, John-i, është i dhënë pas makinave, ndaj ti i tregon atij buxhetin që ke në dispozicion dhe i kërkon rekomandime. Ndoshta mund të hysh në internet dhe të kontrollosh se çfarë thonë ekspertët e makinave. Ndoshta mund të shikosh statistikat e shitjeve të makinave për të blerë një model që është mjaft popullor. Secila prej këtyre zgjedhjeve vjen me njëfarë autoriteti. Është domethënëse të dëgjosh këndvështrime të ndryshme. Po sikur ekspertët të kenë mendim ndryshe nga të tjerët? Po sikur secili të sugjerojë një model ndryshe? Në këtë rast do të të duhet të vendosesh se kush ka autoritet më shumë mbi këtë çështje. Opinionin e kujt do të besosh? Këshillën e kujt do të ndjekësh? E si mund ta dish se kë të preferosh?

Kur themi “Shkrimi është suprem” nuk po deklarojmë vetëm që Bibla ka autoritet, por që ka autoritetin suprem. Bibla është zëri që ka më shumë domethënie. Të krishterët pranojnë autoritete të tjera. Ka zëra të tjerë që kanë peshën e tyre, por Shkrimi është gjithmonë zëri që ia kalon çdo zëri tjetër. Sa herë të na duhet të bëjmë një zgjedhje, ne gjithmonë do të zgjedhim të ndjekim Biblën. Ky është kuptimi i doktrinës së superioritetit të Shkrimit. Ne do të kërkojmë bindje vetëm ndaj asaj që mund të provohet se e mëson Bibla. Reformatori Martin Luther-i (1483–1546) tha: “Çdo pohim që Shkrimet nuk e shpallin apo ndonjë zbulesë të vërtetuar, mund të mbahet si një opinion, por nuk është nevoja që ta besojmë”. Megjithatë, ajo që mund të provohet nga Shkrimi duhet të besohet. Teologu holandez Herman Bavinck-i (1854–1921) nxjerr në përfundim:

[Autoriteti i Shkrimit] qëndron në një nivel më të lartë se të gjitha autoritetet njerëzore të shtetit dhe shoqërisë, shkencës dhe artit. Përpara autoritetet të Biblës, çdo autoritet tjetër duhet të dorëzohet, sepse njerëzit është më mirë t’i binden Perëndisë, sesa njerëzve... . Duke qenë hyjnor, autoriteti i Biblës është absolut. Ajo kërkon që ta besojnë dhe t’i binden, kushdo e në çdo kohë.[1]


Shënime

[1] William Tyndale, “Prologue to the Book of Genesis,”, pjesë e “Works” të William Tyndale, red. nga Henry Walter (Shtëpia Botuese “Banner of Truth”, Edinburg, 2010), vëll. 1, fq. 398.


Ky artikull është një përmbledhje nga libri i Tim Chester: “Scripture is Supreme” – redaktuar nga Michael Reeves.

Tim Chester është një profesor në seminarin teologjik “Crosslands Training” dhe autor i mbi 40 librave. Ai mban titullin Doktor Teologjie, një diplomë pasuniversitare në histori dhe ka një përvojë 25-vjeçare në shërbesë pastorale. Ai është i martuar dhe ka dy vajza të rritura. Ai jeton në periferi të Derbyshire-it të Mbretërisë së Bashkuar, ku dhe është pjesë e një kishëmbjellje.


Botuar me leje: https://www.unionpublishing.org/resource/whose-voice-matters-most/
Përktheu: Redin Manasterliu | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

EtiketaUnion

Postime të ngjashme

Vendi më i çmuar në botë