Tetor 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth…
Aaron Garriott
Një prej qasjeve për t’i kuptuar elementet thelbësore të Letrës drejtuar Hebrenjve ka të bëjë me shqyrtimin e kontributit të saj të rëndësishëm në tri çështje të doktrinës.
1. Letra drejtuar Hebrenjve është e rëndësishme për të kuptuar teologjinë e besëlidhjes.
Guxoj të them se Letra drejtuar Hebrenjve është letra më e rëndësishme e Dhiatës së Re nëse duam ta kuptojmë si duhet teologjinë e besëlidhjes në Bibël. Pavarësisht nga kuptimi që mund të kemi për teologjinë e besëlidhjes, ai do të rritet ndjeshëm prej interpretimit të librit të Hebrenjve. Ky libër hulumton qëllimin e besëlidhjes së vjetër dhe marrëdhënien e saj me besëlidhjen e re. Është një lente interpretuese, përmes të cilës mund ta lexosh Dhiatën e Vjetër.
Ka lexues që gabimisht nxjerrin përfundimin se Letra drejtuar Hebrenjve e nënçmon besëlidhjen e vjetër. Mirëpo, ky pohim nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Lavdia e besëlidhjes së re shkëlqen më së shumti atëherë kur besëlidhja e vjetër shfaqet në gjithë lavdinë e vet, pavarësisht nga natyra e saj kalimtare. Ky kontrast shfaqet qartë në shumë vargje që përmbajnë lidhëzat “në qoftë se/atëherë” (shih Hebrenjve 2:1-4; 9:13-14; 12:25). Hebrenjve demonstron se besëlidhja e re nuk e shfuqizon të vjetrën, por përkundrazi, e përmbush atë. Kjo gjë i jep formë mënyrës se si lexojmë tërë Biblën. Hebrenjve na tregon se si Shkrimi i Shenjtë e interpreton Shkrimin e Shenjtë. Nuk duhet ta vendosim të vjetrën kundër të resë, por duhet t’i shohim ato nga këndvështrimi i marrëdhënies së duhur — hije dhe realitet, premtim dhe përmbushje.
Autori shfaq një zell të madh për ta vënë në dukje privilegjin dhe përgjegjësinë e lavdishme të të jetuarit në epokën e besëlidhjes së re (shih Hebrenjve 1:2-3). Meqë jemi nën qeverisjen e një besëlidhjeje, e cila është më e shkëlqyer (Hebrenjve 8:6) — madje e patëmetë (Hebrenjve 8:7-8) — përgjegjësia dhe pasojat janë edhe më të mëdha. Paralajmërimet janë më të ashpra, premtimet janë më të ëmbla, pritshmëritë janë më të larta. Kjo nuk është një besëlidhje kalimtare, por përkundrazi është e përjetshme (Hebrenjve 13:20). Letra drejtuar Hebrenjve e vërteton më në detaj sesa shkrimet e tjera pretendimin e Apostullit Pal te II Korintasve 1:20: “Se gjithë sa janë premtime të Perëndisë, ‘po’-ja e tyre është në të [Krishtin].” E vetmja besëlidhje e hirit, me administrimet e saj të larmishme, ka lulëzuar pas ardhjes së Krishtit. Dhe për Letrën e Hebrenjve, kjo ndryshon gjithçka. Kur e lexoni atë, vini re lavditë e besëlidhjes së re.
2. Letra drejtuar Hebrenjve është e rëndësishme për të kuptuar Kristologjinë (Doktrinën e Krishtit).
Besëlidhja e re është kaq e lavdishme për shkak të Ndërmjetësit të saj. Në qoftë se besimi është mjeti për të shijuar dobitë e besëlidhjes së hirshme të Perëndisë (ashtu siç ka qenë përherë), atëherë objekti i atij besimi duhet të jetë i aftë (dhe i gatshëm) për ta mbajtur peshën e besimit tonë. Pa asnjë mëdyshje, Hebrenjve vë në dukje epërsinë e Krishtit si realiteti i çdo hijeje të besëlidhjes së vjetër, si objekti më sublim i besimit dhe i adhurimit tonë.
Hebrenjve nuk lë asnjë hapësirë për një Jezus të zbutur. Ai është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, gjurma e saktë e natyrës së Tij (Hebrenjve 1:3), Ai që i mban të gjitha përmes fjalës së fuqisë së Tij. Ai është Biri i përjetshëm, që qëndron shumë më lart sesa engjëjt, më i madh sesa Moisiu, si dhe i Madhi dhe i fundit Kryeprift që e ofroi veten si flijim një herë e përgjithmonë. Ai qëndron më lart sesa të gjitha gjërat, duke filluar nga engjëjt deri tek ofiqet e lavdishme, të cilat u vendosën nga Vetë Zoti në besëlidhjen e vjetër — profetët, priftërinjtë dhe mbretërit.
Zoti Jezu Krisht është realiteti i besëlidhjes së re, e cila, siç e kemi parë tashmë, qëndron më lart sesa e vjetra (Hebrenjve 7:22). Siç thekson Hebrenjve, jeta e krishterë nuk është një përshpirtshmëri e turbullt, por një besnikëri besëlidhjeje, dhe konkrete, ndaj Krishtit të lavdishëm, e cila rrjedh prej një bashkimi mistik me Të. Për pasojë, Ai duhet të jetë objekti i dashurisë sonë, spiranca e shpresës sonë dhe fokusi i besimit tonë. Sa herë që lexoni Letrën drejtuar Hebrenjve bëni mirë të sodisni lavdinë e Jezu Krishtit.
3. Letra drejtuar Hebrenjve është e rëndësishme për të kuptuar Eklesiologjinë (Doktrinën e Kishës).
Mprehtësia eklesiologjike në Letrën drejtuar Hebrenjve, edhe pse ndoshta më pak e dukshme për lexuesit modernë sesa theksimet kristologjike dhe ato të besëlidhjes në po këtë Letër, dëshmon të jetë po aq thelbësore sa këto të fundit. Autori i Hebrenjve nuk e hedh vështrimin pas te brezi i endjeve në shkretëtirë thjesht sepse i bën punë si një referencë historike, por ai e identifikon vetë ekzistencën dhe identitetin e kishës brenda kuadrit të endjeve në shkretëtirë. Ky identitet nuk është metaforik, por përkundrazi është tipologjik — pra, kisha sot nuk është thjesht si Izraeli në shkretëtirë, por në një kuptim shumë real, kisha është vazhdimësia e të njëjtit popull shtegtar në besëlidhjen e re.[1]
Gjuha e shtegtimit gjendet me bollëk tek Hebrenjve: “Sepse nuk kemi këtu një qytet të përhershëm, por po kërkojmë atë që vjen” (Hebrenjve 13:14). Autori i nxit lexuesit e vet — të cilët ndihen të tunduar për t’u kthyer te rehatia dhe siguria e sistemit të vjetër të besëlidhjes — që të ngulmojnë si shtegtarët që janë rrugës për në atdheun e tyre të vërtetë. Kjo tablo eklesiologjike është më e qartë se kudo tjetër te kapitujt 3 dhe 4. Kisha paralajmërohet që të mos e ngurtësojë zemrën si në kohën e rebelimit (të brezit të shkretëtirës) (Hebrenjve 3:7-8); ai brez vdiq në shkretëtirë për shkak të mosbesimit. Letra drejtuar Hebrenjve i ndërlidh paralajmërimet e veta të ashpra me inkurajime po aq të forta. Mbetet premtimi i hyrjes në prehjen e Perëndisë (Hebrenjve 4:1) dhe kjo prehje gjendet në Krishtin, Kryepriftin tonë të Madh, i Cili mund të ndiejë keqardhje për dobësitë tona (Hebrenjve 4:15). Kisha, pra, është bashkësia e besëlidhjes, e karakterizuar nga ngulmimi, adhurimi dhe shpresa që vështron përherë përpara. E mbledhur rreth Krishtit në shkretëtirë, e ushqyer prej Fjalës së Tij, ajo bën përherë përpara drejt Jerusalemit qiellor.
Mirëpo, duhet të shkojmë edhe më thellë. Letra drejtuar Hebrenjve na jep gjithashtu njërin nga vegimet më madhështore të adhurimit qiellor në gjithë Shkrimin e Shenjtë dhe ky i fundit, po ashtu, hedh dritë mbi eklesiologjinë tonë. Në kapitullin 12, autori e çon në kulm kontrastin mes malit Sinai dhe malit Sion. Ai thotë se ne nuk kemi ardhur te llahtaria dhe lemeria e Sinait, por te Sioni: “qyteti i Perëndisë së gjallë, Jerusalemi qiellor.” Dhe kë gjejmë aty? “Dhjetëra mijëra engjëj, mbledhje festive”, “bashkësinë e të parëlindurve,” “Perëndinë, gjykatësin e të gjithëve” dhe “Jezusin, ndërmjetësin e një besëlidhjeje të re” (Hebrenjve 12:22-24). Ky nuk është thjesht një vegim rreth së ardhmes, por përkundrazi, është realiteti i së tashmes. Sa herë që mblidhet në adhurim, kisha ngrihet lart dhe bëhet pjesë e kësaj mbledhjeje qiellore. Kisha luftëtare i bashkohet kishës ngadhënjimtare për të ushtruar besëlidhjen e themeluar mbi gjakun e besëlidhjes së përjetshme (Hebrenjve 13:20). Kur lexoni Letrën drejtuar Hebrenjve, vini re lavdinë e kishës.
Të lexuarit e kësaj Letre duke mbajtur një sy te këto tri tema, jo vetëm që do t’ju ndihmojë që ta kuptoni mesazhin e këtij libri, por edhe atë të gjashtëdhjetë e pesë librave të tjerë të Shkrimit të Shenjtë.
________________
[1] Shih O. Palmer Robertson, God’s People in the Wilderness: The Church in Hebrews (Christian Focus, 2009), fq. 8.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-hebrews
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025