Shkurt 2025
Ky artikull është pjesë e serisë 3 gjëra që duhet të dini rreth...
Benjamin Gladd
Ungjilli i Lukës është libri më i gjatë i Dhiatës së Re dhe një prej më të sofistikuarve. Edhe pse shumica e të krishterëve e njohin lindjen e Krishtit siç paraqitet te kapitulli 2, jo shumë i njohin nuancat e ungjillit të tretë që e pasurojnë të kuptuarin tonë të personit të Krishtit. Më poshtë do të përpiqemi që të përqendrohemi në tri aspekte që shpesh anashkalohen: qëllimi i librit, lartësimi i të përulurve dhe përulja e krenarëve, si dhe marrëdhënia e Jezusit me Dhiatën e Vjetër.
1. Qëllimi i Lukës.
Autorët e Dhiatës së Re nuk i informojnë shpesh lexuesit e tyre se përse e shkruajnë letrën apo ungjillin e tyre. Mirëpo dy prej katër ungjijve e bëjnë këtë. Luka i shpjegon Teofilit te 1:4 se po i shkruan atij që të njohë “vërtetësinë e gjërave” që i kanë mësuar. Ndonëse nuk kemi shumë informacion rreth Teofilit, studiuesit besojnë se ai me shumë gjasë ishte një johebre që u kthye në judaizëm dhe më pas në besimin e krishterë. Teofili madje mund të ketë financuar Ungjillin sipas Lukës dhe librin e Veprave të Apostujve, meqenëse botimi i këtyre veprave në shek. I pas Krishtit ishte një ndërmarrje e kushtueshme. Sidoqoftë, qëllimi për të cilin Luka i shkruan Teofilit është që të konfirmojë atë që ky i fundit e di tashmë. Pra, duket se Teofili e ka njëfarë njohurie rreth jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, dhe Luka e hedh në letër ungjillin e vet, për të mbushur boshllëqet që ai mund të ketë, me qëllim që të ruhet besimi i këtij të fundit. Ky është një parim tej mase i rëndësishëm, një parim që kisha e shek. XXI duhet ta vlerësojë. Njohuria e dikujt mbi shërbesën e Krishtit është e lidhur drejtpërdrejt me besimin e atij personi. Kur dyshimi zë e gjarpëron brenda zemrave tona, siç ndodh herët a vonë, duhet t’i kthehemi ungjijve dhe të freskojmë mendjen me të vërtetën e lindjes, jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit.
2. Lartësimi i të përulurve dhe përulja e krenarëve.
Himnet në Bibël shpesh përmbledhin temat kyç, tema të cilat janë thurur përgjatë gjithë librit (për shembull, Danieli 2:20–23; 4:1–3, 34–35; 6:25–27). Luka, po ashtu, përmban katër himne që përmbledhin shumicën e teologjisë së librit: Luka 1:46–55 (Manjifikati), Luka 1:68–79 (Benediktusi), Luka 2:14 (Gloria in Excelsis) dhe Luka 2:29–32 (Nunc Dimittis). Vargjet e mëposhtme vijnë nga himni i parë, Manjifikati, më i mirënjohuri prej të katërve:
Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet;
i shpërndau mendjemëdhenjtë në mendimet e zemrave të tyre;
i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre
dhe i ngriti të përulurit;
i mbushi me të mira të uriturit
dhe i ktheu duarbosh të pasurit. (Luka 1:51–53, theksi i shtuar)
Ky himn ngjason jashtë mase me lutjen e famshme të Anës te 1 i Samuelit 2:1–10, ku Ana e falënderon Zotin që i fali Samuelin, një prej profetëve më të mirënjohur në historinë e Izraelit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e dinastisë davidike. Mbreti Jezus, ashtu si Mbreti David, do të jetë mjeti përmes të cilit Perëndia i lartëson të përulurit dhe i ul të pushtetshmit. Kjo shpjegon faktin se përse Luka e thekson kaq shpesh përmbysjen e fatit. Për shembull, bindja besnike e Krishtit në shkretëtirë (Luka 4) e fuqizon Atë që ta shporrë djallin dhe puthadorët e tij nga krijimi i Perëndisë. Te Luka 10:18, duke e cituar tërthorazi vargun nga Isaia 14:12, Jezusi shpall: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe”. Thelbi i kësaj është se po ndodh një ndryshim tektonik, pra, Satani e ka humbur pozitën e tij të pushtetit (Luka 11:20–23) dhe mbretëria e tij po shembej e po bëhej copë e çikë (Romakëve 16:20). Në dallim me këtë, Jezusi e mishëroi natyrën e përulur gjatë gjithë jetës së Tij; Ai lindi në mes të varfërisë (Luka 2:7), jetoi në qytetin e parëndësishëm të Nazaretit (Luka 4:16) dhe pësoi një vdekje të pamerituar për hir të të Vetëve (Luka 22:1–23:56). Mirëpo, për shkak të besnikërisë së Jezusit, Perëndia i dha të drejtë Birit dhe e lartësoi Jezusin në fronin e Atit (Luka 24:50–53). Besimtarët duhet ta kenë parasysh këtë model, sepse Perëndia premton se edhe ne do t’i nënshtrohemi rrethanave të vështira. Ne nuk do ta marrim të drejtën që na takon në mënyrë publike deri në ringjalljen tonë fizike në fund të epokave. Vetëm kur të hyjë në gjendjen e përjetshme, populli i Perëndisë do të shijojë një ekzistencë të lartësuar.
3. Jezusi dhe Dhiata e Vjetër.
Luka e fillon ungjillin e vet duke e përshkruar shërbesën e Krishtit si “ngjarjet që janë përmbushur tashmë” (Luka 1:1, NLT – Përkthimi i Ri i Gjallë). Lexuesi i vëmendshëm duhet të shtrojë pyetjen: “Çfarë pasazhesh të Dhiatës së Vjetër kishte ndërmend Luka?” Përgjigjja më e shkurtër: të gjitha. Gjenden më tepër se tridhjetë citime të qarta të Dhiatës së Vjetër dhe qindra përmendje të tërthorta të vargjeve të saj në ungjillin e tretë, kështu që duhet të supozojmë se Luka ishte një njohës i përkryer i Dhiatës së Vjetër, dhe kishte njohuri të jashtëzakonshme se si ta interpretonte atë. Në çdo pikë të shërbesës së Jezusit, Luka i drejtohet Dhiatës së Vjetër për të sqaruar domethënien e asaj ngjarjeje. Në fund të ungjillit, është ajo skena e famshme kur Jezusi i qorton dy dishepujt në rrugën për në Emaus dhe pastaj, “ duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat, që i takonin atij” (Luka 24:27). Jezusi nuk përmbush veç një grusht pasazhesh të Dhiatës së Vjetër, por e përmbush të gjithë atë. Sot, madje edhe në qarqet ungjillore, janë të shumtë ata që i shmangen të lexuarit të tërësisë së Dhiatës së Vjetër duke e pasur Krishtin në qendër të leximit të tyre. Një problem që ndeshim me këtë pikëpamje është se ajo nuk e merr parasysh leximin që vetë Jezusi i bën Dhiatës së Vjetër. Nëse dëshirojmë të jetojmë si Jezusi, a nuk duhet edhe të lexojmë porsi Ai?
Ungjilli sipas Lukës, ndonëse mjaft i ngjeshur në disa pjesë të tij, është një thesar njohurish që ndërton trupin e Krishtit dhe përforcon besimin e popullit të Perëndisë.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know/Çdo libër i Biblës: 3 gjëra për secilin.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-luke
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025