3 things you should know about romans 2560

Prill 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

J.V. Fesko

Libri i Romakëve ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e njerëzve të Perëndisë gjatë gjithë epokave. Augustini, teologu i kishës së hershme, kishte rendur larg Perëndisë gjatë gjithë jetës, por Perëndia e ndoqi pareshtur. Një ditë, ai qe ulur në një kopsht, kur dëgjoi fëmijët që po këndonin, tolle lege, “Merre dhe lexoje”. Augustini e hapi Biblën te Romakëve 13:13–14: “Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe në shthurje, jo në grindje e në smirë. Por vishni Zotin Jezu Krisht dhe mos u kujdesni për mishin, që t’i plotësoni epshet”.

Reformatori i shek. XVI, Martin Luteri, u pyet njëherë nëse e donte Perëndinë. “Më pyesni a e dua Perëndinë?”, u përgjigj Luteri, “Nganjëherë e urrej Atë”. Luteri druhej se Perëndia do ta dënonte, sado fort që të përpiqej për ta kënaqur Atë. Perëndia ia hapi sytë që të kuptonte përmes Frymës shpalljen e famshme të apostullit Pal: “Sepse, unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun. Sepse, drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të prej besimit në besim siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë prej besimit’” (Romakëve 1:16–17). Luteri e kuptoi se kur Pali shkruante rreth drejtësisë së Perëndisë, nuk e kishte fjalën për drejtësinë e vetë Perëndisë, por për dhuratën e drejtësisë që u jepet mëkatarëve përmes besimit në Krishtin. Kur Perëndia ia hapi sytë Luterit, ai tha: “Në atë pikë, ndjeva se kisha rilindur kokë e këmbë dhe dyert e parajsës u hapën para meje”.

Predikuesi i shek. XVIII, John Wesley, kishte pak ose aspak interes për ungjillin, derisa ndoqi një takim gjatë të cilit dikush lexoi parathënien e Luterit rreth Romakëve:

Teksa ai po përshkruante ndryshimin që Perëndia bën në zemër përmes besimit në Krishtin, ndjeva se zemra ime u ngroh në një mënyrë të çuditshme. E ndjeva se besoja në Krishtin dhe vetëm në Të për shpëtim; madje, mu dha një siguri se Ai i kishte hequr mëkatet e mia, pikërisht të miat, si dhe që më kishte shpëtuar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.

Takimet si ato të mësipërmet, me këtë shkrim, vënë në dukje tri gjëra që duhet t’i dimë rreth librit të Romakëve.

1. Ungjilli është një dhuratë nga Perëndia.

Së pari, shpëtimi është një dhuratë. Historia është e mbushur me fe që predikojnë një mesazh quid pro quo rreth shpengimit, pra, që duhet të kryesh vepra mirësie, me qëllim që të shpëtohesh. Kjo ishte barra e Luterit që shkaktonte ankth dhe madje armiqësi në zemrën e tij kundër Perëndisë. Ai e dinte se Perëndia ishte i drejtë dhe se ligji i Tij ishte kërkues, sepse nuk ishte e mundur të bëje aq vepra të mira sa duheshin për të tejkaluar peshën e mëkateve. Siç tha edhe mbreti David: “Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje” (Psalmi 143:2). E njëjta ndjesi shpërfaqet edhe në një nga Psalmet e Ngjitjes: “Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush do të mund të qëndronte, o Zot?” (Psalmi 130:3). Luteri ishte plotësisht i vetëdijshëm për këtë të vërtetë, por pastaj, në mëshirën e Tij, Perëndia ia hapi sytë për të parë se si vetë Ai kishte bërë që Krishti të bindej dhe të vuante në mënyrë të përsosur në vendin tonë. Kjo derdhje hiri, siç thotë Pali, është “dhurata e Perëndisë” (Romakëve 6:23; 5:15–17).

2. Shpëtimi merret vetëm me anë të hirit, vetëm përmes besimit dhe vetëm në Krishtin.

Së dyti, njëlloj si Luteri, Wesley e kuptoi prej hirit sovran të Perëndisë se e vetmja mënyrë se si mund ta merrte dhuratën e shpëtimit ishte duke i zënë besë vetëm Krishtit për shpëtimin e vet. Siç shkruan Pali: “Por tani, e ndarë nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë (e dëshmuar nga Ligji dhe Profetët) – madje, drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë...” (Romakëve 3:21–22; krahaso me 5:1; 10:6, 17). Pali e përpunon më tej këtë të vërtetë në Letrën drejtuar Efesianëve, ku shkruan: “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:8–9).

3. Ungjilli na ka çliruar nga Satani, nga mëkati dhe vdekja, në mënyrë që të ecim në risinë e jetës.

Së treti, kur Perëndia na shpëton vetëm me anë të hirit, vetëm përmes besimit dhe vetëm në Krishtin, Ai e bën këtë me synimin që të ecim në risinë e jetës, domethënë, të jetojmë në shenjtëri dhe në drejtësi. Dhuratat e ungjillit dhe besimi në Krishtin nuk përbëjnë një leje për të mëkatuar, siç e mohon Pali në mënyrë kategorike:

Ç’të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të shtohet hiri? Kurrë mos qoftë!... U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës.  (Romakëve 6:1–4)

Perëndia bëri që Augustini të ballafaqohej me këtë të vërtetë kur i dëgjoi fëmijët që po këndonin “Merre dhe lexoje” dhe e hapi Biblën te Romakëve 13:13–14. Augustini e dinte se duhej të pendohej për mëkatet e veta dhe se vetëm hiri i Perëndisë në Krishtin mund ta aftësonte që ta bënte këtë, në mënyrë që të jetonte në shenjtëri.

Tri gjërat që duhet të dini rreth Romakëve janë se (1) ungjilli është një dhuratë nga Perëndia, (2) shpëtimi është një dhuratë që e marrim vetëm me anë të hirit, vetëm përmes besimit dhe vetëm në Krishtin, si dhe (3) që ungjilli na ka çliruar nga Satani, mëkati dhe vdekja, me qëllim që të ecim në risinë e jetës. Augustini, Luteri dhe Wesley i mësuan këto të vërteta prej hirit të Perëndisë, dhe lutjet tona duhet të jenë që Fryma e Shenjtë e Perëndisë t’i gdhendë ato në mënyrë të pashlyeshme edhe në zemrat tona.


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-romans

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?