leviticus 2560

Shkurt 2025


Ky artikull është pjesë e serisë 3 gjëra që duhet të dini rreth...

Scott Redd

Çdo i krishterë duhet të përpiqet të përfitojë prej gjithë këshillës së Perëndisë. Kjo do të thotë pjesërisht që të meditosh rreth gjithë hapësirës së Fjalës biblike. Teksa përpiqemi ta realizojmë këtë objektiv, zbulojmë natyrshëm se na pëlqejnë më tepër disa libra të Biblës dhe nëse jemi të ndershëm duhet ta pranojmë se disa të tjerë na pëlqejnë më pak. Një libër i Biblës që rëndom anashkalohet është ai i Levitikut. I vendosur në mes të Pesëlibërshit, libri i Levitikut është shkruar në një mënyrë të tillë që shumë lexues bashkëkohorë e gjejnë atë të vështirë për t’u zbërthyer. Megjithatë, pavarësisht nga interesi, në dukje i errët, që shfaq për adhurimin përmes tempullit në Izraelin e lashtë, nuk duhet ta humbasim atë që na ofron ky libër.

Këtu janë tri gjëra që çdo lexues i Biblës mund t’i nxjerrë nga libri i Levitikut.

1. Perëndia bën të pamundurën për t’u takuar me popullin e Tij.

Tabernakulli i Zotit është pikërisht ashtu si e përshkruan Shkrimi i Shenjtë: shtëpia e Perëndisë. Është shenjtërorja e Tij, pallati i Tij dhe si i tillë, ishte vendi ku Ai pret mysafirët e Vet (Eksodi 25:8–9). Shtëpia e Perëndisë pasqyron karakterin, shenjtërinë, lavdinë, drejtësinë e përsosur dhe rolin e Tij si krijuesi kryesor. Për pasojë, ata që hyjnë në tabernakull duhet të jenë të përgatitur për audiencën e tyre me Mbretin. Pa një përgatitje të tillë, as që mund të shpresojnë që t’i mbijetojnë kësaj vizite. Mirëpo, Levitiku na kujton gjithashtu që sado të rënë e të fundmë që të jemi, kjo nuk mund ta mbajë Perëndinë larg prej nesh. Ai na krijoi që të banojmë në përbashkësi me të dhe vullneti i Tij është i prirë drejt kësaj përbashkësie. Natyrisht, dëshira për pajtim dhe rivendosje është sfondi i gjithë historisë së shpengimit të rrëfyer në Shkrimin e Shenjtë.

2. Perëndia i kushton vëmendje mënyrës se si takohemi me Të.

Një gjë tjetër që na bën përshtypje teksa lexojmë librin e Levitikut është se sa i përpiktë është Moisiu në udhëzimet që u jep priftërinjve dhe levitëve. Adhurimi i izraelitëve tregon se Perëndia e vlerëson mënyrën e adhurimit po aq shumë sa atë se kujt i drejtohet adhurimi. Ai nuk kërkon veç mendime plot dashuri, prirje plot admirim apo praktika pagane të vëna në shërbim të Tij. Izraelitët nuk ishin të thirrur që të adhuronin si t’u donte qejfi, por përkundrazi ta përshtatnin mënyrën e tyre të adhurimit me karakterin e Perëndisë. Udhëzimet për priftërinj e levitë, rregullat për flijimet, kohët dhe stinët, si dhe festat fetare, të gjitha këto flasin për mënyrën se si izraelitët duhet ta organizojnë jetën dhe adhurimin e tyre sipas projektit të Krijuesit. Jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kështu që adhurimi ynë udhëhiqet prej agjendës së Tij dhe jo anasjelltas.

3. Flijimet në vetvete na zbulojnë qëllimet e Perëndisë për planin e Tij shpengues.

Kur njerëzimi ra në kopsht, marrëdhënia jonë me Perëndinë u prish rëndë, në një mënyrë që pati pasoja për mbarë ekzistencën njerëzore. Në mënyrë që të hyjmë në prani të Perëndisë duhet të pastrohemi dhe të bëhemi të përshtatshëm nga pikëpamja ceremoniale për praninë e Perëndisë. Pastërtia njerëzore duhet të barazohet me shenjtërinë e Perëndisë. Për pasojë, Levitiku na udhëzon se vendet më të shenjta të tabernakullit rezervohen për ata që janë veçanërisht të përgatitur për këtë punë: për priftërinjtë dhe në mënyrë më sublime, për kryepriftin (Levitiku 16:1–5; 21).

Sistemi i flijimeve po ashtu pasqyron mënyrën se si ka ndryshuar rrënjësisht marrëdhënia e njerëzimit me Perëndinë. Çdo flijim ilustron mënyrën se si Perëndia dëshiron të rikthehet te populli i Tij përmes veprës së shpengimit. Holokaustet (Levitiku 1:2–17; 6:8–13), të cilat kanë të bëjnë me djegien e plotë një kafshe të tërë, sigurojnë mbulimin apo shlyerjen e mëkatit njerëzor përpara Perëndisë. Blatimet e ushqimit (Levitiku 2:1–16; 6:14–23) kanë të bëjnë me ofrimin e dhuratave apo të haraçeve, të ngjashme me ato që i paraqiten një mbreti për të lidhur aleancë me të. Flijimet e falënderimit (Levitiku 3:1–17; 7:11–21) kanë të bëjnë me konsumimin e përbashkët të një vakti mes adhuruesve dhe priftërinjve, duke pasqyruar kështu një marrëdhënie të ndrequr. Pastrimi apo flijimi për mëkatet e kryera nga padituria (Levitiku 4:1–5:13; 6:24–30), vë në dukje ndotjen apo njollosjen e besimtarit prej mëkatit dhe  nevojën për pastrim. Flijimi për mëkatet e tjera (Levitiku 5:14–6:7; 7:1–10) përqendrohet në nevojën e shlyerjes së borxhit ndaj Perëndisë, me qëllim që të ripërtërihet marrëdhënia hyjnore dhe njerëzore.

Secili prej këtyre pesë flijimeve vë në dukje një aspekt tjetër të planit të Perëndisë për shpengimin e njerëzimit. Vëmendjen tonë e tërheqin shpesh pasazhet që shprehin nevojën për shlyerje, qofshin ato të lidhura me holokaustet ashtu edhe ato që përmbajnë udhëzimet rreth ditës së shlyerjes, që i gjejmë të paraqitura aq qartë te Levitiku 16:1–34, mirëpo, adhurimi i krishterë mund të thellohet prej njohjes së mënyrave të pasura në të cilat Krishti na rivendos përpara Perëndisë, duke hapur rrugën për ne që të hyjmë në prani të Tij (Gjoni 14:6). Mëkatet tona shlyhen, aleanca jonë me Mbretin rivendoset, ndajmë një vakt mikpritës mes miqsh, ndotja pastrohet dhe borxhi ynë paguhet në personin dhe veprën e Zotit e Shpëtimtarit tonë Krishtit Jezus. Mund të gëzohemi që Kryeprifti ynë po punon për përmbushjen e të gjitha bekimeve të shpengimit (Hebrenjve 10:1–18).


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know/Çdo libër i Biblës: 3 gjëra për secilin.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-leviticus

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?