3 things about joshua 02 2560

Mars 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

Rhett Dodson

1. Jozueu në thelb ka të bëjë me besnikërinë e Perëndisë.

Në rast se e pyesni shumicën e të krishterëve se çfarë dinë rreth librit të Jozueut, përgjigjja më e shpeshtë që do të merrni ka të bëjë me betejën e Jerikos. Episodi i mureve të Jerikosë, që shemben sa hap e mbyll sytë, është pika kulmore e narrativës së librit rreth pushtimit. Jozueu ka të bëjë me historinë e fitoreve ushtarake dhe të shpërndarjes vijuese të tokave të pushtuara nga Izraeli. Mirëpo, në fund të fundit, libri i Jozueut është rreth Perëndisë dhe besnikërisë së Tij. Zoti ia premtoi Abrahamit tokën e Kanaanit dhe megjithëse populli i Perëndisë përvojoi një vonesë të madhe mes premtimit fillestar dhe marrjes në zotërim të Kanaanit, asnjë prej fjalëve të Zotit nuk ra përtokë (Jozueu 23:14).

Asnjë pasazh tjetër nuk e përmbledh pikën kryesore të këtij libri në një mënyrë më koncize sesa fjalët përmbyllëse të kapitullit 21, pasi Perëndia i dha Izraelit gjithë tokën që kishte premtuar t’i jepte: “Nuk ra përtokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan” (Jozueu 21:45). Veç Jozueut, personazhe të tjera shembullore, sikurse Kalebi dhe Eleazari, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë libër. Libri po ashtu përfshin beteja madhështore që kanë zënë një vend parësor në historinë e luftës. Mirëpo, tek e fundit, libri ka të bëjë në thelb me Perëndinë dhe besueshmërinë e Tij.

2. Shkatërrimi i kanaanenjve nuk ishte një shprehje e epërsisë etnike, por gjykimi i Perëndisë kundër mëkatit.

Çështja më madhore morale te Jozueu është shkatërrimi i kanaanenjve. Për shembull, kur Izraelitët kapërcyen muret e shembura të Jerikos, ata nuk kursyen askënd dhe asgjë që gjendej brenda mureve të atij qyteti, qoftë njeri apo kafshë. Rahabi, e cila i kishte fshehur spiunët e Izraelit, dhe familja e saj, ishin të vetmit që i shpëtuan shfarosjes. Janë të shumtë kritikët që ngrenë zërin kundër brutalitetit të Izraelit, apo ç’është më e keqja sipas tyre, etjes për gjak të “Perëndisë së pamëshirshëm të Dhiatës së Vjetër”, i cili i kërkoi këto vdekje (shih gjithashtu Ligjin e Përtërirë 20:16–18). Edhe pse nuk duhet marrë lehtë shkatërrimi i përhapur gjerësisht që Izraeli la pas vetes, lipset që t’i kuptojmë arsyet solemne teologjike dhe morale që fshihen pas tij. Për dallim nga shembujt e gjenocidit, të cilat i njohim shumë mirë, sikurse Holokausti apo gjenocidi i Ruandës, populli i Perëndisë nuk i vrau armiqtë e vet i shtyrë prej një ndjenje epërsie raciale apo etnike. Ushtarët e Izraelit i përdorën shpatat e tyre si instrumente gjykimi në duart të vetmit Perëndi të vërtetë.

Zoti Perëndi i Izraelit është i shenjtë dhe nuk mund ta lërë mëkatin të pandëshkuar. Në durimin e Tij, Ai e kurseu popullin e Kanaanit për shekuj me radhë, por erdhi koha kur u mbush kupa e paudhësive të amorenjve (shih Zanafilla 15:16) dhe ai nuk i kurseu më ata. Shenjtëria e Perëndisë po ashtu donte të thoshte se Izraeli do të ballafaqohej me të njëjtin lloj ndëshkimi, po qe se nuk do t’i binte pas shenjtërisë në përkushtim ndaj Tij (shih Eksodi 22:20). Faktikisht, një izraelit dhe familja e tij pësuan të njëjtin fat si edhe kanaanenjtë. Kur Akani nuk iu bind urdhrit të prerë të Perëndisë dhe mori disa nga plaçkat e Jerikos, ai solli vdekje dhe shkatërrim mbi veten dhe familjen e tij, si dhe humbjen e një beteje nga ana e popullit (shih Jozueu 7). Ngjarjet që ndodhin në librin e Jozueut janë një dëshmi e qartë e faktit se Perëndia nuk bën shaka me mëkatin.

Teksa vazhdojmë ta lexojmë Shkrimin e Shenjtë, zbulojmë se shkatërrimi i kanaanenjve është pararendësi i ditës së gjykimit përfundimtar që do të ndodhë kur të kthehet Krishti (shih Zbulesa 6:12–17; 19:15–16, 19–21). E vetmja shpresë për çdonjërin atë ditë është që ta njohë Krishtin, Atë që mbarti zemërimin e Perëndisë për ne (1 e Pjetrit 2:24).

3. Hollësitë e shpërndarjes së tokës flasin për një gjë shumë më të madhe.

Librit të Jozueut, autori ia kushton një pjesë të madhe përshkrimit të hollësive të tokës që u nda mes fiseve të Izraelit. Kapitujt 13–19 mund të jenë të mërzitshëm për t’u lexuar teksa autori përshkruan bregun e lumit, mesin e një lugine, apo bregun e një kodre. Mirëpo, detajet gjeografike i interesonin Perëndisë dhe Ai na dha një përshkrim të zgjeruar e të frymëzuar të tyre, ngaqë toka ishte e çmuar për Të. Përse vallë Zoti e vlerësonte kaq shumë këtë tokë? Kjo është për shkak se ishte vendi i zgjedhur prej Tij për të përshkruar lavdinë e Krishtit dhe të krijimit të ri.

Ashtu si edhe shumë elementë të tjerë të fesë së Dhiatës së Vjetër, sikurse tabernakulli dhe sistemi i flijimeve, toka shërben si një simbol apo figurë e të vërtetave të ungjillit. Kur Adami dhe Eva mëkatuan, Perëndia i përzuri nga parajsa tokësore dhe e mallkoi dheun. Mirëpo, kjo nuk do të thoshte se Ai i kishte dhënë fund planeve të Tij për një krijim të mirë. Kur të kthehet Jezusi, Ai do ta bëjë qiellin të ri dhe dheun të ri (2 e Pjetrit 3:10–13; Zbulesa 21:1). Kanaani qëndronte mes kopshtit të Edenit dhe krijimit të ri si një parashijim i parajsës, një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, domethënë si një përkujtesë dhe një kapar i parajsës së përjetshme që do të vinte.


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-joshua

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?