3 things you should know about judges 2560

Prill 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

Miles Van Pelt

Në librin e Gjyqtarëve ka dy hyrje (Gjyqtarëve 1:1–2:5; 2:6–3:6), dy përfundime (Gjyqtarëve 17:1–18:31; 19:1–21:25), rrëfime të dymbëdhjetë gjyqtarëve (gjashtë gjyqtarë të mëdhenj dhe gjashtë të vegjël), si dhe rrëfimin e një kundërgjyqtari, Abimelekut (Gjyqtarëve 9:1–57). Bëhet fjalë për një vepër letrare të sofistikuar, e cila mbulon një periudhë në historinë e Izraelit, që fillon me vdekjen e Jozueut, birit të Nunit (Gjyqtarëve 1:1; 2:8), dhe shkon deri në periudhën përpara vendosjes së mbretërisë në Izrael. Nga pikëpamja teologjike, libri i Gjyqtarëve rrëfen rënien graduale të Izraelit në shkeljen e besëlidhjes përmes idhujtarisë përkundër besnikërisë së palëkundur të Zotit ndaj të njëjtit pakt besëlidhjeje. Më poshtë renditen tri gjëra që duhet të dini kur të lexoni librin e Gjyqtarëve.

1. Gjyqtarët në librin e Gjyqtarëve simbolizojnë Krishtin.

Gjyqtarët u ngritën nga Zoti dhe u aftësuan nga Fryma që të çlironin popullin e Perëndisë, të vendosnin qetësinë në vend dhe të nxisnin bindjen ndaj besëlidhjes (Gjyqtarëve 2:16–19). Interpretuesit modernë i shohin rëndom gjyqtarët si individë të ndotur moralisht, të përfshirë në shthurjen e kohës së tyre. Mirëpo, ky nuk ishte këndvështrimi i Dhiatës së Re apo i interpretimeve të hershme të këtij libri.

Le të kemi parasysh vlerësimin që jep libri i Hebrenjve. Gedeoni, Baraku, Sansoni dhe Jefteu (disa prej atyre që konsiderohen si shkelësit më të rëndë), së bashku me Davidin dhe Samuelin, përshkruhen si burra “të cilët, me anë të besimit gjunjëzuan mbretëri, vepruan drejtësi, arritën premtime, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u bënë të fuqishëm prej dobësisë, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja” (Hebrenjve 11:33–34). Lavdërimi i këtyre shërbëtorëve besnikë vazhdon deri në vargun 40 dhe ata përshkruhen gjithashtu si njerëz për të cilët “... bota nuk ishte e denjë…” (Hebrenjve 11:38).

Kjo gjë përputhet shumë mirë me një prej vlerësimeve më të hershme të njohura rreth gjyqtarëve. Ben Sirahu shkruan kështu: “Gjyqtarët gjithashtu, secili prej tyre kur u thirrën, të gjithë ata ishin burra, zemrat e të cilëve nuk ishin kurrë të pabesa dhe që kurrë nuk i kthyen shpinën Zotit, kujtimi i tyre qoftë i bekuar! Kockat e tyre lulëzofshin sërish jashtë varreve të tyre dhe bijtë e tyre i mbajtshin denjësisht emrat e këtyre burrave të shquar” (Urtësia e Sirahut 46:11–12).

Teksa përballeni me rrëfimet e gjyqtarëve, kujtojini vetes se ato janë shkruar për mësimin tonë (Romakëve 15:4), me qëllim që t’i ngulim sytë tanë te Jezusi (Hebrenjve 12:2), i cili ashtu si Sansoni, u ngrit nga Zoti i Tij që të jepte jetën për të shpëtuar popullin e Perëndisë (Gjyqtarëve 16:30).

2. Struktura e Gjyqtarëve është teologjike dhe jo kronologjike.

Teksa lexoni librin e Gjyqtarëve, do të ndeshni të paktën tri lloje të ndryshme numrash: vitet e shtypjes së armiqve, vitet e prehjes nga shtypja që përjetonte vendi, si dhe vitet gjatë të cilave shërbente një gjyqtar. Për shembull, Zoti e ngriti Ehudin pas tetëmbëdhjetë shtypjeje nga Egloni, mbreti i Moabit (Gjyqtarëve 3:14–15), dhe më pas, vendi pati prehje për tetëdhjetë vjet (Gjyqtarëve 3:30). Në mënyrë të ngjashme, thuhet dy herë se Sansoni shërbeu si gjyqtar i Izraelit për njëzet vjet (Gjyqtarëve 15:20; 16:31).

Disa interpretues janë përpjekur që ta gjejnë kohëzgjatjen e periudhës së gjyqtarëve duke i mbledhur të gjitha shifrat. Mirëpo, disa prej rrëfimeve përkojnë pjesërisht me njëra-tjetrën dhe ekzistojnë boshllëqe mes periudhave kohore të mbuluara nga libri. Gjyqtarët ishin kryesisht çlirimtarë lokalë, pra, kur shfaqeshin nuk e çlironin gjithë Izraelin. Veç kësaj, në përfundimin e parë prej dy përfundimeve të librit, Jonathani, nipi i Moisiut, shugurohet si prift i paligjshëm në Dan (Gjyqtarëve 18:30). Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur në fillimet e periudhës së gjyqtarëve dhe jo në fund të saj. Duke pasur parasysh këtë, struktura e librit është teologjike dhe jo kronologjike.

Hyrjet dhe përfundimet e dyfishta pasqyrojnë njëra-tjetrën. Hyrja e parë dhe përfundimi i dytë pasqyrojnë njëri-tjetrin, si dhe rrëfejnë krizën e trashëgimisë së Izraelit, e veçanërisht dështimin e Izraelit për të shtënë në dorë tokën e premtuar (Gjyqtarëve 1:1–2:5) dhe pothuajse zhdukjen tërësore të fisit të Beniaminit, për shkak të mëkatit të tyre të ngjashëm me atë të Sodomës (Gjyqtarëve 19:1–21:25). Hyrja e dytë dhe përfundimi i parë po ashtu pasqyrojnë njëra-tjetrën dhe rrëfejnë krizën e besimit të Izraelit, e cila shprehej në idhujtarinë e tyre të pareshtur, duke ofruar kështu arsyen e paaftësisë së tyre për të zotëruar tokën dhe të ndotjes së tyre morale (Gjyqtarëve 2:6–3:6; 17:1–18:31).

Të ngjeshura mes hyrjeve dhe përfundimeve, ne ndeshim rrëfimet e gjyqtarëve. Gjashtë gjyqtarët e mëdhenj janë grupuar në dy treshe: Othnieli, Ehudi dhe Debora/Baraku dhe më pas Gedeoni, Jefteu dhe Sansoni. Të ashtuquajturit gjyqtarët e vegjël përmenden shkurtimisht (mjaftojnë për secilin prej tyre tri vargje ose më pak) dhe janë të zhveshur prej atyre formulimeve që përdoren në lidhje me gjyqtarët e mëdhenj. Gjyqtarët e vegjël përfshihen me qëllim që të arrihet numri dymbëdhjetë, i cili përkon me totalin e fiseve të Izraelit. Ata vendosen dhe grupohen për të vënë në dukje rrëfimet madhore të gjyqtarëve të mëdhenj. Shamgari nxjerr në pah rrëfimin e Deborës/Barakut si rrëfimi i parë madhor i gjyqtarëve. Më pas, Tola dhe Jairi vënë në dukje rrëfimin e Jefteut. Së fundi, Ibtsani, Eloni dhe Abdoni vënë në dukje Sansonin si rrëfimin e fundit madhor të një gjyqtari të madh.

Me përparimin e rrëfimeve të gjyqtarëve të mëdhenj përparon edhe korruptimi i Izraelit. Kostoja e çlirimit të gjyqtarëve po ashtu rritet, sepse gjyqtari i fundit duhet të japë jetën për të mposhtur armikun (Gjyqtarëve 16:30).

3. Libri i Gjyqtarëve përgatit udhën për vendosjen e mbretërisë së Izraelit.

Pranohet gjerësisht se katër pohimet identike në përfundimet e librit parathoshin për mbretërinë e Izraelit: “Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael…” (Gjyqtarëve 17:6; 18:1; 19:1; 21:25). Dy prej këtyre pohimeve shoqërohet nga një përshkrim i natyrës së asaj kohe: “Secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarëve 17:6; 21:25). Izraelit i nevojitej një mbret që e njihte ligjin e Perëndisë, i bindej ligjit të Tij dhe që e udhëhiqte popullin drejt asaj bindjeje (shih Ligji i Përtërirë 17:14–20).

Libri i Gjyqtarëve po ashtu na përgatit në mënyra të papritura për shpalosjen e mbretërisë që do të vendosej pas daljes së dy mbretërve të parë të Izraelit, Saulit dhe Davidit. Ajo që e përshkon librin e Gjyqtarëve është polemika pro Judës (Davidit) dhe kundër Beniaminit (Saulit). Për shembull, në kapitullin e parë të librit, gjejmë nëntëmbëdhjetë vargje që i kushtohen rrëfimit të pushtimit të suksesshëm të territorit të vet nga ana e Judës (Gjyqtarëve 1:2–20). Ky rrëfim pasohet menjëherë prej vargut të vetëm që flet për dështimin e Beniaminit që të pushtonte territorin e vet dhe bashkëjetesën e tyre vijuese me kanaanenjtë: “Bijtë e Beniaminit nuk arritën t’i dëbojnë jebusenjtë që banonin në Jerusalem; kështu jebusenjtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jerusalem deri në ditën e sotme” (Gjyqtarëve 1:21). Së fundi, te Gjyqtarëve 19, beniaminitët e Gibeahut kryejnë mëkatin e Sodomës (Gjyqtarëve 19) dhe i gjithë fisi lëçitet dhe dënohet me shkatërrim të plotë (Gjyqtarëve 20–21). Duke pasur parasysh sa më sipër, kur Izraeli kërkon të ketë një mbret si gjithë kombet e tjera (1 i Samuelit 8:5), Zoti iu jep atyre pikërisht atë që kërkojnë, pra, Saulin, nga qyteti i Gibeahut, nga fisi i Beniaminit. Natyrisht, kjo është një përzgjedhje ogurzezë, duke qenë se Sauli dështon në mënyrë tragjike që ta luajë rolin e tij si mbret.


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-judges

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?