Maj 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Thomas Schreiner
1. Letra drejtuar Galatasve e mbron ungjillin e Palit si një ungjill që është nga Krishti.
Ka lexues që me gjasë nuk e dinë se legjitimiteti apostolik i Palit po sfidohej prej kundërshtarëve të tij në Galati. Ata pretendonin se Pali nuk ishte një apostull i vërtetë. Tek e fundit, ai nuk kishte qenë dishepull i Jezusit gjatë shërbesës tokësore të këtij të fundit. Veç kësaj, ata pretendonin se ungjilli i Palit binte në kundërshtim me ungjillin e mësuar në Jerusalem nga Pjetri, Gjoni dhe Jakobi. Me fjalë të tjera, ngatërrestarët thoshin se ungjilli i Palit varej nga apostujt e Jerusalemit, madje më tepër se kaq: ata e akuzonin Palin se po shtrembëronte ungjillin që mësohej prej apostujve në Jerusalem.
Ja pse në dy kapitujt e parë, Pali mbron legjitimitetin e ungjillit të vet. Ai thekson se ungjilli i shpallur prej tij i ishte zbuluar në mënyrë të mbinatyrshme në rrugën për në Damask, prej vetë Jezu Krishtit. Ungjilli i Palit nuk është fryti i të menduarit të tij, por i ishte dhënë në mënyrë të pavarur prej vetë Jezusit. Mirëpo, nuk mbaron me kaq, sepse kur Pali udhëtoi në Jerusalem, katërmbëdhjetë vjet më pas, vetë apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon, e miratuan ungjillin e Palit. Ata e pranuan se ungjilli i Palit ishte ungjilli i vërtetë, i njëjti ungjill që edhe ata predikonin. Faktikisht, Pali madje e qortoi Pjetrin kur ky i fundit e komprometoi ungjillin në Antioki (Galatasve 2:11-14). Në dy kapitujt e parë të Galatasve, pra, Pali tregon se si e mori ungjillin drejtpërdrejt nga Jezusi dhe sesi nuk e shtrembëroi mesazhin e mësuar prej apostujve të Jerusalemit. Ata të gjithë mësonin të njëjtin ungjill.
2. Letra drejtuar Galatasve na mëson se jemi drejtësuar përmes besimit, jo përmes veprave.
Galatasve është letra e parë në të cilën Pali trumbeton të vërtetën se besimtarët drejtësohen jo prej veprave të ligjit, por përmes besimit në Jezu Krishtin. Kundërshtarët e tij ngulnin këmbë në faktin se dikush duhet ta zbatonte ligjin dhe të rrethpritej për të fituar shpëtimin (Galatasve 5:2–4; 6:12–13; shih gjithashtu Zanafilla 17:9–14; Veprat e Apostujve 15:1–5). Ajo që këta kundërshtarë nuk arrinin ta kuptonin ishte se me vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit kishte filluar besëlidhja e re. Besimtarët nuk ishin më nën rregullat e besëlidhjes të Moisiut, përfshirë këtu rrethprerjen. Natyrisht, ata ishin shpëtuar gjithmonë prej besimit, siç thotë Pali duke përdorur shembullin e Abrahamit (Galatasve 3:6–9). Tani që Mesia ka ardhur, është e qartë se njeriu nuk shpëtohet nga veprat e ligjit, por përmes besimit në Jezusin.
Lajmi i mirë është se jemi drejtësuar, domethënë, jemi shpallur të drejtë përpara Perëndisë, jo prej arritjeve tona, por prej besimit dhe jo duke vepruar, por duke qëndruar në hirin e Perëndisë në Jezu Krishtin. Në qoftë se drejtësia do të përftohej përmes ligjit, atëherë vdekja e Krishtit nuk do të kishte asnjë vlerë (Galatasve 2:21). Drejtësia nuk mund të vijë assesi përmes bindjes njerëzore, sepse Perëndia kërkon bindje të përsosur dhe mallkimi bie mbi të gjithë ata që nuk bëjnë gjithçka që Perëndia urdhëron (Galatasve 3:10). Mallkimi hiqet vetëm përmes vdekjes së Jezusit, i cili e mori mbi vete mallkimin tonë kur u var në dru (Galatasve 3:13). Për pasojë, letra drejtuar Galatasve, del në pah si letra e parë që shpall se besimtarët shpëtohen vetëm prej hirit, vetëm përmes besimit, vetëm në Krishtin dhe vetëm për lavdi të Perëndisë.
3. Letra drejtuar Galatasve e vë theksin te bindja e drejtuar nga Fryma.
Pali po ashtu thekson rëndësinë e bindjes tek Letra drejtuar Galatasve. Bindja në fjalë nuk përbën bazën e drejtësimit tonë apo të marrëdhënies sonë të drejtë me Perëndinë. E vetmja bazë për besimtarët që t’i kenë këto gjëra është vdekja dhe ringjallja e Jezu Krishtit, i cili na i fal mëkatet dhe na bën të vishemi me drejtësinë e Tij. Mirëpo, do të ishte gabim sikur prej kësaj të nxirrnim përfundimin se bindja është e parëndësishme.
Pali e thekson shumë fort se ata që kryejnë veprat e mishit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë (Galatasve 5:19–21). Po kështu, ata që mbjellin për mishin do të korrin prishje, por ata që mbjellin për Frymën do të korrin jetë të jetë të përjetshme (Galatasve 6:8). Mirëpo, jeta e re e besimtarëve nuk lind vetvetiu dhe as bie në kundërshtim me ungjillin e hirit. Besimtarëve iu nevojitet fuqia e mbinatyrshme dhe kjo fuqi vjen prej Frymës të Shenjtë. Kështu që Pali i nxit besimtarët që të ecin nëpërmjet Frymës (Galatasve 5:16), të qeverisen dhe të drejtohen prej Frymës (Galatasve 5:18), të prodhojnë frytin që vjen nga Fryma (Galatasve 5:22–23), të ecin në një hap me Frymën (Galatasve 5:25), si dhe të mbjellin për Frymën (Galatasve 6:8). Pali nuk bie në legalizëm, sepse bindja e besimtarit është e gjitha prej hirit.
Përfundimi
Tri gjëra dalin në pah te Letra drejtuar Galatasve. Së pari, Pali u thirr nga hiri i Krishtit në rrugën për në Damask për të qenë apostull. Së dyti, ungjilli na mëson se jemi drejtësuar vetëm prej besimit dhe jo prej veprave, dhe se drejtësimi ynë qëndron në vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit, i cili vdiq në vendin tonë, duke marrë mallkimin që meritonim. Së treti, besimtarët jetojnë një jetë të re jo në fuqinë e tyre, por në fuqinë e Frymës, jo për fituar merita përpara Perëndisë, por për shkak të veprës së hirshme të Perëndisë në jetën e tyre.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-galatians
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025