Prill 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Robert Carver
1. Kisha e Korintit ishte e mbushur plot me sfida.
Apostulli Pal ishte themeluesi i kishës në Korint. Domethënë, ai ishte instrumenti njerëzor, i zgjedhur nga Perëndia, për të sjellë në jetë këtë kishë. Pikërisht gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, në fillim të viteve 50, ai arriti në qytetin që gjendej në urën tokësore mes dheut të Akaisë dhe gadishullit të Peloponezit. Ky ishte një qytet i bekuar prej dy porteve (Lekeumi dhe Kenkrea) dhe një popullsi kozmopolite prej rreth 150.000 banorësh. Ishte një rrëmet i vërtetë njerëzish, plot idhujtari dhe imoral deri në maksimum.
Shërbesa e Palit e pati fillimin në sinagogën lokale, por kur kundërshtimi u ndez dhe u ashpërsua, e vazhdoi punën në shtëpinë e Tit Justit, një adhurues i Perëndisë. Pa dyshim, ai shërbeu edhe në agora dhe pjesë të tjera të qytetit. “... edhe shumë nga korintasit, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan” (Veprat e Apostujve 18:8). Perëndia e nxiti Palin përmes një vegimi nate që të vazhdonte e të shërbente me guxim, sepse kishte ende shumë njerëz në qytet që duhet të besonin në Jezusin. Kështu, ajo duhet të ketë qenë një kishë e madhe, e cila përbëhej kryesisht nga adhurues të idhujve të kthyer në besim, si dhe nga një numër i vogël judenjsh. Pali u drejtohet korintasve si ati i tyre frymëror (1 e Korintasve 4:15).
Mirëpo, kjo nuk ishte një kishë e lehtë për të shërbyer. Disa prej tyre kishin qenë të përfshirë në shthurje seksuale, për të cilën qyteti ishte i famshëm, ndërsa të tjerë kishin qenë idhujtarë, hajdutë dhe pijanecë (1 e Korintasve 6:9–11). Veç kësaj, Pali thotë për ta që ishin shumë të dhënë pas filozofisë greke (1 e Korintasve 2:4–5), të papjekur (1 e Korintasve 3:1), të krekosur (1 e Korintasve 4:6), arrogantë (1 e Korintasve 5:2), mburravecë (1 e Korintasve 5:6), të shkujdesur (1 e Korintasve 6:1; 11:21–22) dhe lista mund të vazhdojë pafund. Si mund t’i shërbente Pali këtyre njerëzve duke pasur parasysh rrethanat?
Vlen të theksohet se, që në fillim të letrës, Pali falënderon për ta, i lavdëron dhe e pranon se atyre nuk u mungonte asnjë dhunti frymërore (1 e Korintasve 1:4–7). Më vonë, ai e bën të qartë se nuk po u shkruante për t’i turpëruar, por për t’i këshilluar si fëmijët e tij të dashur (1 e Korintasve 4:14). Dashuria e tij baritore për ta bie në sy gjatë gjithë letrës. Fjalët e tij të fundit në letër janë: “Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezus. Amen” (1 e Korintasve 16:24).
2. Letra e Parë drejtuar Korintasve shquhet për një larmi më të madhe përmbajtjeje sesa të gjitha letrat e tjera të Palit.
J. Gresham Machen shprehet: “Nuk ka asnjë libër tjetër në gjithë Dhiatën e Re që të ofrojë kaq shumë informacion rreth funksionimit të brendshëm të një kishe apostolike, sa Letra e Parë drejtuar Korintasve. Vetëm ajo na zbulon, me gjithë larminë e tyre befasuese, problemet praktike, me të cilat ballafaqoheshin bashkësitë e para të krishtera”.[1] Nga leximi i letrës shquajmë një gamë të gjerë temash që trajtohen në të. Pali ishte informuar në lidhje me problemet që i trajton në letër prej dy lajmeve që kishte marrë: një lajm prej Kloes që ia kishin sjellë “ata të shtëpisë” së saj, mbase shërbëtorët e saj (1 e Korintasve 1:11), si dhe një tjetër lajm prej Stefanit, Fortunatit dhe Akaikut, mbase në formën e një letre të nisur nga kisha (1 e Korintasve 16:17).
Aty kishte tarafe (1 e Korintasve 1:11–12); një rast të tillë incesti që ishte mjaft tronditës, madje edhe për vetë paganët (1 e Korintasve 5:1); procese të vogla gjyqësore që i merrte vesh gjithë bota (1 e Korintasve 6:1); nevojë për mësim lidhur me martesën dhe divorcin (1 e Korintasve 7); mosmarrëveshje rreth ngrënies së mishit, që më parë i ishte flijuar idhujve paganë (1 e Korintasve 8:1–11:1); probleme të ndryshme rreth adhurimit dhe përdorimit të dhuntive frymërore (1 e Korintasve 12–14); si dhe mohimi nga një pjesë e kishës e vërtetësisë së ringjalljes (1 e Korintasve 15:12). Pra, bëhet fjalë për një listë marramendëse vështirësish dhe ka edhe më tepër sesa kaq. Ishte një kishë me shumë probleme dhe shqetësime.
3. Megjithëse korintasit dhe problemet e tyre qëndrojnë larg nesh në kohë dhe kulturë, mënyra se si Pali i trajton ato ka rëndësi absolute për ne.
Kjo është një kujtesë e mirë se çdo i krishterë në çdo epokë duhet të përpiqet që ta zbatojë Shkrimin e Shenjtë në përputhje me kushtet e jetës së vet. Kemi nevojë për ndihmë që ta realizojmë këtë. Le t’ia nisim duke siguruar një Bibël të mirë studimi, siç është Bibla Studimore e Reformimit (Reformation Bible Study). Në të gjenden komente më të plota, duke filluar nga ato relativisht të thjeshta e deri te ato thellësisht teknike. Lista të dobishme të komentarëve më të mirë janë përpiluar nga Keith Mathison, Tim Challies dhe të tjerë. Gjithmonë kujtojini vetes se ndihma më e madhe do t’ju vijë nga Zoti. Psalmi 119:18 është një lutje e mirë për t’u përdorur, sa herë që lexoni ose studioni Biblën: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd”.
Shënime
[1] J. Gresham Machen, Dhiata e Re: Një Hyrje në Letërsinë dhe Historinë e saj/The New Testament: An Introduction to its Literature and History (Edinburgh: Banner of Truth, 1976), fq. 131.
[2] Po atje, fq. 134.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-1-corinthians
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025