3 things about samuel 2560

Maj 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

Roland Mathews

Librat e 1 dhe 2 i Samuelit rrëfejnë ngjarjet gjatë periudhës njëqindvjeçare, që fillon me fundin e periudhës së gjyqtarëve dhe mbyllet me themelimin e mbretërisë davidike. Kemi shumë për të mësuar prej librave 1 dhe 2 i Samuelit, dhe më poshtë do të shohim tri të vërteta në lidhje me to.

1. Perëndia kishte synuar përherë që Izraeli të kishte një mbret.

Pjesa mbyllëse e librit të Gjyqtarëve përfundon me këtë refren: “...nuk kishte mbret në Izrael…” (Gjyqtarëve 17:6; 18:1; 19:1; 21:25). Kjo gjendje do të vazhdojë deri në periudhën e gjyqtarit të fundit, të Samuelit (1 i Samuelit 7:15–17). Nga fundi i shërbesës së tij, pleqtë e popullit erdhën dhe kërkuan që ai t’u jepte atyre një mbret. Kjo kërkesë nuk ishte e keqe në vetvete. Përkundrazi, dëshira që fshihej pas kërkesës, ishte e keqe. Ata donin që mbi ta të sundonte një mbret që të ishte si mbretërit e kombeve të tjera (1 i Samuelit 8:4–5, 19–20; 10:19). Kërkesa përbënte një refuzim të heshtur jo vetëm të Samuelit, por edhe të Perëndisë dhe sundimit të këtij të fundit (1 i Samuelit 8:7–8).

Koncepti i mbretit njerëzor nuk ishte diçka e huaj për kontekstin e fesë së Izraelit. Patriarku Jakob profetizoi se Juda do të ishte fisi mbretëror (Zanafilla 49:8–12). Ligji i Përtërirë 17:14–20 i përcaktonte qartë karakteristikat e mbretit të Izraelit në raport me vendin. Çështja nuk është nëse një mbret tokësor ishte i dëshirueshëm apo jo, por se çfarë mbreti do të ishte ky. A do të ishte një mbret si mbretërit e kombeve (pra, ai lloj mbreti siç e kërkonin pleqtë), apo do të ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë?

Sauli u vajos si mbreti i parë i Izraelit, por ai ngriti krye kundër urdhrave të Perëndisë (1 i Samuelit 10:8; 13:6–10; 15:1–9). Ai nuk ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë. Perëndia e hodhi poshtë Saulin si mbret (1 i Samuelit 13:13–14; 15:10–11) dhe do të vendoste dikë tjetër në vend të tij.

2. Perëndia e zgjodhi Davidin për të qenë mbret dhe i premtoi atij një dinasti të përjetshme.

Perëndia zgjodhi Davidin, një djalosh barí nga fisi i Judës, për të zëvendësuar Saulin. Samueli e vajosi atë si mbret ndërkohë që Sauli ende mbretëronte (1 i Samuelit 16:6–13). Pas shumë vitesh të vështira, Davidi më në fund u ngjit në fron (2 i Samuelit 5:1–5). Ai e pushtoi Jerusalemin dhe menjëherë e shpalli atë si kryeqytetin mbretëror (2 i Samuelit 5:6–10).

Davidi dëshironte të ndërtonte shtëpinë e Perëndisë (2 i Samuelit 7:1–3). Arka e besëlidhjes ishte kthyer në Izrael nga shtëpia e Obed-Edomit (2 i Samuelit 6:12–15). Në vend që ta lejonte Davidin të ndërtonte shtëpinë e Tij, Perëndia tha se do të themelonte shtëpinë e Davidit. Prej Davidit, Ai do të bënte një dinasti mbretërore (2 i Samuelit 7:8–16). Në një gjuhë që tingëllon si ajo e besëlidhjes abrahamike, Perëndia tha se do ta bënte të madh emrin e Davidit (2 i Samuelit 7:9; Zanafilla 12:2) dhe se njerëzit do të gjenin pushim në tokën e tyre (2 i Samuelit 7:10–11; Zanafilla 15:12–21; Eksodi 3:8).

Dinastia e premtuar përmbushet përmes birit mbretëror që do të ngrinte Zoti (2 i Samuelit 7:12). Perëndia tha: “Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua…” (2 i Samuelit 7:14). Gjuha e birërimit na kujton Eksodin 4:22-23, vargje në të cilat Izraeli quhet biri i Perëndisë, por këtu kjo figurë vlen vetëm për një person, birin e Davidit. Biri i Davidit do të sundojë jo vetëm mbi popullin e Izraelit, por edhe mbi kombet (Zanafilla 3:15; 12:1–3; Psalmet 2; 110). Kjo marrëdhënie e veçantë mes Perëndisë dhe birit të Davidit, për pasojë e qartëson se përse do të ishte biri i Davidit dhe jo vetë Davidi që do të ndërtonte shtëpinë e Perëndisë (2 i Samuelit 7:13).

3. Perëndia e zgjodhi Jerusalemin që të ishte vendi ku Ai do të siguronte zëvendësuesin për popullin e Tij.

Nga fundi i mbretërimit të tij, Davidi realizoi regjistrimin e popullit (2 i Samuelit 24:1–9). Ky veprim nxiti zemërimin e Zotit. Davidi e kuptoi se kishte bërë mëkat dhe e rrëfeu atë (v. 10). Pavarësisht nga kjo, pasoja e mëkatit të tij qe murtaja që vrau plot shtatëdhjetëmijë njerëz brenda tri ditëve.

Teksa engjëlli po bëhej gati të godiste Jerusalemin, Perëndia u zbut dhe ia ndali dorën engjëllit (v. 16). Engjëlli u ndal “...afër lëmit të Araunahut, jebuseut”. Perëndia e udhëzoi Davidin që të ndërtonte një altar pikërisht atje (v. 18). Davidi shkoi, e bleu pronën, ndërtoi altarin dhe i ofroi flijimet (vargjet 19–25). Fundi i këtij episodi shënon edhe mbylljen e këtyre dy librave: “Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë për vendin dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit” (2 i Samuelit 24:25). Shlyerja u krye, por kjo nuk ishte hera e fundit që në këtë vend do të bëhej shlyerja e mëkateve.

Lëmi i Araunahut ka një histori me shumë pjesë. Ai mban edhe një emër tjetër, i cili është Mali Moriah. Mali Moriah ishte vendi ku Perëndia e vuri në provë besimin e Abrahamit (Zanafilla 22:1–14; Hebrenjve 11:17–19). Abrahami u bë gati të ofronte Isakun si flijim, por Perëndia ia ndali dorën. Ai siguroi një dash si zëvendësues. Mali Moriah është po ashtu vendi ku Salomoni do të ndërtonte tempullin (2 i Kronikave 3:1). Në këtë vend, Izraeli do të sillte blatimet dhe flijimet; në këtë vend, zëvendësuesi do të vdiste në vend të një tjetri.

Flijimi përfundimtar dhe zëvendësues që do të ofrohej prej një mbreti, do të kryhej qindra vjet pas tempullit të Salomonit. Atje në Jerusalem, një Mbret do të qëndronte përpara Perëndisë duke iu përgjëruar Atij në emër të popullit të Tij. Ai nuk do të kishte flijim tjetër për të ofruar përveç Vetes, por përgjërimi i Tij do të pranohej. Ai është biri i Davidit dhe Biri i Perëndisë, Zoti Jezu Krisht (Mateu 1:1–16; Romakëve 1:1–4).


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-samuel 

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi dritën
10 vargje kyç mbi bekimin