Maj 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Caleb Cangelosi
1. Libri i Mbretërve u shkrua gjatë mërgimit, për të sqaruar se përse Izraeli dhe Juda u shpërngulën me forcë.
Në Bibën hebraike, Libri i Mbretërve, i cili përfshin 1 dhe 2 Mbretërve së bashku, është libri i fundit i Profetëve të Hershëm (Jozueu, Gjyqtarëve, Samuelit dhe Mbretërve). Këta libra rrëfejnë historinë e Izraelit që prej mbërritjes së tyre në tokën që Perëndia ia kishte premtuar dhe deri në shpërnguljen e tyre nga kjo tokë gjatë mërgimit asirian e babilonas. Koha më e hershme kur mendohet se u hartua versioni përfundimtar i librit të Mbretërve është pas lirimit të Mbretit Jehoiakin nga burgu në vitin 561 para Krishtit (2 i Mbretërve 25:27), dhe për shkak se nuk e përmend kthimin nga mërgimi, me shumë gjasë u shkrua gjatë gjysmës së dytë të mërgimit babilonas.
Libri i Mbretërve është histori teologjike, synimi i së cilës është të shpjegojë se përse Perëndia e la popullin e Tij që të binte në duart e të huajve. Përgjigjja përsëritet shpesh: që nga koha e ndarjes së mbretërisë pas sundimit të Salomonit, populli i Perëndisë dhe sunduesit e tyre “...bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç’kishin bërë etërit e tyre” (1 i Mbretërve 14:22). Edhe kur qëllonte që dilte ndonjë mbret i perëndishëm, pasardhësit e tij vazhdonin rënien frymërore të Izraelit/Judës. Komentari i zgjeruar teologjik te 2 i Mbretërve 17:7–23 përmbledh mesazhin e gjithë librit: “Kjo [mërgimi] ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit, duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera; kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit” (vargjet 7–8).
Nuk ka ndonjë premtim apo profeci të shprehur qartë te libri i Mbretërve rreth kthimit nga mërgimi, mirëpo lirimi i Jehoiakinit nga burgu në fund të librit paralajmëron një fund të lumtur. Siç lexojmë te Ligji i Përtërirë 4:25–31 dhe gjatë gjithë shkrimeve profetike, ai fund do të vinte një ditë, përfundimisht me ardhjen Birit më të madh të Davidit, Jezu Krishtit, i cili ulet përjetësisht në fronin e Davidit.
2. Libri i Mbretërve nuk flet thjesht për mbretërit, por edhe për profetët.
Ngritja e monarkisë së Izraelit solli për pasojë edhe lulëzimin e ofiqit profetik dhe kjo ndodhi për një arsye shumë bindëse, sepse mbretërit rebelë kishin nevojë të dëgjonin fjalët paralajmëruese të Perëndisë, ndërsa mbretërit besnikë kishin nevojë të dëgjonin fjalët inkurajuese të Perëndisë. Gjatë librit të Mbretërve, profetë të shumtë këshillojnë, udhëzojnë, paralajmërojnë dhe parathonë të ardhmen për t’i kujtuar sunduesve izraelitë (dhe lexuesit) se Fjala e Perëndisë ishte autoriteti dhe pushteti suprem në Izrael.
Shumë profetë, emrat e të cilëve thuhen ose jo, luajnë një rol të rëndësishëm gjatë narrativës, por Elia dhe Eliseu janë personazhet kryesorë. Perëndia i ngriti ata gjatë mbretërimit të shtëpisë së Ahabit (periudha e besëlënies më të thellë të Izraelit) veçanërisht për ta thirrur Mbretërinë e Veriut që të kthehej te Perëndia dhe te fjala e Tij. Këta dy njerëz të perëndishëm e të guximshëm ishin drejtuesit e “bijve të profetëve”, që fillimisht u mblodhën së bashku gjatë shërbesës profetike të Samuelit. Shpalljet dhe mrekullitë e Elias dhe Eliseut paralajmërojnë shërbesën e fjalës dhe të veprës të Jezusit si Profeti më i madh që Moisiu kishte parathënë te Ligji i Përtërirë 18.
3. Te 1 i Mbretërve 19, Elia nuk ishte një profet frikacak dhe i vetë-keqardhur.
Shumë komentatorë e portretizojnë Elian në këtë kapitull si një burrë frikacak dhe ankues, i cili ia mbathi nga Jezebeli i mbërthyer nga frika dhe mungesa e besimit, për t'i rrëfyer Zotit përrallën e vet egoiste “mjerë unë i ziu”. Mirëpo, Pali, kur i shtjellon fjalët e Elias, na ofron një këndvështrim tjetër: “...i drejtohet Perëndisë kundër Izraelit” (Romakëve 11:2). Sipas komentatorit Dale Ralph Davis, ka shumë arsye për të cilat duhet hedhur poshtë pikëpamja se Elia ia mbathi i shtyrë nga mungesa e besimit.[1]
- Edhe pse në hebraisht 1 i Mbretërve 19:3 mund të lexohet: “dhe ai pati frikë”, teksti tradicional hebraik thotë “dhe ai pa”. Kuptimi i dytë shpjegon të parin. Elia jo vetëm që pa, por dhe kuptoi se mposhtja e profetëve të Baalit në Malin Karmel (1 i Mbretërve 18:17–40) nuk kishte sjellë asnjë rezultat. Jezebeli, adhuruesja e Baalit, ende e kishte në dorë pushtetin në Izrael. Prandaj Elia u nis për t’ia besuar Perëndisë veten dhe gjendjen e Izraelit.
- Harta dëshmon se udhëtimi i Elias nuk nxitej nga paniku apo braktisja e detyrës, por ishte i qëllimshëm dhe i planifikuar. Ai do të kishte qenë i sigurt në mbretërinë e Judës, e megjithatë bëri gjithë atë rrugë deri në Beer-Shebë, njëqind e gjashtëdhjetë kilometra në jug të Jezreelit, dhe prej andej ai bëri edhe një ditë tjetër udhë në thellësi të shkretëtirës (1 i Mbretërve 19:3–4). Engjëlli i Perëndisë e nxiti të hante dhe të merrte forca të reja për një udhëtim edhe më të gjatë (1 i Mbretërve 19:7), destinacioni i të cilit ishte Mali Horeb, ku Perëndia dëshironte të dëgjonte prej tij.
- Ashtu si Pali, edhe ne mund t’i shohim fjalët e Elias nëpërmjet paralelizmave me Moisiun. Moisiu së pari i mori Dhjetë Urdhërimet në Malin Horeb/Sinai dhe gjatë agjërimit të tij 40-ditor, Izraeli e shkeli urdhërimin e dytë dhe u kursye vetëm sepse Perëndia ia vuri veshin ndërmjetësimit besëlidhjor të këtij të fundit. Në kohën e Elias, Izraeli e kishte tradhtuar besëlidhjen e Perëndisë në një mënyrë edhe më të keqe, duke adhuruar perëndi të tjera. Elia nuk iu drejtua Perëndisë si një ndërmjetës, por si avokat i besëlidhjes, duke paraqitur prova për ndjekjen penale të Izraelit.
Në vend se të dridhej nga ankthi apo të mos shihte përtej hundës së vet, Elia udhëtoi drejt Horebit si një profet zemërthyer, duke psherëtirë nga zhgënjimi për shkak të zemrave të ngurta e të papenduara të Izraelit. Perëndia nuk e qortoi atë për ardhjen në Horeb, por me dhembshuri e drejtësi iu qas shërbëtorit të Vet me moral të rënë, për ta dëgjuar atë teksa ngrinte një akuzë besëlidhjeje kundër Izraelit. Zoti e nxiti profetin e Tij me fjalë gjykimi dhe shprese, si dhe i dha një drejtim të ri shërbesës së Tij, duke përgatitur kështu terrenin për vazhdimin e kësaj narrative.
Shih Dejl Ralf Devis/Dale Ralph Davis, 1 Kings: The Wisdom and the Folly (Fearn, Scotland: Christian Focus Publications, 2008) dhe 2 Kings: The Power and the Fury (Fearn, Scotland: Christian Focus Publications, 2011).
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-kings
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025