Sakrifica dhe mirekujdestaria

Qershor 2024


Ne duhet t’ia falim veten Perëndisë si fli apo si fli të gjallë. Kjo do të thotë se duhet të ofrojmë kohën dhe energjitë tona, madje edhe vetë veten tonë në vepra adhurimi dhe mirënjohjeje. Mirëpo, duhet të jemi përherë të vetëdijshëm se këto dhe të gjitha gjërat e tjera, na i ka dhënë Perëndia. Për pasojë, dhënia biblike bëhet në kuadrin e mirëkujdestarisë, pra, të administrimit të gjërave të mira që Ati na i jep me shumicë.

Koncepti i mirëkujdestarisë shfaqet qysh në krijim. Krijimi kremtohet jo vetëm te Zanafilla, por në mbarë Shkrimin e Shenjtë e veçanërisht te Psalmet, ku shpallet pronësia e Perëndisë mbi mbarë gjithësinë: “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë në të, bota dhe banorët e saj” (Psalmi 24:1). Perëndia është autori i të gjitha gjërave, Krijuesi i të gjitha gjërave dhe pronari i të gjitha gjërave. Gjithçka që Perëndia ka krijuar është prona e Tij. Gjithçka që ne kemi në pronësi, e zotërojmë si kujdestarë që i kanë marrë dhuratat prej vetë Perëndisë. Perëndia është pronari suprem i të gjitha “zotërimeve” tona. Ai na i ka huazuar të gjitha këto gjëra dhe pret që ne t’i administrojmë ato në një mënyrë që do ta nderojë dhe përlëvdojë Atë.

Dhënia biblike bëhet në kuadrin e mirëkujdestarisë, pra, të administrimit të gjërave të mira që Ati na i jep me shumicë.

Fjala që përkthehet si “mirëkujdestari” në Bibël është fjala greke oikonomia, prej së cilës rrjedh fjala jonë ekonomi. Bëhet fjalë për dy fjalë të dallueshme që bashkohen për të formuar një fjalë të re: oikos, e cila vjen nga fjala greke “shtëpi”, dhe nomos, fjalë e cila do të thotë “ligj”. Pra, fjala e përkthyer si “mirëkujdestari”, fjalë për fjalë do të thotë “ligji i shtëpisë” apo “rregullat e shtëpisë”.

Në lashtësi, kujdestari nuk ishte i zoti i shtëpisë. Përkundrazi, ai punësohej nga i zoti i shtëpisë për të administruar pronat e familjes. Kujdestari mirëkujdesej për pronat dhe pasuritë, dhe kishte për detyrë të vinte në përdorim resurset e shtëpisë. Ai e kishte për detyrë të sigurohej që ushqimi të mos mbaronte ndonjëherë, që paratë të administroheshin sa më frytshëm, që tokat të punoheshin siç duhet dhe që banesa e rrethinat e saj të ishin në gjendje të mirë.

Mirëkujdestaria e njerëzimit filloi që në Kopshtin e Edenit, kur Perëndia i dha Adamit dhe Evës sundimin mbi gjithë krijimin. Adamit dhe Evës nuk iu dha pronësia e botës, përkundrazi, iu dha përgjegjësia për t’u mirëkujdesur për të. Ata duhet të siguroheshin që kopshti të punohej dhe të kultivohej, të mos keqtrajtohej apo keqshfrytëzohej, dhe që të mirat që Perëndia kishte siguruar të mos dëmtoheshin a të shpërdoroheshin. Pra, ajo për të cilën po flasim në thelb, kur trajtojmë mirëkujdestarinë biblike është përgjegjësia për administrimin ose vënien në përdorim të burimeve që nuk na përkasin. Tek e fundit, ato i përkasin Perëndisë.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-stewardship 
Autori: R.C. Sproul
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin
5 gjëra që duhet t’i dini për Besoret