Këtë libër lipset ta shohësh në kontekstin historik si një akt i guximshëm rrëfimi dhe shërimi në një botë të luajtur mendsh. Më 1942, vetëm njëzet e katër vjet pas përfundimit të një lufte të përgjakshme që rrënoi një brez të tërë të rinisë së saj, Britania e Madhe ishte sërish në luftë… Kur ishte djalosh i ri, C. S. Lewis-i shërbeu ne aradhet e tmerrshme të Luftës I Botërore dhe, më 1940, kur nisi bombardimi i Britanisë, ai mori përsipër detyrën e kujdestarit ndaj sulmeve ajrore dhe u foli njerëzve ne Forcat Ajrore Mbretërore te Britanisë, te cilët e dinin se, pas vetëm trembëdhjetë misionesh bombardimi, shumica prej tyre do të shpalleshin të vdekur ose të humbur. Situata e tyre e shtyu Lewis-in të fliste për problemet e vuajtjes, dhimbjes dhe të së keqes, punë e cila çoi në ftesën që stacioni i radios BBC i bëri për të folur disa herë gjatë kohës së luftës mbi besimin e krishterë. Këto fjalime, të transmetuara në radio nga viti 1942 deri më 1944, dalëngadalë u përmblodhën në librin që sot e njohim si “Thjesht krishterim”… Domethënë ky libër nuk konsiston në mendime filozofike akademike. Përkundrazi, është një vepër letërsie gojore, drejtuar njerëzve që ishin në luftë.
Na mbetet veçse te mahnitemi me metaforat që e prekën aq thellë auditorin fillestar të librit; imazhe të botës sonë si territor i pushtuar prej armikut, i pushtuar nga ligësi të mëdha të vendosura për te shkatërruar gjithçka që është e mirë, të cilat janë ende të vlefshme sot.