Ai erdhi të na bekojë!

Dhjetor 2020


Veprat 3:22-26

Sepse Moisiu, u tha etërve: “Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë! Por do të ndodhë që çdo shpirt, që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej mesit të popullit.” Por edhe të gjithë profetët, sa kanë folur që nga Samueli e këtej, i kanë paralajmëruar këto ditë. Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: ‘Dhe në pasardhjen tënde do të bekohen të gjitha fiset e dheut.’ Perëndia më së pari, pasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t’ju bekojë, duke larguar secilin prej jush nga paudhësitë tuaja.”

Nga e njëjta pjesë, tani mësojmë se pjesë e bekimit është demonstrimi i besueshmërisë së Perëndisë.

Pjetri i radhit premtimet. Në vargun 22, ai thotë se Moisiu e parashikoi ardhjen e një profeti si ai. Në vargun 24, ai thotë se të gjithë profetët, nga Samueli e në vazhdim, i shpallën këto ditë—ditët e Jezusit. Në vargun 25, thotë se Perëndia i bëri një premtim Abrahamit për këto ditë. Ideja është që kur të vijë Jezusi, Ai do të konfirmojë të vërtetën e gjithë këtyre premtimeve. Ai tregon se Perëndia është i besueshëm; Ai e mban fjalën.

Ja se si e shpreh Pali këtë gjë te Romakëve 15:8: “Por them se Jezu Krishti u bë shërbenjës i të rrethprerëve [domethënë hebrenjve] për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve.” Pra, e shpallur në mënyrën më të qartë: Krishti erdhi për të vërtetuar se Perëndia thotë të vërtetën, se Perëndia i mban premtimet e Tij. Krishtlindja do të thotë se Perëndisë mund t’i zësh besë.

Kjo është pjesë e bekimit që Ai sjell dhe ua ofron në këtë stinë Adventi. Është bekim, për shkak se atje ku Perëndia harrohet, jeta morale dhe frymërore shpërbëhet. Themeli i jetës morale është besnikëria e Perëndisë. Një shoqëri që harron vendin qendror të besnikërisë absolute të Perëndisë, harron themelin e së vërtetës, themelin e moralit dhe themelin e bukurisë.

Krishtlindja është ritheksimi i themelit të gjithë të vërtetës, mirësisë dhe bukurisë, për shkak se Krishtlindje do të thotë: Perëndia është i besueshëm.

Besnikëria e Perëndisë është e pandryshueshmja në një univers ndryshimesh. Besnikëria e Perëndisë është absolutja e palëkundshme. Nëse harrojmë besnikërinë e Perëndisë, kemi ngelur pa spirancë, timoni na është prishur, bashi është thyer dhe anija e jetës (politike, shoqërore, arsimore, shkencore dhe familjare) thjesht ka mbetur në mëshirën e shtrëngatave të dëshirave njerëzore.

Prandaj po e them me gjithë zemrën time: demonstrimi i besnikërisë së Perëndisë është një bekim i madh. Ua jepni këtë bekim fëmijëve tuaj! I thoni brezit të ri herë pas here: Perëndia është besnik; Perëndia e mban fjalën; Perëndia nuk gënjen; Perëndisë mund t’i zëmë besë. Ky është një prej bekimeve të Adventit. Pranojeni këtë si një dhuratë të mrekullueshme për Krishtlindje dhe jepjani sa më shumë njerëzve që të keni mundësi.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>