Misioni i kërkim-shpëtimit

Dhjetor 2020


Luka 19:1

Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.

Fjala Advent do të thotë ‘ardhje’. Gjatë kësaj periudhe të vitit, fokusohemi te kuptimi i ardhjes së Birit të Perëndisë në botë. Fryma e kremtimit tonë, duhet të jetë fryma në të cilën Ai erdhi. Fryma e ardhjes së Tij përmblidhet te Luka 19:10: “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.”

Ardhja e Jezusit ishte një mision kërkim-shpëtimi: “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.”

Prandaj, Adventi është një stinë për të menduar rreth misionit të Perëndisë, për të kërkuar dhe shpëtuar njerëzit e humbur prej zemërimit që po vjen. Perëndia e ringjalli prej së vdekurish “Jezusin, që na shpëton nga zemërim që po vjen” (1 e Thesalonikasve 1:10).

Kjo është një stinë për të çmuar dhe adhuruar këtë karakteristikë të Perëndisë, që Ai është një Perëndi i cili kërkon dhe shpëton, që Ai është një Perëndi në një mision, një Perëndi i cili nuk është i largët, pasiv apo i pavendosur. Ai nuk është kurrë në gjendje mirëmbajtjeje, apo duke u endur kuturu. Ai dërgon, gjurmon, kërkon, shpëton. Ky është kuptimi i Adventit!

Libri i Veprave është një kremtim i kësaj zemre të Perëndisë, i Atij që vepron për të kërkuar dhe shpëtuar të humburit. Është tregimi i ardhjes së vazhdueshme të Jezusit, në gjithnjë e më tepër popuj të botës. Libri i Veprave është historia se si kisha e hershme i kuptoi fjalët: “Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjoni 20:21). Është historia se si ardhja vertikale e Perëndisë në misionin e Jezusit kthehet në ardhjen horizontale të Jezusit në misionin e kishës. Në ne!

Jezusi erdhi në botë në Adventin e parë dhe çdo Advent qysh atëherë është një kujtim për ardhjen e Tij të vazhdueshme, në gjithnjë e më tepër jetë njerëzish. Në fakt, Adventi është Adventi ynë; ardhja jonë, hyrja jonë në jetët e atyre përreth nesh dhe në popujt e botës.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin