“Rojë, në ç’pikë ka arritur nata?”
Isaia 21:11
Sa të shumtë janë armiqtë përjashta? Gabimet janë të panumërta dhe në çdo orë që kalon, shfaqen herezi të reja: Kundër cilës herezi ta ruaj veten? Mëkatet zvarriten jashtë strofkave të tyre kur mbretëron errësira, kështu që më duhet të ngjitem në vendrojë dhe t’i kushtohem lutjes. Mbrojtësi ynë qiellor i ka parashikuar të gjitha sulmet që na presin, dhe kur mbrapshtitë e planifikuara kundër nesh janë ende në mendjen e Qoftëlargut, Ai lutet për ne, që besimi ynë të mos na lërë në baltë kur të shoshemi porsi gruri. Vazhdo, o Rojë i hirshëm, të na paralajmërosh për armiqtë tanë, dhe për hir të Sionit, mos rri në heshtje!
“Rojë, në ç’pikë ka arritur nata?” Çfarë moti e pret Kishën? A mos vallë po mblidhen re të zeza, apo kemi mot të mirë dhe me diell atje lart? Duhet të përkujdesemi për Kishën e Perëndisë me dashuri të pastër dhe të etshme; dhe tani që na kërcënojnë rreziqe të tilla si feja e zbrazët dhe ateizimi, le të vërejmë shenjat e kohëve dhe të përgatitemi për betejë!
“Rojë, në ç’pikë ka arritur nata?” Cilat yje dallohen në këtë orë të natës? Cilat janë premtimet e vyera që i përshtaten rastit tonë konkret? Ti i bie kambanës së alarmit dhe na fal edhe përdëllimin. Krishti, si Ylli Polar, është përherë në vendin e Tij, dhe të gjitha yjet e tjera gjenden të sigurta në dorën e djathtë të Zotit të tyre.
Mirëpo, rojë, edhe sa duhet që të agojë dita? Dhëndri po vonohet. A mos vallë po duket ndonjë shenjë e ardhjes së Tij si Dielli i Drejtësisë? A nuk është ngritur vallë ylli i mëngjesit si premtimi i ditës që po vjen? Kur do të agojë dita e re dhe hijet t’ia mbathin me të katra? O Jezus, nëse sot nuk do të vish Vetë për Kishën Tënde që po të pret, eja të paktën me Frymën Tënde në zemrën time që psherëtin, dhe bëje të thurë këngë gëzimi!
Tani e gjithë toka shkëlqen, galdon
Me të freskëtin mëngjes;
Por zemra ime është e ftohtë, e errët, e trishtuar:
Dielli i shpirtit tim, lërmë të shikoj agimin Tënd!
Eja, Jezus, Zoti im,
O eja shpejt, sipas fjalës Sate.
© dritez.al 2024