“Duaje të afërmin tënd.”
Mateu 5:43
“Duaje të afërmin tënd!” Ndoshta ai noton në pasuri, kurse ti je i zhytur në skamje dhe dergjesh në kasollen tënde të vogël, e cila gjendet përballë vilës së tij luksoze. Ti i sheh përditë pasuritë e tij, rrobat e shtrenjta dhe gostitë e tij madhështore. Perëndia ia ka dhënë atij këto dhurata, ndaj mos e lakmo kamjen e tij dhe mos mendo keq për të! Ji i kënaqur me fatin tënd nëse nuk e përmirëson dot atë, dhe mos e shiko me keqdashje të afërmin tënd, duke dashur që ai të jetë si ti. Duaje atë dhe nuk do ta kesh zili!
Mbase mund të ndodhë edhe e kundërta; ti je i pasuri dhe pranë teje banojnë njerëz të varfër. Mos ki turp t’i quash ata të afërmit e tu! Dije se je i detyruar t’i duash. Bota i konsideron ata të një sëre më të ulët sesa jotja. Mirëpo, çfarë i bën ata më të ulët sesa ti? Në të vërtetë, në vend që të jenë më të ulët se ti, ata janë të barabartë me ty, sepse “ai [Zoti] ka bërë nga një gjak i vetëm çdo komb njerëzish, që të banojnë në mbarë faqen e dheut” (Veprat e Apostujve 17:26). Ndoshta veshjet e tua mund të jenë më të mira sesa të tyret, por kjo nuk të bën aspak më të mirë nga ata. Edhe ata janë njerëz si ti, atëherë, mos ke ti vallë ndonjë gjë më shumë se ata? Bëj kujdes që ta duash të afërmin tënd edhe nëse ai është mbuluar me rrecka ose i zhytur në skamje e mjerim!
Mirëpo, mbase mund të thuash: “E si mund t’i dua të afërmit e mi kur, pavarësisht se çfarë bëj për ta, ata më përgjigjen me përbuzje dhe mosmirënjohje?!”. Nëse është kështu, atëherë ka edhe më shumë vend për heroizmin e dashurisë. Mos dëshiron vallë të ruash rehatinë tënde më shumë sesa të durosh luftimin e ashpër të dashurisë? Sa më shumë të guxosh, aq më shumë do të fitosh! Dhe megjithëse shtegu i dashurisë është i thepisur, ec në të me guxim, duke i dashur të afërmit e tu në kohë të mira e të këqija! Grumbullo mbi kryet e tyre thëngjij të ndezur dhe nëse ata janë të vështirë për t’i kënaqur, mos u mundo t’i kënaqësh ata, por përpiqu më tepër të kënaqësh Zotin tënd! Dije se edhe nëse ata e refuzojnë dashurinë tënde, Zoti yt nuk e ka refuzuar atë, dhe se vepra jote është po aq e pranueshme për Të, sikur të kishte qenë për ata.
Duaje të afërmin tënd, sepse duke vepruar kështu, nuk po bën gjë tjetër veçse po ecën në gjurmët e Krishtit.
© dritez.al 2024