spurgeon dev 10 korrik am
July 2023

Bashkëqytetarë të shenjtorëve.

Efesianëve 2:19

Çfarë do të thotë që jemi qytetarë të qiellit? Do të thotë që jemi nën qeverisjen e qiellit. Krishti, Mbreti i Qiellit, sundon në zemrat tona; lutja jonë e përditshme është: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:10). I dëgjojmë plot ëndje shpalljet që bëhen nga froni i lavdisë, ashtu siç u bindemi me gëzim dekreteve të Mbretit të madh.

Mirëpo, duke qenë qytetarë të Jerusalemit të Ri, po ashtu kemi pjesën tonë në nderimet e qiellit. Lavdia që u përket shenjtorëve të lumë, na takon edhe neve, sepse tashmë jemi bij të Perëndisë, princa prej gjaku perandorak. Tashmë kemi veshur mantelin e panjollë të drejtësisë së Jezusit; tashmë engjëjt janë kthyer në shërbëtorët tanë; shenjtorët janë miqtë tanë, Krishti është Vëllai ynë, Perëndia është Ati ynë dhe kurora e pavdekësisë është shpërblimi ynë. Ndajmë nderet e qytetarisë, sepse marrim pjesë në kuvendin e përgjithshëm dhe në Kishën e të parëlindurve, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell.

Duke qenë qytetarë, kemi të drejtë bashkëpronësie mbi të gjitha zotërimet e qiellit. Tonat janë portat e tij të margaritarta dhe muret prej krizoliti, e jona është drita e kaltërreme e qytetit që nuk ka nevojë as për llambë dhe as për dritë dielli, yni është lumi i ujit të jetës dhe dymbëdhjetë llojet e frutave që rriten nëpër pemët e mbjella në brigjet e tij; madje nuk ka asgjë në qiell që nuk na përket edhe neve. “Gjërat e tanishme … gjërat e ardhshme” (1 e Korintasve 3:22)—janë të gjitha tonat.

Gjithashtu, si qytetarë të qiellit, ne shijojmë kënaqësitë e tij. A nuk ngazëllohen ata atje në qiell për mëkatarët që pendohen—për plëngprishësit që kthehen në shtëpi? Kështu gëzohemi edhe ne. A u këndojnë ata atje sipër lavdive të hirit ngadhënjimtar? Kështu bëjmë edhe ne. A i hedhin ata kurorat e tyre në këmbët e Jezusit? Edhe ne i hedhim në këmbët e Tij të gjitha sendet me vlerë që kemi. A mbeten ata vallë të mahnitur nga buzëqeshja e Tij? Jo më pak e mrekullueshme është ajo për ne këtu poshtë. A po e presin ata me padurim ardhjen e Tij të dytë? Edhe ne mezi e presim dhe e dëshirojmë fort të shfaqurit e Tij. Atëherë, nëse edhe ne jemi qytetarë të qiellit, ecja dhe veprat tona duhet të përputhen me dinjitetin tonë të lartë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin