“Unë jam lutur për ty…”
Luka 22:32
Sa shumë që inkurajohemi kur mendojmë se Shpëtimtari ynë ndërmjetëson për ne pa ndërprerje! Kur lutemi, Ai përgjërohet për ne; ndërsa kur nuk lutemi, Ai mban anën tonë, duke na mbrojtur me përgjërimet e Tij nga rreziqe të padukshme e të panjohura. Vëreni se me çfarë fjalësh ngushëlluese i drejtohet Simon Pjetrit: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por…” (Luka 22:31). Por çfarë? “Por shko e lutu për veten?”
Kjo do të ishte një këshillë e mirë, por nuk shkruhet kështu. Dhe Ai as nuk thotë: “Por unë do t’ju mbaj vigjilentë dhe kështu do ta ruani veten.” Ky do të ishte një bekim i madh, mirëpo na thuhet: “Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket” (Luka 22:32).
Ah, sikur ta dinim se sa shumë u detyrohemi lutjeve të Shpëtimtarit tonë! Kur të arrijmë majat e qiellit dhe të shohim prej andej të gjithë udhën nëpër të cilën na ka udhëhequr Zoti, Perëndia ynë, sa shumë që do ta lavdërojmë Atë që, përpara fronit të përjetshëm, e zhbëri të keqen që Satani po bënte mbi tokë.
Sa shumë që do ta falënderojmë Jezusin, sepse asnjëherë nuk ndenji duarkryq, por natë e ditë i tregoi plagët mbi duart e Tij dhe i mbarti emrat tanë mbi parzmoren e Vet! Madje edhe përpara se Satani të fillonte t’i tundonte besimtarët, Jezusi e kishte paraprirë atë dhe kishte ngritur një kundërpadi në qiell. Mëshira ia kalon ligësisë. Vëreni, ai nuk thotë: “Satani ka kërkuar t’ju shoshë.” Ai e kontrollon Satanin edhe në vetë dëshirat e tij dhe i mbyt ato që në embrion. Ai nuk thotë: “Por kam dashur të lutem për ju.” Përkundrazi, Ai thotë: “Por jam lutur për ju—e kam bërë tashmë atë gjë. Kam shkuar në gjykatë dhe kam ngritur atje një kundërpadi përpara se të ngrihej vetë padia.” O Jezus, sa ngushëllim i madh është për ne fakti që e ke mbrojtur çështjen tonë përpara armiqve tanë të padukshëm; Ti i ke demaskuar pusitë e tyre. Ky fakt është një burim gëzimi, mirënjohjeje, shprese dhe besimi.
© dritez.al 2024