kush eshte perendia

Prill 2021


Nga David Kenyon

Moisiu i tha Zotit: “Tregomë lavdinë tënde” (Eksodi 33:18). Në fakt, ai pyeti: “Kush je ti, Zot?” Perëndia iu përgjigj me këto fjalë: “Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj” (v. 19). Ai premtoi se do ta shfaqte veten. 

Por askush nuk mund të shohë Perëndinë dhe të jetojë. Kjo do të ishte e tepërt për çdo njeri—sidomos për një njeri mëkatar. Perëndia i kërkoi të qëndronte te shkëmbi dhe i tha: “dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, derisa të kem kaluar; pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet" (vargjet 22-23). Moisiu bëri mirë që e pyeti Zotin kush ishte, në vend që t’i thoshte se si donte ai që Zoti të ishte. Pra, Perëndia do ta shfaqte pjesërisht veten para Moisiut. Ai do të kalonte, do ta mbronte me vetë dorën e Tij, dhe do të shpallte emrin e Tij. Kjo do të thotë se Moisiu do të dëgjonte më shumë se thjesht shpalljen e emrit Yahweh—e përkthyer “ZOT”. Ai do të shpallte natyrën e Tij:

Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.” (Eksodi 34:6-7)

“ZOTI”—këtu Perëndia ia shfaqi veten e Tij Moisiut me anë të emrit të Tij, Yahweh. Ai është i madhi Unë Jam. Ai është Perëndia i pandryshueshëm, vetekzistues përmes të cilit të gjitha gjërat kanë jetë, dhe Ai është i mëshirshëm, i dhembshur, i duruar, plot mirësi dhe të vërtetë.

Falja është kaq e rëndësishme, saqë paraqitet përmes tre termave të ngjashëm: “fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin.” Ai është plot falje dhe mëshirë. Por Perëndia ynë, sipas vetë zbulesës së Tij, është edhe i drejtë. Teksti qartëson se Ai nuk mundet thjesht të shfajësojë fajtorin. Do të ishte kundër natyrës së Tij që ai të injoronte mëkatin. Drejtësia duhet të bëhet, për shkak të asaj që Perëndia është. Perëndia ynë duhet të jetë i vërtetë me veten. Por si mundet Ai të jetë edhe i mëshirshëm, edhe i drejtë në të njëjtën kohë? Si mund t’i ruajë të dyja këto cilësi njëkohësisht? Nëse do të tregojë vetëm mëshirë, drejtësia do të mbetet mënjanë. Nëse do të vendosë vetëm drejtësi, atëherë s’do të ketë mëshirë.

Përgjigjja është mishërimi dhe kryqi. Ati, duke qenë se është edhe i mëshirshëm, edhe i drejtë, dërgoi Birin për të përfaqësuar të gjithë ata që Ati i kishte dhënë (Gjoni 17:18-23; Efesianëve 5:25-32). Pa ndaluar nga të qenët Perëndi, Biri mori mbi Vete një natyrë njerëzore. I ngjizur nga Fryma e Shenjtë dhe i lindur nga e virgjëra Mari, Ai jetoi një jetë të përsosur nën ligjin e Zotit, duke mbajtur ligjin që Adami shkeli. Me vullnet të plotë Ai shkoi në kryq, me vullnet të plotë Ai mori të vetët, duke u bërë koka e tyre (përfaqësuesi), që ata të ishin një me Të, si dhe u bë përfaqësuesi i mëkatit tonë. Pastaj barti zemërimin e Atit, duke paguar çmimin që ne nuk mundemi.

Pali thotë te 2 e Korintasve 5:21: “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Duke na bërë një me Jezusin, Ati mund të hidhte të gjithë zemërimin e Tij mbi Birin. Drejtësia u vendos, dhe faji ynë u hoq. Në kryqin e Jezusit, gjejmë edhe mëshirën e mrekullueshme, edhe drejtësinë e përsosur të Perëndisë, e cila u shfaq plotësisht.

Le të kthehemi te Moisiu. Ai e dinte se asnjeri nuk mund të shihte Perëndinë dhe të jetonte, por Perëndia i tha se ndërsa lavdia e Tij do të kalonte, Ai do ta vendoste Moisiun në një të çarë të shkëmbit dhe do ta mbulonte profetin me dorën e Tij. Davidi e kuptonte mirë këtë, dhe tha: “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë” (Psalmi 18:2). Dhe Pali e bën të qartë që Shkëmbi i shpëtimit tonë është Jezusi (1 e Korintasve 10:1-4). Për ata që besojnë në Krishtin, Perëndia bën të njëjtën gjë që Ai bëri për Moisiun. Ai na fsheh në të çarën e Shkëmbit. Ai na fsheh te Jezusi. Në Të, mëkatet tona janë të falura. Në Të, ne jemi të shpëtuar nga zemërimi i Perëndisë. Në Të, ne njohim edhe drejtësinë, edhe mëshirën.

Pastor David Kenyon është pastor i kishës Presbiteriane në Ligonier, Pensilvani. Ai gjithashtu shërben në stafin e “Tumpline Ministries”.

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/who-god/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk

Postime të ngjashme

Qiejt e rinj dhe toka e re
T’ia predikosh ungjillin vetes
Cila është përgjigjja jonë?
Çfarë janë drejtësimi dhe shenjtërimi?
>