artikulli 23

Sot, pothuajse të gjithë theksojnë se ajo që thuhet në Bibël është një histori dhe me të drejtë thonë kështu. Shpesh është karakterizuar si historia e krijimit, rënies, shëlbimit dhe përmbushjes. Kalon nga krijimi te krijimi i ri.

Ku futet konvertimi në këtë histori? Ai i përket pjesës që përfshin shpengimin.

Sigurisht, konvertimi nuk është tema qendrore në histori—por thelbësor është qëllimi për të cilin njerëzit konvertohen, i cili është edhe qëllimi për të cilin u krijuam. Siç thotë edhe Formula e Rrëfimit të Besimit e Uestminsterit: ne u krijuam “për të përlëvduar Zotin dhe për t’u kënaqur në Të përgjithmonë.” Po vjen një botë e re dhe atje ne do të mbretërojmë me Krishtin përgjithmonë dhe do të shohim fytyrën e tij (Zbulesa 22:4). 

Në të njëjtën kohë, konvertimi është thelbësor për historinë, pasi nuk do të bëhemi pjesë e krijimit të ri të Zotit pa të. Dhe është mjaft e qartë nga historia e Biblës se ne do ta lavdërojmë Zotin përgjithmonë në qytetin qiellor për arsye se na ka shpenguar, se na ka shpëtuar nga sundimi i errësirës dhe se na ka përfshirë në mbretërinë e Birit të Tij të dashur. Ne nuk do ta harrojmë kurrë veprën vendimtare, shpëtuese të Perëndisë në jetën tonë përmes kryqit dhe ringjalljes së Krishtit. Gjithmonë do të jetë thelbësore për lavdërimet tona.

Meqenëse historia e Izraelit zë shumicën dërrmuese të historisë së Biblës, unë do të doja të ofroja një skicë të shkurtër që tregon pse konvertimi është thelbësor për këtë histori.

KONVERTIMI DHE HISTORIA E IZRAELIT

Historia e Izraelit fillon me të vërtetë me Adamin. Adami dhe Eva u krijuan për t'i dhënë lavdi Perëndisë duke e sunduar botën për Perëndinë (Zanafilla 1:26-28). Ata do të ishin zëvendësregjentët e Tij në botën që Ai kishte krijuar. Ata do ta ushtronin sundimin e tyre nën zotërimin e Perëndisë duke u besuar dhe duke iu bindur udhëzimeve të Tij. Por ata u rebeluan kundër sundimit të Perëndisë, duke adhuruar veten e tyre si krijesa, në vend që të falënderonin dhe adhuronin Krijuesin. Ata vdiqën si rezultat i mosbindjes së tyre (Zanafilla 2:17). Ata u ndanë nga Perëndia që nga momenti i mëkatit të tyre dhe e kishin të garantuar vdekjen e përjetshme nëse nuk do të pendoheshin.

Pas mëkatit të tyre, nevoja bazë e Adamit dhe Evës ishte të konvertoheshin. Vështirë se mund ta sundonin botën për Perëndinë dhe ta shtrinin bekimin e Tij në tokë kur nuk kishin një marrëdhënie të duhur me të.

Sidoqoftë, Perëndia premtoi se pasardhësit e gruas do të triumfonin mbi gjarprin dhe pasardhësit e gjarprit (Zanafilla 3:15). Historia e hershme e njerëzimit tregon të keqen rrënjësore të qenieve njerëzore. Të gjitha qeniet njerëzore hyjnë në botë si bij dhe bija të Adamit (Romakëve 5:12-19) dhe pasardhës të gjarprit (Mateu 13:37-38; Gjoni 8:44; 1 e Gjonit 5:19). Vetëm ata që përjetojnë hirin shpëtues të Perëndisë, do të çlirohen nga sundimi i Satanit. Për shembull, Kaini tregoi se cilën anë mbante, duke vrarë Abelin e drejtë (Zanafilla 4:1-16).

Sa të pushtetshme ishin forcat e së keqes? Në kohën e Noeut kishin mbetur vetëm tetë njerëz të drejtë në botë. Qeniet njerëzore ishin tmerrësisht të liga dhe Zanafilla 6:5 dëshmon përhapjen e mëkatit. Pasardhësit e gjarprit sundonin mbi tokë, por Perëndia tregoi shenjtërinë dhe sundimin e Tij duke i shkatërruar mëkatarët me një përmbytje. Pra, ka një fillim të ri, por vështirë se ka përmirësuar gjë, pasi zemrat njerëzore nuk kishin ndryshuar (Zanafilla 8:21). Situata në Kullën e Babelit (Zanafilla 11:1-9) tregon se krijimi i ri nuk do të vinte së shpejti. Bota nuk po drejtohej nga qeniet njerëzore që e donin Perëndinë. Krijimi i ri nuk mund të vinte pa një zemër të re.

Shpërndarjes dhe gjykimit të qenieve njerëzore në Babel u kundërvihet thirrja e Abrahamit (Zanafilla 12:1-3). Edhe një herë u gjet një njeri në një botë të keqe, por këtë njeri e thirri Zoti dhe i premtoi një bekim. Kanaani do të ishte, le të themi, Edeni i ri dhe Abrahami ishte, në disa aspekte, një Adam i ri. Fëmijët e Abrahamit do të ishin fëmijët e Perëndisë dhe bekimi i dhënë Abrahamit në fund do të përhapej në të gjithë botën. Qeniet njerëzore do ta sundonin botën nën zotërimin e Perëndisë, ashtu si u thirrën Adami dhe Eva që ta bënin në fillim.

Është e jashtëzakonshme sa kohë i duhet historisë për t’u shpalosur. Premtimet nuk u përmbushën për gati dy mijë vjet! Libri i Zanafillës përqendrohet në dhënien e fëmijëve të premtuar Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Këta njerëz nuk e trashëguan tokën e Kanaanit dhe sigurisht nuk panë që bekimi të përhapet në të gjithë botën.

Librat nga Eksodi deri te Ligji i Përtërirë e çojnë përpara përshkrimin, duke rrëfyer çlirimin e Izraelit nga skllavëria egjiptiane (Eksodi 1-15). Perëndia tani po përmbushte premtimin e Tij për shumë fëmijë—popullsia e Izraelit po rritej shumë. Zoti i çliroi nga Egjipti për t'i çuar në një lloj Edeni të ri, në vendin e Kanaanit. Në këtë tokë do të shprehej sundimi mbretëror i Perëndisë mbi popullin e Tij dhe kombet supozohej të shihnin drejtësinë, paqen dhe begatinë e një populli që jetonte nën sundimin e Perëndisë. Por brezi që u largua nga Egjipti, nuk arriti kurrë në tokën e premtuar (Numrave 14:20-38). Ata nuk pranuan t'i besonin premtimit të Perëndisë, edhe pasi panë çlirimin e madh nga Egjipti, si edhe të gjitha shenjat dhe mrekullitë e Perëndisë. Shumica e popullit të Izraelit që u shpëtua nga Egjipti, ishte kokëfortë dhe rebele dhe nuk e njohu me të vërtetë Perëndinë (krah. 1 e Korintasve 10:1-12; Hebrenjve 3:7-4:11). Ishte e nevojshme që zemrat e tyre të rrethpriteshin—të konvertoheshin—në mënyrë që ta donin Perëndinë dhe të kishin frikë prej Tij (Ligj i Përtërirë 30:6), duke u kapur pas Tij si Perëndia i tyre dhe duke ecur në të gjitha rrugët e Tij.

Fëmijët që lindën pas brezit të shkretëtirës, patën sukses atje ku brezi i mëparshëm dështoi. Jozueu dhe Izraeli i besuan Perëndisë dhe iu bindën Atij, duke trashëguar tokën që iu premtua Abrahamit, Kanaanin (Jozueu 21:45; 23:14). Tani Izraeli ishte gati të jetonte në Edenin e tij të ri dhe të tregonte bukurinë dhe lavdinë e të jetuarit nën sundimin e Perëndisë. Por ishte ende një krimb në zemrën e mollës. Bindja e Izraelit ndaj Zotit ishte jetëshkurtër. Sipas librit të Gjykatësve, Izraeli nuk u bë bekim për kombet, por përkundrazi i imitoi ata. Ata iu rikthyen jetesës së dikurshme pagane. Perëndia vazhdonte ta çlironte popullin kur ai pendohej, e megjithatë, zemrat e popullit mbetën të pandryshuara, sepse ai vazhdonte t'i kthehej mëkatit të vet.

Çfarë duhej të bënte Izraeli? Kishin kaluar gati 1 000 vjet që nga premtimi që iu bë Abrahamit. Izraeli kishte një popullsi të konsiderueshme dhe jetonte në tokën e premtuar, por premtimet e bekimit për të gjithë botën nuk ishin aspak afër realizimit. Izraeli dëshironte një mbret, i bindur se ai do t'i çlironte nga armiqtë si mbretërit e kombeve të tjera (1 e Samuelit 8:5). Kur Sauli u emërua mbret, ai ishte, si Abrahami, një Adam i ri, në njëfarë mënyre i caktuar nga Perëndia për të sunduar Izraelin për lavdinë e Perëndisë. Por Sauli, si Adami, u rebelua kundër Zotit dhe kështu u hoq si mbret (1 e Samuelit 13:13, 15:22-23). Sundimi i Perëndisë mbi Izraelin nuk u realizua gjatë mbretërimit të Saulit. Pastaj Perëndia vajosi Davidin si mbret dhe, ndryshe nga Sauli, ai ishte një njeri sipas zemrës së Perëndisë, duke e sunduar kombin për lavdinë e Perëndisë (1 e Samuelit 13:14). Prapëseprapë, kurorëshkelja e Davidit me Bath-Shebën dhe vrasja e Uriahut tregoi se ai nuk do të ishte personi, me anë të të cilit bekimet e Perëndisë do të arrinin në të gjithë botën (2 e Samuelit 11).

Kur Salomoni mori fronin, parajsa e krijimit të ri dukej se ishte fare afër (1 e Mbretërve 2:13-46). Paqja karakterizoi mbretërimin e tij dhe ai ndërtoi një tempull të mrekullueshëm për Zotin (2 e Mbretërve 3-10). Salomoni i drejtoi njerëzit me mençuri dhe me frikën e Perëndisë në fillim, por ai u largua nga Perëndia dhe u kthye tek idhujtaria (1 e Mbretërve 11). Si rrjedhojë, kombi u nda në dy mbretëri: Izraeli në veri dhe Juda në jug (1 e Mbretërve 12). Në atë kohë filloi një rënie e gjatë në mëkat, e cila përfundoi me Izraelin që u internua në Asiri në vitin 722 para Krishtit dhe Judën që u internua në Babiloni në vitin 586 para Krishtit (2 e Mbretërve 17:6-23, 24:10-25:26). Kishin kaluar gati 1 500 vjet që nga thirrja e Abrahamit. Premtimet për tokën, pasardhësit dhe bekimet që iu bënë Abrahamit, nuk ishin aspak afër realizimit. Izraeli nuk ishte më në tokën e premtuar, por në mërgim. Në vend që të bekonte të gjithë botën, Izraeli ishte bërë si bota.

Pse ishte Izraeli në mërgim? Cili ishte problemi? Profetët na mësojnë vazhdimisht se Izraeli ishte në mërgim për shkak të mëkatit të tij (p.sh., Isaia 42:24-25; 50:1; 58:1; 59:2, 12; 64:5). Tek Isaia Zoti premton një eksod të ri dhe një krijim të ri, por eksodi i ri dhe krijimi i ri do të vinin vetëm përmes faljes së mëkateve (Isaia 43:25; 44:22) dhe kjo falje do të bëhej realitet përmes vdekjes së Shërbëtorit të Perëndisë (Isaia 52:13- 53:12).

Jeremia na mëson të njëjtat të vërteta. Izraelit i nevojitej një zemër e rrethprerë (Jeremia 4:4; 9:25). Me fjalë të tjera, ata duhej të rigjeneroheshin dhe të konvertoheshin. Jeremia profetizon se po vjen një besëlidhje e re, në të cilën Perëndia do ta shkruajë ligjin e Tij në zemrat e popullit të Tij, duke u mundësuar atyre që t'i binden Atij (Jeremia 31:31-34). Në mënyrë të ngjashme, libri i Ezekielit pret ditën kur Perëndia do ta pastrojë popullin e Tij nga mëkati, duke u hequr atyre zemrat prej guri dhe duke u dhënë një zemër prej mishi (Ezekieli 36:25-27). Zemrat e tyre të ndryshuara do të ishin rezultat i punës së Frymës së Shenjtë dhe si pasojë Izraeli do të ecte në rrugët e Zotit dhe do të zbatonte urdhërimet e Tij.

Izraeli u kthye nga mërgimi në vitin 536 para Krishtit, por premtimet e mëdha që u dhanë te profetët, nuk u realizuan plotësisht. Izraeli u mundua në kohën e Hagait dhe të Zakarisë, të Ezdrës, të Nehemisë dhe të Malakisë. Puna e premtuar e Frymës nuk ishte realizuar ende. Ata po prisnin për një mbret. Ata po prisnin mbërritjen e krijimit të ri.

ASNJË BEKIM PËR IZRAELIN OSE BOTËN PA U KONVERTUAR

Historia e Izraelit tregon se krijimi i ri dhe eksodi i ri nuk do të merreshin, nëse nuk do të faleshin mëkatet dhe nuk do të rrethpritej zemra. Premtimet e dhëna Abrahamit nuk u realizuan për shkak të mëkatit dhe rebelimit të Izraelit. Historia e kombit karakterizohet nga mosbindja e përsëritur dhe refuzimi për të bërë vullnetin e Perëndisë. Izraeli e kishte të nevojshme që t’i faleshin mëkatet dhe Isaia na mëson se një falje e tillë do të realizohej përmes Shërbëtorit të Vuajtur përshkruar tek Isaia 53. Por Izraeli kishte nevojë edhe për punën e mbinatyrshme të Frymës së Shenjtë në mënyrë që të shpëtohej; ai duhej konvertuar. Konvertimi është thelbësor për historinë e Izraelit, pasi bekimet e premtuara për Izraelin dhe për botën nuk do të ishin kurrë të tyret, nëse nuk do të kishte kthim në besim.

Thomas R. Schreiner është Profesor i Interpretimit të Dhiatës së Re në Seminarin Teologjik Baptist Jugor në Luisvill, Kentaki dhe pastori predikues në Kishën Baptiste Clifton. Mund ta gjeni në Twitter në @DrTomSchreiner.

Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/journalconversion-and-story-israel/ 

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Një Perëndi të cilin mund ta dua
Robër të nxitimit
Si mund të gjejmë prehje kur gjendemi përballë fatkeqësish të tmerrshme?
>