Janar 2025
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
I dashur pastor,
Duke dashur të jemi administrues të mirë të së vërtetës së Perëndisë dhe të kishës së tij, na duhet të jemi të ndërgjegjshëm për kurthet e zakonshme që mund të bëjnë të bjerë poshtë përpjekja jonë për udhëheqje të mirë. Për këtë, le t’ia nisim duke dalluar faktin që, udhëheqja e ndërgjegjshme nga podiumi, përcaktohet po aq nga ajo që nuk thuhet sa edhe nga ajo që thuhet. Nga ana praktike, kjo do të thotë se na duhet të përkushtohemi në predikim për të shmangur minat që mund ta sabotojnë udhëheqjen tonë në shërbesë dhe ta lënë popullin e Perëndisë të tronditur, të hutuar, të inatosur apo të lënduar. Udhëheqja e ndërgjegjshme e dallon mënyrën e identifikimit dhe të trajtimit të këtyre rreziqeve në predikim, dhe i shmang kurthet e zakonshme bashkëkohore. Përgjithësisht, ka tri zona të caktuara rreziku që ne duhet të shmangim në mënyrë të qëllimshme.
Një nga mënyrat kryesore se si mund të ushtrojmë udhëheqje të ndërgjegjshme nga podiumi është duke shmangur debatet publike. Kjo nuk do të donte mend, por në fakt është një nga kthesat më të lehta dhe më të zakonshme që mund të na çojë në një territor kërcënues në predikimin tonë. Mbase kjo është më e dukshme në mënyrën se si Pali e trajton vazhdimisht prirjen tonë si pastorë për t’u shpërqendruar nga roli ynë kryesor si predikues dhe na paralajmëron për joshjen e polemikave dhe mosmarrëveshjeve që duhen shmangur.
Ndërsa përvijon vazhdimisht në letrat pastorale në lidhje me Timoteun dhe Titin mbi gjërat që duhet të mësojnë, Pali përvijon në mënyrë të përsëritur edhe gjërat specifike që duhen “mbajtur larg” dhe “heshtur”. Përpos të qëndruarit larg nga disa lloj njerëzish të caktuar (2 e Timoteut 3:5), Timoteu duhet të “shmangë” edhe gjëra që lidhen me ndërveprimet e tij pastorale dhe me përmbajtjen e udhëzimit të tij publik (1 e Timoteut 6:20; 2 e Timoteut 2:16; Titit 3:2, 9).
Së pari, në të dyja letrat që i drejton Timoteut, Pali e paralajmëron atë specifikisht të shmangë “fjalët e kota” (1 e Timoteut 6:20; 2 e Timoteut 2:16). Në pjesën e mësipërme për administrimin e podiumit, e përmendëm shkurtimisht nxitjen e tij të parë për të shmangur “fjalët e kota” dhe “profane”, në mënyrë që të ruhet e vërteta e ungjillit (1 e Timoteut 6:20). Është interesante që paralajmërimi i Palit, që përkon me këtë në letrën e dytë, pason menjëherë urdhërimin e tij për ta shpallur “drejt fjalën e së vërtetës” (2 e Timoteut 2:15). Kjo sekuencë vë në kontrast të drejtpërdrejtë trajtimin e fjalës së Perëndisë me “fjalët… të kota” që ai duhet të shmangë (2 e Timoteut 2:16). Mbase më domethënësja është që ai e paralajmëron Timoteun se dështimi i tij në këtë drejtim do t’i shtojë “pabesinë” (2 e Timoteut 2:16). E thënë ndryshe, duke i shmangur këto gjëra dhe duke u përqendruar në fjalën e Perëndisë përcaktohet drejtimi dhe efektshmëria e udhëheqjes së pastorit nga podiumi. Po ashtu, Pali e paralajmëron Titin të shmangë grindjet (Titit 3:2) dhe “diskutimet e marra” (Titit 3:9), për shkak të ndikimit që ka te njerëzit që ai ndikon dhe drejton. “Diskutimet e marra” e nënçmojnë dëshminë tonë dhe ungjillin që duhet të mishërohet në “mirësjelljen” dhe mirësinë tonë tek ata që janë të humbur (Titi 3:2-7). Perëndia na thërret të flasim me vetëbesim për ungjillin dhe për pasojat e tij praktike, teksa i pohojmë “me forcë këto gjëra” që janë “të mira dhe të dobishme për njerëzit” (Titit 3:8). Përkundrazi, “diskutimet e marra” dhe debatet e tjera si këto, që duhet t’i shmangim, rezultojnë “të padobishme dhe të kota” (Titit 3:9).
Udhëheqja e ndërgjegjshme nga podiumi përcaktohet po aq nga ajo që nuk thuhet sa edhe nga ajo që thuhet.
Si lidhet kjo me shërbesën tonë sot? Shumë predikues që dëshirojnë të luftojnë “për besimin” (Juda 3) dhe e dallojnë përgjegjësinë tonë për t’i bindur “ata që flasin kundër” me “doktrinën e shëndoshë” (Titi 1:9), zënë një qëndrim mbrojtës në podium. Ndërsa këto janë aspekte kyç të rolit tonë, predikimi ynë duhet të mos karakterizohet nga shprehi debatuese dhe retorikë ballafaquese. Dhe, veç qëndrimit dhe tonit tonë, duhet të kemi kujdes edhe që mesazhet tona të mos përqendrohen në probleme të panevojshme debatesh e kundërshtish.
Megjithatë, angazhimi në debate publike nuk lind gjithmonë nga një qëndrim debatues. Është e lehtë që ne si pastorë të gjejmë rehat në podium, sidomos kur kemi qenë me të njëjtën familje kishtare për një kohë të gjatë. Familjariteti i ul muret dhe i hap dyert për komunikim të sinqertë, por mund të bëhet lehtësisht një mundësi që ne ta keqtrajtojmë besimin dhe lirinë, duke mos i filtruar fjalët tona siç duhet. Ne mund të nisim ta marrim të mirëqenë se populli ynë do ta kuptojë automatikisht çfarë kemi dashur të themi, të na lejojë hapësirë të flasim më lirisht apo të na kuptojë nën dritën më të mirë të mundshme. Mirëpo, duhet të kemi kujdes që të mos e përdorim podiumin për të transmetuar hidhërimet tona apo të ligjërojmë fjalimet tona të preferuara. Duke marrë liri të tilla dhe duke e marrë të mirëqenë përkrahjen e njerëzve, udhëheqja jonë mund të nisë të gërryhet ngadalë dhe fshehurazi.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i shmangies së debateve publike që kërkon ta shohim veten mirë në pasqyrë, lidhet me dallimin e dëshirave mëkatare të zemrave tona, që ushqehen me debate dhe kundërshti. Disa njerëz presin që pastorët të jenë ekspertët lokalë të shumë prej çështjeve sociale të kulturës sonë. Në një përpjekje për t’i kënaqur këta anëtarë dhe vetë dëshirën tonë për respekt dhe pozitë, nisim të shijojmë rolin si profeti i lagjes që i akuzon haptas, tërheq vëmendjen dhe çudit. Këtë mbase mund të mos e bëjmë gjithnjë me çështjet kulturore, por mund të tundohemi për ta bërë me temat teologjike për të paqtuar të njëjtat dëshira. Mirëpo, siç e ngarkon Pali Timoteun, duhet të kujtojmë që “të mos hahen me fjalë pa asnjë dobi, në shkatërrim të atyre që dëgjojnë” (2 e Timoteut 2:14).
Veç shmangies së debateve publike, duket të kemi kujdes të shmangim edhe agjendat politike. Këto çështje, veçanërisht ato që nuk trajtohen nga Perëndia në Bibël, janë po aq më tepër të rrezikshme, sepse përgjithësisht janë ndër çështjet më të nxehta për debat, më të paqëndrueshme dhe mundësisht më përçarëset. Subjektet politike mund të përfshijnë politikat civile apo kishtare, por sidoqoftë ne duhet ta ruajmë mesazhin tonë nga motivet apo kontrollet e cilësdo prej tyre. Që kjo të bëhet me efektshmëri, duhet urtësi, takt dhe diplomaci. Këto atribute nuk festohen apo kërkohen në kulturën tonë, ndaj mund të bëhen pika të dobëta për secilin prej nesh. Gjithashtu, ato janë më të natyrshme për disa njerëz të caktuar dhe zakonisht përftohen me kalimin e kohës (duke mësuar nga gabimet tona!). Sidoqoftë, ato janë aftësi komunikimi që mund të zhvillohen dhe janë thelbësore për udhëheqje të efektshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me çështje politike.
Ky artikull është përshtatur nga libri Expositional Leadership: Shepherding God's People from the Pulpit i autorëve R. Scott Pace dhe Jim Shaddix
R. Scott Pace (Prof. Dr. Southeastern Baptist Theological Seminary) shërben si dekan dhe lektor i predikimit dhe shërbesës pastorale në Southeastern Baptist Theological Seminary. Ai është autor i librave “Preaching by the Book; Pastoral Theology; Exalting Jesus in Colossians & Philemon” në serinë e komentarëve Christ-Centered Exposition Commentary series dhe “Calling Out the Called”.
Jim Shaddix (Prof. Dr. New Orleans Baptist Theological Seminary) shërben si profesor i predikimit në Southeastern Baptist Theological Seminary, në katedrën W. A. Criswell të predikimit ekspozues, dhe gjithashtu shërben pranë qendrës për predikim dhe udhëheqje pastorale (Center for Preaching and Pastoral Leadership). Ai ka shkruar disa libra, përfshirë “The Passion-Driven Sermon dhe Decisional Preaching”. Jim-i dhe e shoqja, Debra, kanë tre fëmijë dhe njëmbëdhjetë nipër e mbesa.
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-avoid-the-common-pitfall-that-will-sabotage-your-ministry/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025