Dhjetor 2024
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
I dashur pastor,
Jakobi na thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve” (Jakobi 4:6). Pali e nxit kishën të mos bëjë “asgjë për rivalitet, as për lavdi të kotë, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3). Rivaliteti dhe mendjemadhësia e shkatërrojnë perëndishmërinë. Ato përhapen në kishë dhe në shërbesë si zjarri në pyll, duke djegur dhe duke shkatërruar shpirtrat e njerëzve kudo ku shkojnë. Krenaria e lëndon kishën! Përulësia e lartëson atë te lavdia e Perëndisë.
Përulësia do kurajë. Do kurajë ta pranosh dështimin, ta pranosh kur e ke gabim, të bësh zgjedhjet që shpërblejnë pak apo aspak për momentin, por janë të drejta për veten dhe komunitetet që shërbejmë. Për t’u rritur në të kuptuarin tonë të përulësisë, duhet të intonohemi me urtësinë e Shkrimit dhe të zërave pastoralë të historisë. Ndjekja e përulësisë do të na sjellë forcën dhe besimin për të vazhduar në udhën e shërbesës dhe atë të kujdesit besnik.
Basili dhe jeta e përulur
Basili i Cezaresë (rreth viteve 330–379) përbënte një forcë domethënëse teologjike në shekullin IV. Në vazhdë të kuvendit të Nikesë (325), u orvat ta drejtojë kishën teksa lundronte në ujërat e trazuar teologjikë në kundërshtinë ariane dhe pasardhësit e saj të shumtëteologjikë. Ndihmoi në mbrojtjen e natyrës hyjnore të Frymës së Shenjtë dhe në promovimin e doktrinës së Trinisë me frymën e Nikesë. Përveç të shërbyerit si një zë domethënës teologjik, Basili ishte edhe një reformues i murgjërisë dhe një shërbesëtar që zgjidhi një sërë çështjesh pastorale. Përgjithësisht ai merakosej për promovimin e përulësisë si element thelbësor në shkëlqimin e jetës dhe shërbesës së krishterë.
Përulësia si praktikë e virtytit
Basili e shihte përulësinë si virtytin kyç të krishterë. Ai shkroi mbi këtë temë gjatë gjithë karrierës së tij, por mendimet e tij duken më qartësisht në një predikim rreth vitit 375, që tani mban titullin On Humility (Mbi përulësinë). Sipas Basilit, përulësia është veçanërisht e rëndësishme për drejtuesit e kishës. Vetëm me anë të praktikës së përulësisë mund të zhvillohet dhe të kultivohet karakteri dhe lumturia. Ç’është më e rëndësishmja, përulësia shërben si porta hyjnore për të rikthyer lavdinë e humbur të njeriut për shkak të krenarisë. Në fakt, për këtë arsye, përulësia të çon në lumturi (sepse i lejon njeriut ta kuptojë dhe ta çmojë në maksimum jetën e Krishtit), dhe prodhon një karakter të shkëlqyer (duke e lejuar njeriun t’i zbatojë virtytet e tjera, pa u mjegulluar nga shtirja e korruptuar njerëzore). Bota e kërkon lavdinë përmes fuqisë dhe lartësimit të vetes, por ky shteg mashtrues pengon kryerjen e virtyteve më bazike.
Teksa Basili pranoi ekzistencën e virtyteve të natyrshme, ai pohoi paaftësinë e njeriut për t’i praktikuar natyrshëm virtytet në masën më të plotë. Për Basilin, njeriu e “humbi të mirën që kishte në dorë ta zotëronte”1. Kjo rënie prej lavdisë erdhi përmes krenarisë, dhe përulësia ishte kyçi i domosdoshëm për të hapur lavdinë hyjnore. Siç e thotë ai, “shpëtimi më i sigurt, shërimi i plagëve të njeriut dhe mënyra e rivendosjes së tij në gjendjen e mëparshme qëndron në praktikën e përulësisë dhe jo në shtirjen që mund të kërkojë ndonjë të drejtë për çfarëdolloj lavdie me përpjekjet e tij, por duke e kërkuar atë prej Perëndisë”2. Përpjekja njerëzore nuk e arrin lavdinë e Perëndisë. Jeta e virtytshme e krishterë në shprehjen e saj të plotë nuk arrihet dot duke e kërkuar lavdinë me vetëdrejtësi, urtësi të përbotshme dhe orvatje për balancë e kurajë të përbotshme.
Të arrish përulësinë me anë të imitimit
Mirëpo përulësia është virtyti i krishterë më i pakapshëm. Sapo ndiejmë që e kemi arritur përulësinë, ka gjasa që e humbëm dhe duhet ta nisim nga fillimi.
Për besimtarin, baza themelore e përulësisë është jeta e Krishtit nëpërmjet mësimeve të apostujve. Basili shpjegon: “Në të vërtetë, ne zbulojmë se gjithçka që Zoti bëri është mësim përulësie”3, si dhe: “Le t’i imitojmë [apostujt], që përulësia jonë të na shtojë lavdinë e përjetshme, dhuratën e përkryer dhe të vërtetë të Krishtit”4.
Përulësia është e pakrahasueshme për jetën e krishterë dhe ofiqin pastoral.
Prandaj, përulësia buron kryesisht nga imitimi i atij, vetë jeta e të cilit ishte pastërtisht e përulur dhe veprat e të cilit ishin të drejta. Sipas Basilit, imitimi i përulësisë së Krishtit i informon të gjitha veprimet e tjera në jetën e njeriut, veçanërisht dashurinë, dhe të çon në lavdi6. Krishti e ndan lavdinë e tij me ata që e përlëvdojnë përmes veprave të tyre prej dashurie.
Përulësia dhe imitimi i Krishtit
Por si mund të imitohet Krishti? Basili i përgjigjet pikërisht kësaj pyetjeje në një nga shkrimet e tij murgjërore: The shorter rulers (Rregullat e shkurtra). Së pari, besimtarët duhet të sjellin ndërmend fjalët dhe shembullin e Krishtit. Së dyti, duhet të përvetësojnë premtimin e Krishtit se ai që e përul veten do të lartësohet (Luka 14:11). Së fundmi, duhet të kujtojnë që rritja në përulësi i ngjan mësimit të një zanati, që kërkon praktikë dhe has vështirësi, ndonëse “përmbush çdo virtyt në përputhje me urdhërimin e Zotit tonë Jezu Krisht”6. Kështu, i krishteri rritet në përulësi duke ndjekur shembullin e Krishtit. Pra, i krishteri rritet në përulësi duke ndjekur shembullin e Krishtit dhe të apostujve, dhe duke shmangur udhën e Satanit, që në thelbin e vet, është udha e krenarisë.
Sikurse njerëzimi e humbi lavdinë e Perëndisë duke mohuar përulësinë, Perëndia i ktheu në lavdi duke hyrë në njerëzillëkun e tyre përmes përulësisë. Pra, nuk janë qeniet njerëzore ato që ngrihen te Perëndia, por Perëndia i cili zbret tek ata — udha e ngjitjes nis me qëndrimin e uljes. Kjo është natyra ironike e virtytit të veçantë të krishterë të përulësisë. Basili vajtonte vazhdimisht për njerëzimin që shpenzonte kaq shumë kohë duke kërkuar sukses në sytë e botës, porse ky kërkim për t’u vlerësuar në sytë e njerëzve nuk do të sillte lavdinë e kërkuar. Ky kërkim i pengonte njerëzit nga praktika e vërtetë e virtytit dhe, rrjedhimisht, nga lavdia që i priste në fund. “Ajo që e lartëson vërtet dikë”, thotë Basili, “është njohja e vërtetë e madhështores dhe kapja pas saj, dhe kërkimi i lavdisë që vjen prej Zotit të lavdisë” 7.
Pastor, ndiqe përulësinë
Basili pohonte vazhdimisht rëndësinë e përulësisë në jetën e krishterë. Rrjedhojat e praktikës së përulësisë për të krishterët janë të panumërta, por ne do të donim të nënvizonim tre zbatime të thjeshta për pastorët.
Së pari, përulësia është e pakrahasueshme për jetën e krishterë dhe ofiqin pastoral. Virtyti nuk është diçka automatike, e shtyrë nga aftësia e brendshme, por kultivohet kur njeriu i nënshtrohet vullnetit të Perëndisë. Ndjekja e shenjtërisë është një aspekt jetik për jetën e krishterë dhe, sipas Basilit, çon në lumturinë në ndjekje të Krishtit dhe të punës së tij për ne. Pra, përulësia është boshti qendror i virtytit të krishterë.
Së dyti, përulësia është përgjigjja e duhur e marrjes së dhuratës së shpëtimit. Për Basilin, konvertimi në Krishtin çon në përulësi dhe orienton gjithë jetën e krishterë të njeriut. Kthimi nga vështrimi i vetes te vështrimi i Perëndisë dhe veprës së tij të shpëtimit për ne, është ajo çka i sjell njeriut lavdinë e vërtetë. Pra, sa më shumë që pastorët reflektojnë mbi shpëtimin e tyre, aq më shumë do të rriten në përulësi.
Së treti, praktika e përulësisë shërben si mbrojtje e besimit para jobesimtarit. Bota e dallon shpesh historinë e dështimeve morale në ofiqin e pastorit. Dëshira për të pasur ndikim, në kurriz të përulësisë, çon në rënie. Gjithmonë! Fjala e Perëndisë e parashikon këtë (Fjalët e Urta 16:18-19). Nga ana tjetër, një pastor i përulur mund të mos i bëjë të gjithë për vete, por padyshim që jep shembullin e sjelljes që i përngjan Krishtit. Dhe kjo përulësi ka një fuqi tërheqëse të parezistueshme.
Mendime përmbyllëse
Basili mësonte që përulësia është thelbësore për të pasur një jetë të mirë. Kjo jetë e mirë është një rikthim në lavdinë që njerëzimi pati me Perëndinë në fillim të krijimit. Krenaria, shkaku kryesor i rënies së njeriut nga lavdia, vazhdon të pllakosë praktikën e virtytit nga njeriu. Vetëm përulësia mund të na rikthejë në gjendjen e lavdisë që kishim dikur. Fatmirësisht, Krishti e ka siguruar rrugën e kthimit në lavdi — duke besuar me përulësi në shpëtimin e tij dhe duke imituar frymën e tij të përulur.
Për shkak të rolit parësor të përulësisë në jetën e krishterë, virtytet e tjera mund të praktikohen siç duhet, vetëm përmes rrëfimit të dobësisë sonë. Përulësia prodhon ekselencën e karakterit dhe lumturinë e vërtetë, duke e lejuar njeriun t’i zbatojë siç duhet virtytet e tjera, pa shtirjen e korruptuar njerëzore. Kjo vlen për të gjitha aspektet e jetës, edhe për shërbesën. Prandaj, virtyti pastoral gjendet në frymën e Krishtit të përulur. Ajo që bota do të fitojë përmes jetës krenare mund të gjendet vetëm në nënshtrimin e përulur ndaj Perëndisë, dhe pastorët mund ta paraqesin këtë lavdi të vërtetë me fjalë dhe vepra të përulura.
Coleman M. Ford dhe Shawn J. Wilhite janë bashkautorë të librit Ancient Wisdom for the Care of Souls: Learning the Art of Pastoral Ministry from the Church Fathers.
Shënime:
- Basil, “Homily,” kap. 20, pjesa 6.
- St. Basil the Great, “Homily,” në vëllimin On Christian Doctrine and Practice, red. John Behr dhe Augustine Casiday, përkth. Mark DelCogliano, Popular Patristics Series 47 (Yonkers, NY: St Vladimir’s Seminary Press, 2012), kap. 20.1.
- Basili, “Homily,” kap. 20.1.
- Basili, “Homily,” kap. 20.6.
- Për të mësuar më shumë mbi të kuptuarin e Basilit për dashurinë dhe veprimin social, shihni librin e Anthony Meredith, The Cappadocians (Crestwood, NY: St. Vladimir’s Seminary Press, 1995), 27–29. Shihni Timothy Patitas, “St. Basil’s Philanthropic Program and Modern Microlending Strategies for Economic Self-Actualization,” në vëllimin Wealth and Poverty in Early Church and Society, red. Susan R Holman, Holy Cross Studies in Patristic Theology and History (Grand Rapids, MI: Baker Academic, 2008), 267–86; C. Paul Schroeder, përkth., St. Basil the Great: On Social Justice, Popular Patristics Series 38 (Crestwood, NY: St Vladimir’s Seminary Press, 2009).
- Silvas, Asketikon of St. Basil, 381.
- Basili, kap. 20.3.
Coleman M. Ford (PhD, Southern Seminary) është asistent profesor i shkencave humane në seminarin teologjik Southwestern Baptist në qytetin Fort Worth, Teksas. Ai shërben si mësues në qendrën për pastorë teologë (Center for Pastor Theologians). Është edhe bashkëdrejtues, edhe studiues për qendrën për studime antike të krishtera (Center for Ancient Christian Studies). Është gjithashtu edhe asistent pastor. Ka botuar materiale në fushat e teologjisë patristike dhe përshpirtshmërisë së krishterë.
Shawn J. Wilhite (PhD, Durham University) është profesor i asociuar i Dhiatës së Re në universitetin California Baptist në qytetin Riverside, Kaliforni. Është edhe bashkëdrejtues, edhe studiues për qendrën për studime antike të krishtera (Center for Ancient Christian Studies). Ka botuar libra dhe artikuj në fushën e Dhiatës së Re, krishterimit të hershëm dhe shkrimeve patristike.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-walking-in-humility-requires-courage/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024