Korrik 2024
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
I dashur pastor,
Me këtë na duhet të përballemi çdo ditë; kjo na e bën jetën të vështirë dhe të lodhshme; e dallojmë më lehtësisht përreth nesh sesa përbrenda nesh: është një fakt i trishtë dhe dramatik, por bota ku ne jetojmë nuk është në baraspeshë. Bota, siç u krijua nga Perëndia, u hartua me një baraspeshë të përsosur.
Çfarë është baraspesha? Baraspesha është gjendja e gjithçkaje në vendin e duhur, duke bërë atë që duhet të bëjë. As që mund ta përfytyrojmë një botë të tillë, ku gjithçka është e parashikueshme, ku nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ku jeta është e lehtë, ku vendimet merren kollaj dhe marrëdhëniet ruhen e shijohen me lehtësi. Kështu duhej të ishin gjërat sipas hartimit të Perëndisë: krijimi në vendin e duhur e duke bërë atë që duhet të bëjë, mbretërimi i paqes që nga luginat më të ulëta deri në qiejt më të lartë. Pa thyerje, pa keqfunksionim, pa probleme të fshehura që mezi presin të dalin në pah — gjithçka në baraspeshë, kudo, në çdo vend.
Fjala në Bibël për baraspeshën, është shalom. Shalom domethënë gjithçka në vendin e duhur, duke bërë atë që duhet të bënte, në mënyrën e përcaktuar nga Perëndia. Shalom ishte mënyra se si duhej të ishin gjërat, mirëpo si të ishte një kupë kristali e pastër[1] , shalomi është bërë copë e thërrime. Bota nuk ka baraspeshë, aq sa Pali thotë te Romakëve 8, që e gjithë bota lëngon. Lëngon për ndihmë. Lëngon për rivendosje. Lëngon për mungesë të baraspeshës. Lëngon për një shpengimtar. Mirëpo duhet nënvizuar që Pali na thotë se nuk lëngon vetëm bota e krijuar; edhe ne lëngojmë gjithashtu. Pse? Lëngojmë sepse kjo mungesë e baraspeshës na ka kapluar, jo vetëm së jashtmi. Edhe sikur të ishte vetëm kaq, do të ishte e vështirë. Mirëpo ajo na ka kapluar së brendshmi. Ne vetë nuk jemi në baraspeshë.
Zemrat tona luftojnë për t’i mbajtur gjërat në vendin e duhur, sepse nuk mendojmë, nuk dëshirojmë, nuk jetojmë, nuk planifikojmë, nuk vendosim apo nuk kemi marrëdhënie me një kuptim të duhur të baraspeshës. Vizione, dëshira dhe krijesa të caktuara marrin një rëndësi më të madhe në zemrat tona nga sa u takon, dhe na e lëkundin baraspeshën në zemër. Ajo që ka rëndësi për Perëndinë nuk është gjithnjë e rëndësishme për ne. Ajo që Perëndia e di se ne kemi nevojë, nuk na duket gjithnjë e nevojshme. Ajo që Perëndia thotë se ne duhet ta çmojmë, në jetën e zakonshme, na duket pa vlerë. Ka shumë gjëra që na zënë hapësirën e zemrës nga sa duhet, dhe ka gjëra që duhet të mbizotërojnë aty, por nuk e kanë këtë pozitë. Thyerja, drama, dhimbja, trishtimi në jetën tonë, nuk janë vetëm pasojë e mungesës së baraspeshës përreth nesh, por edhe e mungesës së asaj që vijon përbrenda nesh. Sa mirë që, me fuqinë e hirit shndërrues hyjnor po afrohemi sa vjen e më shumë drejt një baraspeshe më të madhe dhe jetojmë me sigurinë se një ditë, kjo baraspeshë do të rivendoset në mënyrë të përkryer, si brenda dhe jashtë nesh, dhe gjërat do të jenë siç duhet të jenë, duke bërë atë që duhet të bëjnë. Çdo komunitet udhëheqjeje duhet t’i diskutojë këto gjëra në mënyrë periodike.
Bibla ka një mënyrë tjetër të të folurit për mungesën e baraspeshës. Kjo fjalë, në sipërfaqe, duket si një përshkrues fetar, por në fakt është fjalori që Perëndia na ka dhënë për të kuptuar betejat më themelore funksionale të çdo qenieje njerëzore: idhujtaria. Idhujtaria nuk është thjesht një fe perëndie që zëvendëson Perëndinë e vërtetë, dhe as thjesht sundimi i zemrës sate nga një gjë e ligë. Në formën e saj më thelbësore të jetës së përditshme, idhujtaria ndodh kur gjërat në zemrën tonë nuk janë në baraspeshë. Idhujtaria ndodh kur gjërat marrin një rëndësi më të madhe në zemrat tona sesa Perëndia. Kini parasysh fjalët e Romakëve 1:23, 25:
Dhe [ata] e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve… që e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan e i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.
Bota, siç u krijua nga Perëndia, u hartua me një baraspeshë të përsosur.
Pali e zgjeron përkufizimin e tij të idhujtarisë, nga dimensioni formal fetar, te ai i adhurimit më të thellë, i shtysës më të thellë që funksionon në zemër. Idhujtaria është zemra që nuk ka baraspeshë. Këto fjalë kanë rëndësi. Idhujtaria ndodh kur lavdia e Perëndisë krijues këmbehet me lavdinë e gjësë së krijuar. Është interesante dhe e rëndësishme të vihet në dukje që fjala hebraike për lavdinë, kavod, ka si rrënjë kuptimin e “peshës”. Mendoje zemrën tënde, si udhëheqës që je, si një peshore e lashtë me pesha në secilën anë. Njëra anë ka peshën e Krijuesit, dhe tjetra atë të krijesës. Perëndia e ka hartuar që pesha e krijuesit të jetë shumë më e rëndë se çfarëdo lloj gjëje në anën e krijesës. Fatkeqësisht, mëkati e prish baraspeshën e peshores, duke bërë që gjërat e krijuara të kenë më shumë kontroll në mendimet, dëshirat, zgjedhjet, fjalët dhe veprimet e tua, nga sa ka Perëndia. Kjo do të thotë se për aq kohë sa mëkati jeton brenda teje, ti duhet të luftosh për t’i mbajtur gjërat në jetën dhe shërbesën tënde në baraspeshën e duhur.
Unë jam i bindur — për aq sa e shqyrtoj shërbesën time udhëheqëse dhe i ndihmoj të tjerët me shërbesat e tyre — se jetët tona nuk kanë baraspeshë, dhe kjo jo për faj të kërkesave të detyrës së punës sonë, por për shkak të mungesës së baraspeshës në zemrat tona. Gjërat e mira të shërbesës bëhen gjëra sunduese. Udhëheqësit tundohen që të presin prej shërbesës, gjëra që kjo nuk synon kurrë t’i japë. Në zemrat e udhëheqësve mund të zënë më shumë vend se ç’duhet gjëra si: pozita, pushteti, respekti, lëvdatat dhe suksesi. Në këtë mënyrë, ne bëjmë zgjedhje të gabuara dhe marrim pjesë në vendime të gabuara. Nga frika se mos nuk i marrim ato që mendojmë se na nevojiten, ne punojmë më shumë, përpiqemi më shumë, kontrollojmë më shumë, delegojmë më pak dhe marrim më shumë merita. Zakonet e mira e të perëndishme lihen pas nga shtysa e shërbesës. Marrëdhëniet e nevojshme nuk ruhen siç duhet. Adhurimi privat bëhet sa për sy e faqe, në mos braktiset fare.
Këtu duket një realitet i frikshëm. Mënyra se si njeriu i ndjek idhujt e tij kur është pjesë e një shërbese, është nëpërmjet bërjes së shërbesës. Ky realitet duhet të kihet parasysh në mendimet dhe bisedat e çdo komuniteti udhëheqës shërbestar. Marrim lutjen, për shembull. Ju mund të mendoni se lutja është akti më i pastër i perëndishëm në jetët tona, por edhe lutja bëhet diçka krejt ndryshe kur zemrat tona nuk kanë baraspeshën e duhur. Në një mbledhje udhëheqësish, nëse ju e paramendoni lutjen para se të thoni fjalët, ky paramendim nuk dëshiron të adhurojë Perëndinë, por diçka krejt tjetër. Dhe Perëndia është i vetëdijshëm për këtë paramendim! Një lutje e tillë nuk është një akt adhurimi, por mjet i lartësimit të vetes në mendjet e atyre përreth që do të dëgjojnë lutjen tënde. Ti do të dukesh i përulur, i penduar, adhurues, mirënjohës dhe teologjikisht i informuar, mirëpo jo për Perëndinë, por për personat e tjerë në dhomë.
Nëse lutja mund të shërbejë për diçka ndryshe nga nderimi i Perëndisë, nga kërkesa për ndihmën e tij, nga përkushtimi në shërbimin e tij, atëherë këtë rrezik e vuan dhe gjithçka tjetër në jetën e një udhëheqësi shërbese. Gjithçka e mirë që merr më shumë peshë nga sa kërkon Perëndia, bëhet gjë e keqe, penguese dhe e rrezikshme. Nuk është gabim të duash të të respektojnë udhëheqësit e tjerë. Në fakt, mund të thuhet se nuk mund të funksionosh dot si komunitet udhëheqës, pa një respekt të shëndetshëm e të ndërsjellë. Megjithatë, ky respekt nuk duhet të ketë më shumë peshë në zemrën tënde sesa nderimi i Perëndisë.
A ka mundësi që jetët e shumë udhëheqësve të shërbesës të mos jenë në baraspeshë, jo pasi u kërkohet shumë apo përballen me mundësi të tepërta në shërbesë, por pasi zemrat e tyre nuk janë në baraspeshën e duhur? Për sa kohë që mëkati jeton ende brenda nesh, baraspesha do të jetë problem për çdo udhëheqës në shërbesë dhe duhet marrë parasysh nga çdo komunitet udhëheqës. Nëse fillon të duash gjëra nga shërbesa dhe nga udhëheqësia, që nuk duhet t’i dëshirosh, aspektet e tjera të thirrjes nuk do të marrin vëmendjen që u nevojitet. Pjesët më private të jetës sate (martesa, familja, trupi i Krishtit, komuniteti, adhurimi privat dhe studimi devocional, shëndeti fizik, shëndeti financiar) do të nisin të vuajnë për shkak të neglizhencës. Pasojat negative emocionale, frymërore dhe fizike të kësaj neglizhence të gjërave private, do të nisin të ndikojnë negativisht funksionimin tuaj si udhëheqës. Për shembull, një tension i përditshëm në shtëpinë tuaj mund t’ju bëjë ta nisni ditën e udhëheqjes me nerva, duke ju bërë të acaroheni kollaj dhe të mos keni durim me udhëheqësit e tjerë. Borxhi mund të shkaktojë shqetësime dhe ankthe që ju depërtojnë ndërsa merrni parasysh gjëra të rëndësishme dhe me peshë bashkë me udhëheqësit e tjerë.
Komuniteti udhëheqës që është i shëndetshëm frymërisht, gjithnjë duhet të jetë duke shqyrtuar dhe duke diskutuar rregullisht çështjen e baraspeshës në jetët e udhëheqësve. Duhet të jetë gjithnjë duke kërkuar me dashuri se mos dallon prova të mungesës së baraspeshës te ndonjë nga udhëheqësit. Duhet të shqetësohet për shëndetin e martesës, të marrëdhënieve me fëmijët, për jetën devocionale, mirëqenien fizike etj. të çdo udhëheqësi. Duhet të shqetësoheni për këto gjëra, jo thjesht sepse e doni secilin udhëheqës, por edhe sepse ata funksionojnë si tregues kyç që diçka nuk është në baraspeshë në jetën a zemrën e dikujt që udhëheq bashkë me ty. Pjesa aktuale e jetës së përjetshme e llogarit dashurinë dhe supozimin, se baraspesha e zemrës (midis Krijuesit dhe krijesës) mund të jetë e paqëndrueshme tek anëtarët e komunitetit tuaj udhëheqës; dhe për shkak se ti i do ata, ti kërkon për shenja të kësaj mos-baraspeshe. Lufta e dëshirës dhe e motivit vazhdon në të gjitha zemrat tona dhe do të përmbyllet vetëm me pranimin tonë në mbretërinë e tij përfundimtare.
Ky artikull është përshtatur nga një pjesë e librit “Lead: 12 Gospel Principles for Leadership in the Church” nga Paul David Tripp.
Paul David Tripp (DMin, Westminster Theological Seminary) është një pastor, folës konferencash dhe shkrimtar i vlerësuar me shumë çmime. Ai ka shkruar disa libra, përfshirë këtu Lead; Parenting; dhe librin më të shitur me devocione New Morning Mercies. Shërbesa e tij jo-fitimprurëse ekziston për të lidhur fuqinë shndërruese të Jezu Krishtit me jetën e përditshme. Tripp-i jeton në Filadelfia me gruan, Luella, dhe ka katër fëmijë të rritur.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-we-are-out-of-balance/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024