Janar 2025
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
Çfarëdo që të bësh, lavdëro
Ambicia e çdo shërbëtori të sinqertë të Perëndisë, është ta lavdërojë Perëndinë me jetën dhe shërbesën e tij. Pali tha: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 e Korintasve 10:31). Ne duam t’ia dalim mbanë në shërbesë që Perëndia të lavdërohet. Duam që madhështia e veprës sonë të bëjë që njerëzit të shohin madhështinë e Perëndisë, jo që të shfaqim talentet apo të dukemi si më të mirë se të tjerët. Mirëpo sot, këtë përpjekje na e pengojnë vlerat e rreme, që na paraqesin tjetër lloj ambiciesh.
Keqkuptimet e suksesit
Ka një liri të madhe kur zgjidhesh nga vargonjtë e standardeve të përbotshme të suksesit. Fryma mëkatare e konkurrencës dhe zilisë, dhe dëshira për të qenë më i mirë se të tjerët mund të na privojnë nga kjo liri. Në një epokë të tejmbushur me media dhe konkurrenca të shumta për të përcaktuar kush është “më i miri” në fusha të ndryshme, është e lehtë të biesh në kurth e ta matësh rëndësinë tonë sipas kritereve jobiblike. Ne radhitim cilët janë sportistët më të mirë, meshkujt dhe femrat më tërheqëse, aktorët dhe aktoret më të mirë e më të njohur etj. Ata që nuk përfshihen në këto lista e kanë të lehtë të ndihen si të parëndësishëm dhe inferiorë. Kultura jonë e famës e mat rëndësinë në bazë të gjërave si fama, pasuria apo natyra e punës sonë.
Shumë njerëz nuk ndihen të lumtur apo të përmbushur në shërbesën e tyre ndaj Perëndisë, dhe shkaku kryesor për këtë është një keqkuptim i suksesit. Ç’nuk kam lexuar dhe dëgjuar të thuhet se kushdo mund të bëhet lider nëse ndjek këto apo ato udhëzime të sakta për udhëheqjen. Po të ishte kështu, ata që nuk janë liderë do të zhgënjeheshin, pasi nuk ia kanë dalë mbanë të kenë këtë lloj “suksesi” të të qenët lider. Pikëpamja biblike e udhëheqjes është një thirrje, dhe ata që kanë dhuntinë e udhëheqjes do ta përftojnë këtë thirrje. Mund të themi që vetëm Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe (për arsye të gabuara) Juda ishin të famshëm ndër të dymbëdhjetë apostujt. Por në Bibël nuk ka asgjë që të thotë se të tjerët nuk ishin në përputhje me vullnetin e Perëndisë në jetët e tyre. Pali heq të zitë e ullirit për të thënë që të krishterët janë të barabartë, pavarësisht nëse dhuntitë e tyre i bëjnë të dalluar apo jo (1 e Korintasve 12:14-25).
Zilia dhe fryma e konkurrencës ishin problem për dishepujt e Jezusit. Njëherë po diskutonin se kush prej tyre ishte më i madhi, dhe përgjigjja e Jezusit ishte: “Nëse dikush do që të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Marku 9:35). Jam i bindur se shumica e të krishterëve që thonë se besojnë në autoritetin e plotë të Biblës, nuk e pranojnë autoritetin e këtyre fjalëve në jetët e tyre. Po u bënë “të fundit” për ndonjë arsye, inatosen. Për shembull, po sikur dikush tjetër të fitojë një ngritje në detyrë që ata mendojnë se u takon atyre? Disa e lënë inatin të shtohet derisa ua rrënon gëzimin dhe i kthen në njerëz që kontrollohen nga hidhërimi.
Dishepujt nuk e morën mësimin e Jezusit menjëherë. Pak pas kësaj, Jakobi dhe Gjoni kërkuan për vendet në të djathtë dhe në të majtë të Krishtit në mbretërinë e tij — kërkesë kjo që i tërboi dhjetë dishepujt e tjerë (Marku 10:36-41). Edhe kjo shfaqje ambicieje jobiblike çoi në një mësim domethënës të Jezusit. Ai u tregoi që metoda e botës është të vlerësojë ata që kanë pushtet të madh mbi të tjerët (Marku 10:42). Edhe sot, rëndësia dhe suksesi midis të krishterëve matet në këtë mënyrë. Ne pyesim: “Sa staf ke që po punon për ty?”, apo “Sa njerëz ke në kishë?”. Por Jezusi tha “...kjo s’duhet të ndodhë midis jush…” (Marku 10:43). Fjalët e Jezusit këtu i ngjajnë përgjigjes së tij të mëparshme “...ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, të jetë shërbenjësi juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, të jetë shërbëtori i të gjithëve” (Marku 10:43-44). Më pas Jezusi jep si shembull veten e tij, që “...nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45).
Edhe në përmbyllje të shërbesës së Jezusit, dishepujt hasën vështirësi me këtë keqkuptim të madhështisë. Jezusi shfaqi udhëheqje shërbëtore kur u lau këmbët dhe u kërkoi të ndjekin shembullin e tij (Gjoni 13:3-17). Por pak më vonë zbulojmë që sërish diskutonin me njëri-tjetrin kush ishte më i madhi (Luka 22:24).
Ne duam që madhështia e veprës sonë të bëjë që njerëzit të shohin madhështinë e Perëndisë, jo që të shfaqim talentet apo të dukemi më të mirë se të tjerët.
Më ngushëllon rrjedha e ngjarjeve të mësipërme. Edhe dishepujt e Jezusit mezi i pranonin idetë biblike të madhështisë dhe shërbimit. Nuk duhet të shkurajohemi nga dështimet tona dhe të atyre që u shërbejmë, kur nuk kuptojmë këtë të vërtetë. Por ashtu si Jezusi, duhet të mësojmë të njëjtin mesazh në mënyrë të njëtrajtshme dhe të tregojmë rrjedhojat e tij praktike përmes shembullit të jetëve tona.
Në rininë time, shërbeja në ekipet organizuese të konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare. Bashkësia me të krishterë nga sfondet më të ndryshme të atyre ekipeve, janë ndër kujtimet më të lumtura të shërbesës që kam. Por disa nga kujtimet më të palumtura kishin të bënin me diskutimet tona se çfarë rolesh publike duhet t’u jepnim personave të famshëm që shpresonim se do të merrnin pjesë në konferencë. Thuheshin gjëra si: “Duhet t’i japim një rol kryesor, përndryshe do të zemërohet. Le t’i japim lutjen në ceremoninë hapëse!”. Puna fisnike e lutjes ishte bërë skllave e egos së drejtuesve të pasigurt në vetvete.
Me këtë, bënte kontrast prania e John Stott-it në konferencën e Lozanës për drejtuesit e rinj në Singapor në vitin 1987. Ai mund të ishte ekspozuesi më i famshëm në botë i Biblës për kohën, dhe erdhi thjesht për të na inkurajuar ne të rinjve. Nuk deshi të mbante fjalim. Por bëmë një sesion me pyetje dhe përgjigje me të, dhe ai me hir kaloi një orë nga koha e tij për t’u angazhuar me mua personalisht.
Të lirë nga pasioni për pranim tokësor
Pasi jemi bërë të lirë nga nevoja për të treguar aftësitë, për t’u ngjitur në rangjet kishtare, për të fituar fuqi dhe ndikim, bëhemi të lirë edhe për ta shijuar Jezusin dhe privilegjin e shërbimit të tij. Përmbushja jonë nuk vjen nga pozita që kemi në kishë apo në organizatë, por nga privilegji i lartë për t’i shërbyer Zotit tonë të dashur. Studiuesi i Dhiatës së Re, T. W. Manson, ka thënë: “Në mbretërinë e Perëndisë, shërbimi nuk është shkallë e parë për t’u bërë fisnik. Shërbimi është fisnikëria vetë, e vetmja fisnikëri që pranohet”1. Ky është burimi ynë i kënaqjes dhe përmbushjes në thirrjen tonë.
Nëse ndjekim papushim pranimin tokësor, mund ta marrim atë duke bërë gjërat e nevojshme për arritjen e atij qëllimi. Por kjo nuk garanton automatikisht pranimin nga Perëndia. Te Predikimi në Mal, Jezusi u thotë tre herë njerëzve që e praktikonin fenë sa për t’u dukur “me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre” (Mateu 6:2, 5, 16). Ideja e nënkuptuar në këtë pohim është se këta njerëz ishin budallenj që kërkonin sukses tokësor. Ata e kanë marrë shpërblimin e tyre dhe ngelen duarbosh në përjetësi!
Shërbëtorët e ndjeshëm të Perëndisë mësojnë t’i druhen kurthit të bërjes së gjërave për pranim tokësor. Henry Clay Morrison (1857–1942), themeluesi i seminarit teologjik Asbury ishte predikues dhe orator i shkëlqyer. Po predikonte një herë në një takim kampi bashkë me një predikues më të ri. Një të diel, predikuesi i ri predikoi në mëngjes dhe Fryma e Perëndisë veproi fuqishëm në dëgjuesit, duke bërë që shumë mëkatarë të kërkonin Zotin. Kur dr. Morrison-i predikoi në mbrëmje, predikuesi i ri u zhgënjye pasi ndjeu se dr Morrison-i po përpiqej t’ia kalonte duke përdorur aftësi të dalluara ligjërimi.
Më vonë, në atë mbrëmje, predikuesi i ri pa se dikush hyri në tendën e tij. Ishte dr. Morrison-i. “Ai mezi arriti rrëzë shtratit të tij. U përul te këmbët e shtratit të predikuesit, e zhyti fytyrën në çarçafët mbi këmbët e tij dhe nisi të qajë sa s’i plasi zemra. Predikuesi i ri nuk foli dhe e la bisedën mes dr Morrison-it dhe Perëndisë të vazhdojë. Shumë vite më vonë, predikuesi i tha një nxënësi të ri teologjik, Dennis Kinlaw-t: “Fryma e Shenjtë e ngjalli ndërgjegjen e [Morrisonit] dhe e bindi për atë mëkat. Ai nuk fjeti derisa e gjeti shokun e tij dhe pranoi mëkatin e tij”. Kinlaw e tregon këtë histori në librin e tij klasik, The Mind of Christ2.
Me shumë mundësi, të gjithë do të përballemi me kurthin e dëshirës për pranim apo pushtet ose fuqi tokësore. Mund të na duket vetja se kushedi ç’jemi, por të zbrazët nga Fryma e Shenjtë. Duke folur përmes profetit Zakaria, lidhur me rindërtimin e tempullit, Perëndia i tha qeveritarit Zorobabel: “...‘Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën tim’, thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Kur ligjërojmë, këshillojmë, këndojmë apo drejtojmë një takim, duhet të lutemi dëshpërimisht për ndihmën e Perëndisë. ajo që na nevojitet nuk është pranimi tokësor, por përmbushja dhe drejtimi i Frymës së Perëndisë.
Ajith Fernando ka shkruar librin Joyful Perseverance: Staying Fresh through the Ups and Downs of Ministry.
Shënime:
- T. W. Manson, The Church’s Ministry (Philadelphia: Westminster Press, 1948), 27.
- E rrëfyer nga Dennis F. Kinlaw, The Mind of Christ (Nappanee, IN: Evangel Publishing, 1998), 74.
Ajith Fernando (ThM, seminari teologjik Fuller) është drejtor i mësimdhënies në organizatën “Youth for Christ” në Shri Lanka, pasi ishte drejtor kombëtar i asaj shërbese për tridhjetë e pesë vjet. Bashkë me gruan e tij, Nelun, shërbejnë në kishë kryesisht me të varfrit në zonat urbane, dhe shërbesa e tij përfshin këshillimin dhe mentorimin e stafit dhe pastorëve më të rinj. Ka shkruar njëzet e një libra të botuar në njëzet e katër gjuhë. Ajithi jeton në Colombo, Shri Lanka bashkë me gruan, dhe kanë dy fëmijë të rritur dhe katër nipër e mbesa.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-in-a-celebrity-culture-your-call-is-contentment/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025