Dhjetor 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"

I dashur pastor,

Dua të ofroj shpresë, inkurajim dhe urtësi për pastorët dhe drejtuesit e tjerë të thirrur për shërbesë. Kemi një punë të vështirë që ç’ke me të! Dhe nga të gjitha gjërat e shumta që bëjmë, kultivimi i një bashkësie ose komuniteti frymëror në një botë të vetmuar është ndër sipërmarrjet më të vështira, më kërkuese dhe që kërkon më shumë kohë se të tjerat. Por unë sërish të inkurajoj që ia vlen — për ty dhe për kishën tënde.

1. Merr iniciativën.

Pastori mund ta ketë të vështirë të ndërtojë dhe të mirëmbajë marrëdhënie vërtet personale në kishë. Kisha jote mund të dojë të mbetesh një profesionist që rri larg, që ofron ekspertizën e tij, por pa u lidhur personalisht me jetët e tyre. Mirëpo një indiference të tillë i duhet rezistuar. Për hirin tënd, të shëndetit të familjes sate dhe të rritjes së kishës sate, merr iniciativën për të formuar marrëdhënie të thella në kishën tënde lokale.

Edhe pse duhet të ruash edhe marrëdhënie dhe miqësi të rëndësishme jashtë kishës sate lokale, le të jetë kisha jote komuniteti yt parësor për të kërkuar rritjen në Krishtin si krijesë marrëdhëniore që je. Si ta bësh këtë? Bashkohu ose drejto një grup të vogël. Në vend që të takohesh vetëm me drejtuesit, lidhu me një grup të rregullt bashkësie dhe, edhe nëse je drejtues, bëje të qartë që je ende një i krishterë i zakonshëm dhe nevojtar. Ftoji njerëzit të kalojnë kohë së bashku. Megjithëse zanati i drejtuesve të kishës është të takohen me njerëzit, mendoni mundësinë për të pasur dy apo tre takime, ose mbledhje (për kafe, për drekë apo në mbrëmje) çdo javë, thjesht për qëllimin e ndërtimit të marrëdhënieve. Formoni dhe ruani dy ose tre marrëdhënie të thella. Jezusi kishte Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin; ne po ashtu bëjmë mirë të kemi disa miq të afërt në komunitetet e kishës sonë, me të cilët mund të jemi krejtësisht prezentë, të ndershëm dhe besimplotë.

Përfshini familje të tjera në aktivitetet e familjes suaj. Nëse jeni të martuar e me fëmijë, gjeni mënyra për të ftuar familje të tjera në gjërat që po bëni tashmë — shkoni bashkë në park, ftoni të tjerët në aktivitetet e fëmijëve tuaj, mirëpritini familjet e tjera në fundjavë dhe në ditët pushim.

2. Bëhu shembull.

Pali i thotë Timoteut: “...bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 e Timoteut 4:12). Ai i tha edhe Titit që ta “nxjerrë në çdo gjë veten… si shembull veprash të mira, duke treguar në doktrinë pastërti, dinjitet, paprishshmëri” (Titi 2:7). Ndërsa Pali po i inkurajonte këta pastorë të rinj kryesisht në doktrinën dhe dëlirësinë e tyre morale, ky parim vlen për çdo aspekt të jetës së atyre që udhëheqin në kishë. Kisha po ju sheh, dhe me siguri do t’ju marrin shembull për shumë nga zakonet tuaja frymërore dhe marrëdhëniore. Prandaj, tregojuni atyre udhën e thellësisë në marrëdhënie dhe të qenët i varur nga këto marrëdhënie.

Ka disa mënyra praktike se si mund të kesh marrëdhënie sipas shtatit të Krishtit. Pastorët i inkurajoj të përdorin rregullisht ilustrime predikimi nga bashkësia e tyre apo nga miqësitë në kishë — duke marrë leje aty ku nevojitet. Për më tepër, kur takon njerëz të rinj në kishë, folu për komunitetin e njerëzve që ke gjetur, dhe nxiti të ndjekin hapat që të kanë ndihmuar më shumë. Për ata që e kanë të vështirë të zënë shoqëri e të krijojnë marrëdhënie, ndaj se si je ndeshur ti me këto gjëra, por duke ia dalë të krijosh një komunitet të afërt me njëri-tjetrin. Me familjarët ndaj mënyrat si i ke përfshirë familjet e tjera në aktivitetet e fëmijëve. Bëhu shembull i të pasurit miqësi dhe komunitet, dhe të tjerët do të të imitojnë me gëzim.

Bëhu shembull i të pasurit miqësi dhe komunitet dhe të tjerët do të të imitojnë me gëzim.

3. Përqendrohu në një shërbesë të thjeshtë dhe të qëndrueshme.

Nëse je si unë, ka gjasë që punon ditë të gjata pa pushim dhe nuk ke shumë kohë për të investuar në miqësi të reja dhe në familje të tjera. (Kjo është pjesë e arsyes pse është mirë t’i ftosh të tjerët në gjërat që tashmë je duke bërë). Në mënyrë që të përqafojmë një jetë të angazhuar në marrëdhënie, duhet të jemi më të qëllimshëm për mënyrën si i strukturojmë shërbesat e kishave tona. Do të na duhet të përqendrohemi në shërbesa të thjeshta dhe të qëndrueshme, jo të bëjmë organizime të tepërta dhe programe të vështira.

Është e natyrshme që anëtarët e kishës duan të përmbushin nevojat e ngutshme dhe të sigurojnë sa më shumë lidhje të mundshme — veçanërisht kur duan të kultivojnë një komunitet më domethënës. Por duhet të jemi të kujdesshëm. Nëse i themi “Po” çdo grupi, klase, shërbese apo takimi të mundshëm, së shpejti do të kemi një kalendar kishe kaq të mbushur, saqë do të jetë gati e pamundur të kemi marrëdhënie jashtë organizimeve të strukturuara të kishës. Për më tepër, secili nga këto organizime kërkon më shumë kohë për përgatitje dhe administrim nga drejtuesit vullnetarë, duke e kufizuar kapacitetin e tyre për të zhvilluar miqësi të forta.

Dua të jem i sinqertë këtu. Mezi pres t’i mbyll takimet dhe programet që u ka kaluar data e skadencës. Nga fillimi i shërbesës sime, druhesha se mos i zhgënjeja apo i ofendoja njerëzit aq shumë, saqë i lija studimet, grupet dhe takimet të vazhdonin përgjithmonë. Mirëpo pasi kuptova rëndësinë e kohës së lirë për miqësi dhe bashkësi, mësova ta çmoj refuzimin e gjërave të reja dhe përmbylljen me hir të atyre që e kishin përmbushur qëllimin e vet, për t’i lënë anëtarët të kenë kohë të lirë për ndërtimin e marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

Po ju jap një shembull të thjeshtë. Kur nisëm me mbjelljen e kishës “Trinity Church”, menduam se do të ishte mirë të shfaqnim filma familjarë falas në parkun e lagjes, që të mund të krijonim marrëdhënie me njëri-tjetrin. Ideja ishte e mirë, por nevojitej shumë punë vullnetare. Blemë një ekran të madh portativ, morëm hua një projektor dhe bokse. E mbushëm lagjen me ftesa, rezervuam parkun, morëm të drejtat për shfaqjen e filmit dhe bëmë postime në mediat sociale. E përgatitëm ngjarjen, transportuam sendet në vendet përkatëse dhe pastruam mjedisin pasi mbaruam punë. Ishte rraskapitëse! Në atë vit që patëm mbrëmje të tilla, kaluam mijëra orë pune vullnetare dhe as edhe një person i vetëm i lagjes nuk e vizitoi kishën. Qëllimi ynë nuk ishte të shtohej numri i njerëzve në kishë, por u bë e qartë se fryti i dëshiruar i kësaj shërbese nuk po vinte. Ndaj e ndërpremë si takim. Të gjithë u ndien të çliruar. (Tani ua lëmë në dispozicion projektorin, ekranin dhe bokset kishave të tjera që mund të bëjnë festë në lagje.)

Pastor, ke një pozitë jashtëzakonisht të vështirë dhe kërkuese. Je thirrur të mësosh Fjalën, të lutesh me njerëzit dhe për ta, dhe të baritosh tufën nën kujdesin e Bariut të mirë. Por mos i neglizho jetën dhe marrëdhëniet e tua, dhe mos harro ta drejtosh kishën duke formuar dhe duke ruajtur marrëdhënie të shëndetshme dhe kuptimplota. Unë jam i bindur që nuk do të pendohesh për ruajtjen e këtyre prioriteteve.

Vëllai yt,
Jeremy


Ky artikull është marrë nga libri Why Do We Feel Lonely at Church?  i autorit Jeremy Linneman.


Jeremy Linneman shërben si pastori drejtues i kishës “Trinity Community Church” në Kolumbia, Misuri. Ai shkruan për The Gospel Coalition mbi komunitetin dhe formimin frymëror, dhe po përfundon doktoratën për shërbesë (DMin) pranë seminarit teologjik “Covenant Theological Seminary”. Ai dhe e shoqja, Jessie, kanë tre djem.

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me lejehttps://www.crossway.org/articles/dear-pastor-in-a-lonely-world-cultivating-community-is-worth-it/

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi të kënduarit